Të tria vendet fqinje me Serbinë – kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për Kosovën
Qeveria kroate e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pas takimit të mbajtur dje në Zagreb. Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, i ka dërguar një letër presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në të cilën, vendimin e Qeverisë kroate për ta njohur pavarësinë e Kosovës, ai e cilëson si themel për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis dy vendeve, në frymë miqësie, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë.
"Në rrugën drejt Evropës, Republika e Kroacisë shtrin dorën e miqësisë të gjitha vendeve të rajonit, e gatshme që me to të ndajë përvojat e saj", ka thënë presidenti kroat, duke i uruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj "përparim sa më të shpejtë në paqe, siguri dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët".
Pas vendimit të sotëm të Zagrebit, zëvendëskryeministri i Kroacisë, Slobodan Uzelac, që përfaqëson pakicën serbe në Qeverinë kroate, ka ofruar dorëheqjen e tij në shenjë proteste për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Zagrebi zyrtar.
Pavarësinë e ka njohur sot edhe Qeveria hungareze. Vendimin e ka bërë të ditur sekretarja hungareze e shtetit për marrëdhënie me jashtë, Marta Fekszi.
"Hungaria e ka njohur Kosovën e pavarur dhe qeveria ka kërkuar nga Ministria e Jashtme të përgatisë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që presidenti të mund të vendosë marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri të pavarur", u ka thënë Fekszi gazetarëve në Budapest.
Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të garantojë sigurinë e 350.000 hungarezëve etnikë që jetojnë në Vojvodinë, krahinën autonome në veri të Serbisë, të cilët kanë thënë se mund të jenë në shënjestër të nacionalistëve serbë nëse Budapesti njeh Kosovën.
Të mërkurën, Hungaria, Kroacia dhe Bullgaria – të tria vende fqinje me Serbinë – kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka reaguar ftohtë mbi këtë lajm të fundit, duke thënë: "Çdo vend që bën një hap të këtillë, nuk mund të llogarisë në marrëdhënie të mira me ne".
Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt të këtij viti. Që prej atëherë, 32 vende, përfshirë edhe këto tri të fundit, e kanë njohur shtetin e ri.
UNMIK: Punonjësit e MB serbe në Kosovë, të paligjshëm
Prania e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë paraqet shkeljen më flagrante dhe përzierjen në punët e brendshme të Kosovës, thonë ekspertë të sigurisë. Vetë UNMIK-u e ka pranuar edhe sot se ka prova ta palëkundshme se punonjës të MPB-së së Serbisë kanë qenë të implikuar në uzurpimin e gjykatës në Mitrovicë.Ekspertë për çështje të sigurisë thonë se prania në pjesën veriore të Kosovës e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, paraqet përzierjen më flagrante në punët e brendshme të një shteti. Praninë e tyre në gjykatën e uzurpuar nga serbët në veri të Kosovës, e ka ripohuar sot zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.
“Ne nuk i kemi lejuar ata që të hyjnë në Kosovë, por ata disi kanë hyrë. Unë mund t’ju them se kemi prova të palëkundshme, se zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kanë qenë të pranishëm në gjykatë. Nuk është kjo diçka diskutabile. Ne kemi prova të padiskutueshme dhe këto prova do t’u ofrohen hetuesve. Natyrisht, ne do të provojmë që të sigurojmë se oficerët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë nuk do të hyjnë në Kosovë. Do ta bëjmë maksimumin, ua premtoj këtë”, tha Ivanko.
Ky pohim i UNMIK-ut ka mobilizuar zyrtarët e institucioneve të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka biseduar për këtë çështje me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Larry Rosin, ndërkohë që gjatë ditës ka pasur takime të mekanizmave të ndryshëm të sigurisë.
Në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave tërhiqet vërejtja për rrezikun që i kanoset Kosovës
GNK: Një muaj pas Pavarësisë, Kosova në rrzikun e ndarjes
Në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave tërhiqet vërejtja për rrezikun që i kanoset Kosovës nga përpjekjet e Beogradit për ndarjen e saj. Andaj, u bëhet thirrje vendeve perëndimore që kanë njohur shtetin e Kosovës, që të vendosin bashkëpunim bilateral dhe ta ndihmojnë atë të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. Ndarja e Kosovës dhe shndërrimi i saj në një konflikt të ngrirë nuk mund të ndodhë, thonë përfaqësues politikë kosovarë, duke analizuar raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Ndërsa në këtë raport thuhet se vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është në rrezik të ndahet dhe i bëhet thirrje BE-së dhe NATO-s të veprojnë para se të jetë tepër vonë, përfaqësues qeveritarë dhe ata të opozitës, në Prishtinë, besojnë se përkushtimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës, është i mjaftueshëm që t’i parandalojë këto tendenca, që, sipas tyre, vijnë nga Beogradi.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se koha e konflikteve dhe konfrontimeve si në Kosovë, ashtu edhe në rajon, ka kaluar dhe se tani, sipas tij, është koha e integrimeve evropiane.
“Mendoj se përkushtimi i institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare është që Kosova ta ruajë tërësinë territoriale të saj, t’i ruaj kufijtë e saj dhe të sundojë rendi e ligji. Në këtë drejtim, kompromis nuk ka dhe ka gatishmëri të plotë. Mendoj se këto parashikime tani më nuk mund të jenë reale dhe aq më pak edhe nëse parashikohen, nuk mund të implementohen”, thotë Kuçi.
Në anën tjetër, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se problemi i veriut të Kosovës rrjedh nga pafuqia e UNMIK-ut që të shtrijë administrimin atje që nga viti 1999. Por, çdo përpjekje për ndarje apo ridefinim kufijsh në Ballkan, sipas Makollit, do të hasë në rezistencë dhe do të nxiste reagime edhe në vendet tjera përreth.
“Duhet të kuptohet që çdo përpjekje për të ndarë pjesë të territorit të Kosovës, do të hasë në rezistencë, sikurse që do të hapë ‘kutinë e Pandorës’ në Ballkan dhe do të krijojë kërkesa dhe terren të mirë për ridefinim të territoreve në Ballkan. Konsideroj se një çështje e tillë nuk është në favor të askujt, në kohën kur të gjithë ne popujt e rajonit po pretendojmë që të jemi pjesë e përbashkët e Evropës së pa kufij..., sepse në asnjë rast nuk do të lejohet që nga kjo të pësojë vetëm Kosova apo ndonjë pjesë e saj”, tha Makolli.
Ndërkohë, Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se serbët nuk e mbështesin ndarjen e Kosovës. Por, ajo që Joviq angazhohet, është që statusi i Kosovës të definohet ndryshe dhe jo si shtet i pavarur. Kështu që Joviq ende mendon se ka vend për një zgjidhje që, sipas tij, kënaq si serbët, ashtu edhe shqiptarët.
“Mendoj se ndarja e Kosovës nuk është zgjidhja më e mirë, edhe pse në terren ashtu duket”, thekson Joviq.
Ai rikujton se ndarjet do të thellohen edhe më shumë pas shtrirjes së EULEX-it, i cili, sipas tij, nuk do të pranohet nga serbët. Mirëpo, sipas Joviqit, ende ka vend që palët të ulen, të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje që përmbush interesat e shqiptarëve e serbëve në Kosovë.