Sarandë- Edhe pse u trumbetua si një ndër projektet më të mëdha të reahabilitimit të bregdetit, landfilli i jugut është kundërshtuar nga banorët e Bajkajt ku është planifikuar të ngrihet ky impiant. Në fillim të këtij muaji drejtori i projektit, Jamarbër Malltezi ka takuar banorët nga ku doli se ata ranë dakord që të ngrihet impianti i mbeturinave dhe në këmbim fshatit ti shtroheshin rrugët dhe të përmirësoheshin shërbimet e tjera publike.
Sot mësohet se banorët nuk e kanë pranuar këtë ofertë dhe kanë kërkuar që të gjendet një tokë tjetër për landfillin. Ata kanë protestuar sot në qendrën e fshatit Bajkaj, kundër ngritjes së impiantit të mbeturinave të bregdetit në fshatin e tyre. Aryseja e protestës ishte ndotja dhe rendimi i kushteve të jetesës në qëndrën e banuar të Bajkajt.
Ky fshat që gjendej 8 km larg nga qyteti i Delvinës dhe 15 km nga Saranda është përcaktuar si vendgrumbullimi i plehrave të rajonit të bregdetit. Aty është parashikuar të ndërtohet një impiant i madh plehrash, që do të përfshinte mbetjet urbane të të gjithë zonës nga Ksamili në Himarë përfshirë edhe Bashkinë Sarandë, Lukovën e gjithë fshatrat e tjerë të bregdetit. Kundrejt tokës prej 10 ha banorëve iu është premtuar asfaltimi i 5 km rrugë, nga kthesa e Stjarit deri në fshatin Bajkaj. Po kështu në këmbim të tokës atyre do t’iu riparohej rrjeti i ujërave të zeza dhe të bardha të fshatit, etj.
Kryeplaku i Komunës Bajkaj, Blerim Kullaj tha se do të udhëheqë protestën për të ndaluar ngritjen e këtij impianti në fshatin e tyre. Folësit e tjerë në tubim nënvizuan rezistencen që do të hasin investitorët në se do të këmbëngulin në një projekt të tilllë .
Protesta e Bajkaj ishte paqësore dhe organizatorët kërkonin të sensibilizonin drejtuesin e projektit që drejtohet nga Jamarbër Malltezi që në mbledhjen e radhës të dëgjohet ky komunitet dhe të merret parasysh kundërshtimi i tyre.