Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:22:14

Lexoni versionin Print

Kosova e pavarur europiane dhe Serbia në udhëkryq

Kosova ka shpallur pavarësinë dhe SHBA e shumica e vendeve të BE, pra perëndimi, ka njohur menjëherë shtetin e ri të Kosovës, tanimë të pavarur e sovran, por mbi të gjitha të orientuar

Nga Prof.Dr.Kastriot Islami
Merkure, 26 Mars 2008 11:31:00

 

Kosova ka shpallur pavarësinë dhe SHBA e shumica e vendeve të BE, pra perëndimi, ka njohur menjëherë shtetin e ri të Kosovës, tanimë të pavarur e sovran, por mbi të gjitha të orientuar qartë drejt integrimit në BE dhe NATO. Ky orientim nuk është thjesht politik, por buron nga një aspiratë popullore e shprehur masivisht. Implementimi i pavarësisë do të jetë një proces kompleks dhe i vështirë, por i pakthyeshëm dhe në terma afatmesëm, me siguri i suksesshëm. Shtrohet vetëm çështja e maksimalizimit të suksesit në periudhën afatshkurtër. Në këtë kuptim dhe në këtë kontekst, jo vetëm klasa politike në Kosovë, por SHBA në bashkëpunim të ngushtë me BE, do të duhet të vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre për ruajtjen e stabilitetit e forcimin e sigurisë. Në terma më konkretë, kjo do të thotë ruajtje e integritetit, parandalim i dhunës dhe i ndarjes në Mitrovicën veriore dhe i forcimit ekonomik. Kjo, në radhë të parë, do të kërkonte minimalisht unifikimin e plotë e të shpejtë të qëndrimit europian për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. E kundërta nuk do të mund ta bënte procesin reversibël por imazhin e perëndimit do ta dëmtonte, dhe mbi të gjitha do të rriste nivelin e kërcënimeve ndaj sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, rajon e ndoshta më gjerë. Në këtë aspekt, hezitimi i disa shteteve perëndimore, me argumente të dobëta apo alibi argumentesh, do të ishte një mesazh i gabuar si ndaj nacionalistëve serbë ashtu edhe ndaj Rusisë, e cila tenton përmes "ruajtjes së linjave të kuqe" të rrisë penetrimin e saj dhe të pengojë zgjerimin e BE e sidomos të NATO-s edhe në rajonin e Ballkanit. Nga ana tjetër, demokratizimi i Serbisë dhe orientimi i saj europian e euroatlantik është strategjik jo vetëm për Serbinë.

Ndarja e Kosovës në funksion të anti-integrimit europian e euroatlantik

Gjatë muajve të fundit, qeveria e drejtuar nga Koshtunica ka kryer një veprimtari diplomatike intensive për të ndaluar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Po ashtu Koshtunica i ka kërkuar serbëve të Kosovës të ndërpresin çdo bashkëpunim me qeverinë e re të Kosovës dhe misionin e Bashkimit Europian. Dhe akoma më keq, lidershipi nacionalist përpiqet të vendosë kontrollin në pjesën veriore të Kosovës, me synimin e qartë të ndarjes së Kosovës dhe më tej, shpalljen e autonomisë së saj. Përmes këtyre veprimeve lidershipi nacionalist serb, tenton të fusë në konflikt Serbinë me Kosovën e natyrisht edhe me misionin "EULEX" të BE-së. Në fakt "skenari i ndarjes së pjesës veriore të Kosovës", përmes efektit domino, do të kthehej në kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, ndryshe nga çfarë realizon pavarësimi i Kosovës dhe integrimi në BE e NATO i të gjithë vendeve të rajonit. Ky skenar, jo vetëm kërcënimi, por në thelb anti-integrues, do të favorizonte dhe sponsorizonte synimin strategjik të "linjave të kuqe" ruse.

Ndërlidhja iluzore e pavarësimit të Kosovës me integrimin europian të Serbisë

Në Serbi janë shpallur zgjedhjet e parakohshme për në maj të këtij viti. Ato janë më shumë se zgjedhje politike. Arsyeja e vërtetë vjen nga Tadiç, që kërkon nga votuesit e vendit të tij, të shprehen në këto zgjedhje politike për orientimin e tyre ndaj integrimit në BE dhe NATO. Natyrisht, çështja e integrimit në NATO, për shkak të sensibilitetit të lartë, është e nënkuptuar ose e artikuluar në mënyrë eksplicite. Kurse drejtuesi nacionalist Kostunica kërkon të ruajë mbështetjen e votuesve duke vendosur në themel të krizës që parapriu vendimin për zgjedhjet e parakohshme, çështjen e Kosovës. E thënë ndryshe, koalicioni qeverisës hibrid, demokrat-nacionalist nuk arriti të ruhej për shkak të diferencave të thella përsa i përket: i) çështjes së Kosovës; ii) lidhjeve të Serbisë me BE, dhe; iii) të ndërlidhjes së këtyre dy çështjeve midis tyre. Dihet tashmë se Koshtunica do të paraqitet në këtë fushatë "duke sakrifikuar integrimin në BE për shkak të Kosovës". Kurse Tadiç ka artikuluar një qëndrim, që në pamje të parë duket paradoksal, duke u shprehur se " është i vendosur për integrimin e Serbisë në BE, duke mos pranuar njëkohësisht pavarësimin e Kosovës". Paradoksi iluziv vjen nga fakti që shumica e vendeve të BE, e ndoshta shumë shpejt BE e unifikuar, kanë njohur e janë duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe për rrjedhojë nuk mund të pajtohen me qëndrimin serb, qoftë edhe të presidentit Tadiç, lidhur me pavarësinë e Kosovës.

