Kryeministri takon shefin e Misionit të OKB-së dhe Komandantin e KFOR-it
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha dje se pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe tash është koha e përmbushjes së procedurave të shpalljes së saj. Ai i bëri këto komente pas takimit me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker dhe Komandantin e Forcave Paqeruajtëse, gjeneralin francez Xavier Bout de Marnhac, me të cilët ka debatuar, siç është thënë, për harmonizimin e veprimeve ne këtë periudhë të përmbylljes së statusit politik të Kosovës. Për kryeministrin Thaçi vendimi për pavarësinë e vendit do të ndodhë shumë shpejt. "Po pavarësia, ju e dini, ajo punë është punë e kryer, tash vetëm aspektet procedurale janë duke i kryer institucionet e Kosovës, procedura që duhet të respektohen në mënyrë që të kemi sukses të plotë".
Beogradi dhe serbët e Kosovës kundërshtojnë çdo mundësi për pavarësimin e Kosovës dhe kjo ka shtuar shqetësimet për zhvillimet, në periudhën kur pritet vendimi për të ardhmen e vendit. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker tha se të tre zyrtarët e lartë janë angazhuar, që javët dhe muajt në vazhdim të jenë periudhë e paqes dhe qëndrueshmërisë në Kosovë. "Kemi besim të plotë tek qytetarët e Kosovës, të cilët do të veprojnë me përgjegjësi në javët dhe muajt e ardhshëm kur qartazi ngjarje të rëndësishme do të ndodhin",- tha zoti Ruecker, i mbështetur edhe nga Komandanti i Forcave Paqeruajtëse, Xavier Bout de Marnhac, i cili tha se trupat e tij do të sigurojnë një mjedis të qetë për të gjithë. Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi tha se Kosova është e përgatitur për të gjitha sfidat që e presin në ditët në vazhdim.
"Tanimë Kosova ka planin e vet preventiv bashkë me autoritetet e UNMIK-ut e të NATO-s. Gjithë ky përkushtim është në drejtim të asaj që, të respektohet, të garantohet integriteti territorial i Kosovës të jetë i pacenueshëm".
Zoti Thaçi përsëriti sot qëndrimin se vendimi për pavarësinë do të merret në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Një vendim më i qartë rreth periudhës kur do të ndodhë një gjë e tillë mund të pritet pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, që mbahen të dielën, e të cilat vlerësohen me rëndësi vendimtare për orientimin politik të Beogradit.