Kryeministri Koshtunica refuzon paktin e Brukselit për Marrëveshjen Politike
Serbia ka hedhur poshtë miratimin e kuadrit ligjor dhe financiar të misionit të ardhshëm në Kosovë, nga ana e Bashkimit Evropian. Në një kumtesë të kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, thuhet se me këtë vendim Bashkimi Evropian rrezikon drejtpërdrejtë sovranitetin, tërësinë tokësore dhe rendin kushtetues të Serbisë.
Prandaj, vlerëson kryeministri Koshtunica, propozimi i BE-së që me Serbinë të firmosë Marrëveshjen Politike, ndërkohë që merret vendimi për dërgimin në Kosovë të misionit, përbën një mashtrim me qëllim që Serbia, duke vënë firmën në Marrëveshjen me BE-në, të nënshkruajë në të vërtetë pëlqimin për pavarësinë e Kosovës dhe të bëhet shteti i parë që në mënyrë indirekte të njohë Kosovën e pavarur.
Kryeministri serb Koshtunica angazhohet për mbledhjen urgjente të Parlamentit para shpalljes së njëanshme të pavarësisë dhe të marrë qëndrim për misionin e BE-së dhe marrëveshjen e ofruar nga Brukseli.
Kuadri ligjor dhe financiar për misionin e ardhshëm evropian në Kosovë, është hedhur poshtë edhe nga ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq. Mirëpo ai, në një prononcim për BBC-në tha të hënën se ky vendim, si dhe Marrëveshja Politike për Bashkëpunim me BE-në janë dy çështje të ndryshme.