Premte, 29 Gusht 2008 08:34:55

Lexoni versionin Print

Sejdiu dhe Thaçi: "Pavarësia, në fazën finale"

Drejtuesit e Kosovës thonë se shpallja e pavarësisë do të jetë një hap i koordinuar me Perëndimin

Sipas "REL"
Marte, 22 Janar 2008 12:43:00

Procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës po hyn në fazën finale, kanë paralajmëruar dje Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës. Sipas tyre, shpallja e pavarësisë do të jetë një hap i koordinuar me Perëndimin, kështu që, para bërjes publike të datës, do të ketë nevojë edhe për disa konsultime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Në këtë frymë, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë diskutuar sot duke potencuar koordinimin e hapave vendimtarë me Perëndimin, para se të shpallet pavarësia e Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se po vjen koha kur edhe qytetarët e Kosovës do të njoftohen me vendimin për shpalljen e pavarësisë, që, sipas tij, nuk është larg. "Mund t'ju them se çështjet janë në një dinamikë sa më të saktësuar dhe kujtojmë se për një kohë shumë të shkurtër, pas edhe disa takimeve të rëndësishme që do t'i zhvillojmë, në koordinim me miqtë e Kosovës, ne do të japim edhe një orientim themelor, në momentin kur edhe Kuvendi i Kosovës do ta marrë vendimin e vet",- tha Sejdiu. Zhvillimet në Serbi dhe zgjedhjet e atjeshme, sipas presidentit Sejdiu, nuk kanë efekte sa i përket Kosovës.

Ai tha se Kosova e ka rrugën e vet, ndërkaq, është çështje e popullit serb se kë mbështet që të drejtojë atë vend. "Unë mund të them se janë zgjedhje që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, është çështje e zgjedhjes së përfaqësuesve të Serbisë nga populli serb. Është çështje e zgjedhjes së tyre, kë do të preferojnë. Për ne është shumë me rëndësi që të lëvizim fuqishëm në këtë dinamikë të qartë që kemi, në këtë orar, agjendë e objektiv që e kemi para vetes dhe Kosova do ta arrijë pavarësinë e vet me mbështetje e njohje ndërkombëtare",- tha Sejdiu. Këtë javë, kryeministri Hashim Thaçi do të udhëtojë për në Bruksel, ku ai ka paralajmëruar se do të zhvillojë takime të rëndësishme me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Thaçi tha se, kjo vizitë pritet t'i qartësojë shumë afatet kohore të deklarimit të pavarësisë në Kuvendin e Kosovës dhe afatin e fillimit të misionit të BE-së në Kosovë. "Në bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Uashingtonin, Brukselin, do ta përmbyllim çështjen e statusit në mënyrë shumë të suksesshme, me politikë unifikuese kosovare e gjithëqytetare, e në të njëjtën kohë edhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë",- theksoi Thaçi. Ndërkohë, analisti Ramush Tahiri vlerëson se përcaktimi i Kosovës për pavarësi të koordinuar, ka të bëjë edhe me disa garanci që Kosova duhet t'i japë para bashkësisë ndërkombëtare, si shtet i ri që po ndërtohet në Evropë. "Kosova është përcaktuar për pavarësi të koordinuar dhe parakusht kryesor janë garancitë që shteti do të funksionojë, dhe garancitë që mund të kontrollohet funksionimi i shtetit dhe që shpallja e pavarësisë së Kosovës do të ishte e pranueshme për shumicën dërrmuese të popullit të Kosovës, por edhe për shtetet përreth. Gjithashtu, konsiderohen si parakusht edhe garancitë për pakon e Ahtisaarit",- vlerëson Tahiri. Sa u përket afateve kohore, Tahiri konsideron se më nuk ka pengesa sa i përket shpalljes së pavarësisë. Ai thotë, po ashtu, se afatet kohore që ndërlidhen me Serbinë, janë parashtruar më shumë me kërkesë të disa vendeve anëtare të BE-së, në përpjekje që të parandalojnë ardhjen e radikalëve në krye të shtetit serb. Zgjidhja e statusit të Kosovës besohet se do të mbështetet në bazat e pakos së Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur. Në këtë aspekt, pritet që Bashkimi Evropian të dërgojë një mision prej rreth 1800 vetash, të cilët do të mbikëqyrin sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë. Ndërkaq, Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare që do të vendoset në Kosovë, do të vlerësojë të arriturat e përgjithshme, me një theks të veçantë edhe trajtimin e pakicave, përkatësisht pakicës serbe. Parashihet po ashtu, që Kosova të kalojë edhe katër muaj tranzicioni, periudhë gjatë së cilës UNMIK-u do të largohet nga Kosova, por ndërkaq autorizimet e kësaj administrate do t'u barteshin institucioneve vendore dhe pranisë së ardhshme civile ndërkombëtare. Sa i përket pranisë ushtarake, strukturat më të larta të NATO-s e kanë përsëritur në disa raste se KFOR-i do ta ruajë përbërjen dhe rolin që aktualisht ka në Kosovë, në garantimin e paqes dhe sigurisë.

Kryeparlamentari

Krasniqi: "Pavarësia do të shpallet në muajin shkurt"

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i tha BBC-së të hënën se Parlamenti pritet që në muajin shkurt të shpallë pavarësinë. "Ne shpresojmë se shkurti do të jetë koha kur do të ndodhë kjo kthesë e rëndësishme historike",- tha z.Krasniqi. Por kreu i Parlamentit tha se data nuk është përcaktuar ende.

"Duhet të bëhen dhe disa konsulta, për të precizuar kohën se kur do të ndodhë kjo",- tha ai. Sipas z.Krasniqi, shpallja e pavarësisë do të bëhet përmes një deklarate, ku do të kërkohet në të njëjtën kohë dhe njohja e saj ndërkombëtare. Ai tha se udhëheqësit kosovarë po diskutojnë me njëri-tjetrin dhe me faktorin ndërkombëtar. "Ne këto ditë jemi duke biseduar me Presidentin e Kosovës, me Kryeministrin, jemi në kontakt të përditshëm me faktorin ndërkombëtar të vendosur në Kosovë, duhen të bëhen dhe disa konsulta për të precizuar kohën se kur do të ndodhë kjo",- tha ai.

Reagime nga Prishtina, për zgjedhjet në Serbi

Autoritetet në Kosovë thonë se zgjedhjet në Serbi nuk kanë ndikim në zhvillimet rreth Kosovës dhe, si të tilla, nuk do të ndikojnë në zgjidhjen e statusit final. Udhëheqësit më të lartë në Kosovë, i kanë cilësuar zgjedhjet presidenciale në Serbi si zhvillime të një vendi fqinj që nuk kanë kurrfarë ndikimi në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu thotë se Kosova ka rrugën e saj, se ajo do të bëhet shumë shpejt vend i pavarur dhe se do të ngrejë marrëdhënie të mira me vendet fqinjë, përfshirë edhe Serbinë. Qeveria e Kosovës është shprehur se, është e drejtë legjitime e Beogradit që të interesohet për serbët e Kosovës, mirëpo sa i përket statusit final, Serbia nuk mund të ndikojë në vendimin për pavarësinë e Kosovës. Qytetarët e Kosovës, që janë anëtarë të komunitetit serb, morën pjesë në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, pasi i bojkotuan më parë zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Kosovë. Ata thonë se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e institucioneve kosovare, të cilat, sipas tyre, kanë qëllim kryesor pavarësinë e Kosovës.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML