Tiranë- Rinisja e reshjeve të borës në zonat e thella dhe problemi i madh me qarkullimin ka mbledhur me urgjencë Shtabin e Emergjencave Civile, i cili ka vendosur marrjen e një sërë masash për përballimin e situatës.
Nisur nga situata e krijuar shtabi vendosi që 6 automjetet borë pastruese të Xhenjos që disponojnë Forcat e Armatosura të dislokohen në segmentin Pukë–Fushë Arrëz, Shën Mëri–Kukës, Rrëshen–Lurë, Bulqizë– Maqellarë e komunat e Librazhdit.
Ndërkaq mjetet speciale shtesë do të angazhohen për ngritjen e 6 shtyllave të tensionit të lartë (110kv) të rrëzuara nga furtuna në segmentin Lezhë–Bushat, që do të bënte të mundur rifillimin e furnizimit me korrent të zonave të prekura nga avaria.
Masa janë marrë edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Pas përmirësimit e pjesshëm të motit Ministria e Arsimit ka marrë vendim për rifillim të mësimit në disa shkolla.
“Do të mbeten të mbyllura përkohësisht deri më 12 janar shkollat në rrethin e Dibrës me përjashtim të qytetit Peshkopi dhe komunës Maqellarë”- u vendos në mbledhjen e shtabit.
Po kështu, shkollat në komunën Fan dhe qytetin e Rubikut, 16 shkolla në rrethin e Kukësit, përkatësisht në komunat Kolsh, Malzi, Zapot, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Caje, Arren.
Në rrethin e Hasit 7 shkolla në komunat Golaj, Perollaj, Kostur, Tregtan, Metaliaj, Gjinaj, Kishaj. Në rrethin e Elbasanit 6 shkolla në komunës Shmill; në rrethin e Tropojës 20 shkolla në komunat Margegaj, Bytyç, Tropojë, Llugaj, Fierzë, Bujan Lekbibaj;
Në rrethin e Librazhdit do të ndërpritet mësimi përveç shkollave në qytetin e Librazhdi e komunave Rajcë, Qukës, Polis dhe Hotolisht.
Ministria e Shëndetësisë është ngarkuar për të dërguar medikamente e ndihma mjekësore në të gjitha krahinat ku është evidentuar mungesa e tyre, ndërsa do t’i jepet prioritet zonave të bllokuara.