Tiranë- Kryeministri italian Silvio Berluskoni ka garantuar sot kreun e shtetit shqiptar se vendi ynë do të ketë mbështetjen e Italisë në rrugën e integrimit për në BE.
Deklarata është bërë gjatë pritjes së Presidenti Bamir Topi organizoi në Pallatin e Brigadave për nder të Berluskonit.
Kreu i qeverisë italiane, e siguroi kreun e shtetit shqiptar se gjatë gjithë procesit të përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar, vendi ynë do të vazhdojë të gëzojë mbështetjen e gjithashme të Italisë.
Ndërkohë Topi shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe vuri në dukje se të tilla vizita dhe kontakte të rëndësishme kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë. Presidenti Topi e konsideroi z. Berluskoni si mik të vyer të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pasi emri i tij është shumë i njohur prej vitesh në Shqipëri.
“Italia, ka qenë përherë partner kryesor dhe strategjik i Shqipërisë”- tha Topi, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Presidenti Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike, më konkretisht në atë energjetike, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Nga ana e tij, Kryeministri italian Berluskoni, pasi shprehu mirënjohjen ndaj Presidentin Topi për mikëpritjen e ngrohtë shqiptare, e vuri theksin në ndryshimet e mëdha që vërehen në Shqipëri, përpjekjet e shqiptarëve për një jetë më të mirë, përparimin dhe ndryshimet e jashtëzakonshme të shënuara nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, sukseset në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke theksuar se Shqipëria mund të ecë e sigurtë dhe me shpejtësi drejt familjes evropiane dhe asaj euroatlantike duke theksuar se si Kryeministër i Italisë do të jetë avokati kryesor duke mbështetur Shqipërinë në përfshirjen e saj në gjirin e familjes europiane.
Në pritje të pranishëm ishin Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri, Sali Berisha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, parlamentarë, anëtarë të kabinetit, drejtues të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.