Berat- Një grindje e çastit dhe konflikt për trafik droge ose njerëzor janë pistat në të cilat po heton policia e beratiit për vrasjen misterioze të emigranit Erjon Shuka.
Policia bën me dije se ka shoqëruar rreth 20 persona, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë për autorin e krimit. Gjatë kontrollit viktimës i janë gjetur me vete 5 euro dhe 2 mijë lekë të vjetra shqiptare, çka hedh poshtë edhe pistën e vrasjes për grabitje.
Banorët e fshatit Moravë të pyetur nga policia treguan se në orët e vona të natës së të premtes kanë dëgjuar një zhurmë makine, e cila ka qëndruar në periferi të lagjes ku banojnë. Ndërsa për shkak të qetësisë absolute që mbizotëron në orët e vona në rrugët e këtij fshati, dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar zarin e një njeriu që kërkonte ndihmë me sa fuqi që kishte. Fjala “Ndihmë!” është dëgjuar veç dy herë, që u pasua me disa klithma me zë të dobët. Dy krisma janë dëgjuar më pas prej tyre, ndërsa policia thotë se vrasja ka ndodhur pasi mbi viktimën është ushtruar një dhunë barbare, madje duke e zhveshur nga petkat e tij. Banorët pohojnë se kanë dëgjuar dhe zhurmën e madhe të makinës për shkak të shpejtësisë me të cilën largohej drejt daljes së qytetit.
Ndërkohë, familja ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorit. Familjarët mohojnë që djali i tyre të ketë pasur konflikte me dikë, duke e cilësuar si “njeri të urtë dhe punëtor, që shikonte punën e vet”. Mësohet se Erjoni kishte qëndruar në Greqi për 14 muaj, por më pas është kthyer nga autoritetet e huaja, pasi ishte pa dokumente. Kthimi i tij të enjten është pasuar me daljen për të pirë një kafe me tre shokë të tij rreth orës 17:00.