Serbia në udhëkryq...

Pas zbërthimit të plotë të ish-Jugosllavisë, Serbia ndodhet në një udhëkryq përsa i përket ecurisë së saj në proceset e demokratizmit dhe të integrimit. Dy linja, diametralisht të kundërt, duket të përplasen politikisht e ideologjikisht: i) linja e forcave demokratike, që synon demokratizimin e mëtejshëm të vendit e të shoqërisë me orientim drejt BE e NATO dhe; ii) linja e forcave ultra-nacionaliste, e paqartë dhe plot dilema për të ardhmen, kryesisht e bazuar në ideologjinë e vjetër dhe nacionalizmin ekstrem. Bile linja ultra-nacionaliste ka artikuluar edhe një rreshtim me interesat ruse. SHBA dhe BE mbeten të shqetësuara për zhvillimet e ardhshme në Serbi dhe njëkohësisht, të angazhuara për ndihmuar orientimin europian e Euroatlantik të Serbisë. Sidoqoftë, momentalisht, Serbia rezulton e paqartë në udhëkryqin ku ndahen dy rrugët: i) drejt integrimit europian e Euroatlantik dhe; ii) asgjëkund.

Orientimi ultra-nacionalist, kundër rrjedhave integruese europiane e euroatlantiste

Në ditën tona do të ishte e çuditshme dhe jo largpamëse që një vend i vogël të konfrontohej me BE dhe SHBA, ndërkohë që këto dy pole përbëjnë qendrën e tërheqjeve integruese europiane e euroatlantike. Është për të ardhur keq, se janë pikërisht të tilla përpjekjet konfrontuese të forcave ultra-nacionaliste serbe. Alibia dhe/ose argumenti i tyre mbetet Kosova. Konkretisht, me mbështetjen e forcave ultra-nacionaliste, ish-kryeministri Koshtunica, kërkon të pengojë implementimin e pavarësisë së Kosovës, duke iu kundërvënë jo vetëm Kosovës por në thelb, BE dhe SHBA. Në fak,t përmes synimit për ndarjen e Mitrovicës, forcat ultra-nacionaliste kërkojnë të përmbysin vendimin për pavarësinë e Kosovës dhe më tej, t'i rikthehen ëndrrës së vjetër të rivendosjes së kontrollit të Serbisë mbi Kosovën. Jo vetëm për konsum të brendshëm, Koshtunica po tenton ta mbajë aktualisht Kosovën si çështjen vendimtare të Serbisë. Pengimi i implementimit të pavarësimit të Kosovës për Koshtunicën është jo vetëm përpjekje për të ruajtur pushtetin, por edhe orientim anti-integrues, anti-europian e sidomos anti-euroatlantik. Veprimet që përcaktojnë orientimin ultra-nacionalist serb rezultojnë në rezonancë me strategjinë rizgjerimit e të ringritjes së "polit rus" dhe në mënyrë më specifike, me atë të "penetrimit" të Rusisë në rajonin e Ballkanit. E thënë ndryshe, qëndrimi i forcave ultra-nacionaliste do ta kthente Serbinë në terrenin apo frontin ku do të përplaseshin rrjedhat integruese europiane e euroatlantike të rajonit e të vendeve të saj me "linjat e kuqe", pra me interesat e rizgjerimit të faktorit rus. Ndërkohë i gjithë Ballkani dhe Europa Juglindore, përveç Serbisë, janë të orientuara demokratikisht drejt BE dhe NATO.

Zgjedhje për përcaktimin e orientimit strategjik

Në realitet e ndoshta nga një analizë më e thellë do të rezultonte se në qëndrimin e presidentit serb, Tadiç, prioritar është integrimi i vendit në BE ndërkohë që çështja e pavarësisë së Kosovës mbetet për t'u vlerësuar në të ardhmen nëse është taktikë elektorale apo alibi e përkohshme. Kjo vjen nga fakti që situata elektorale që mund të rezultojë nga këto zgjedhje është vështirësisht e parashikueshme, për faktin se rezultati elektoral duket të jetë shumë i ngushtë. Në një situatë të tillë, BE do të duhet të mbështesë forcat demokratike me orientim të qartë europian, duke shpresuar në ndërtimin e një koalicioni proeuropian, të gatshëm për të firmosur një marrëveshje me BE, duke hequr njëkohësisht dorë nga çështja e pavarësisë së Kosovës. Por sondazhet e para tregojnë se Tadiç e ka të vështirë ndërtimin e një koalicioni të ri proeuropian. Për rrjedhojë nga rezultatet e zgjedhjeve mund të dalë ose një koalicion i tij me forcat nacionaliste, ose një koalicion shumë i dobët demokrat apo edhe një përzierje e tyre. Në fakt në të dy rastet e fundit, e ardhmja europiane Serbisë do të ishte problematike. Për rrjedhojë, këto zgjedhje politike përmbajnë në vetvete një vendimmarrje me natyrë strategjike për Serbinë.

Midis izolimit dhe integrimit

Serbët me votën e tyre do të duhet të marrin vendimin nëse do të vazhdojnë të ndjekin lidershipin nacionalist drejt izolimit, që rrit hendekun me Europën e Perëndimin, apo do t'i japin mbështetjen forcave demokratike, që duket se aspirojnë orientimin e vendit drejt Perëndimit. Nga ana tjetër, Europa dhe SHBA, pra perëndimi demokratik, duhet gjithashtu t'i përcjellin popullit serb mesazhin e qartë të mbështetjes për aspiratën integruese dhe, njëkohësisht, t'i tregojnë rreziqet e një zgjedhjeje të gabuar. Me sa duket është momenti që serbët duhet të zgjedhin midis "mashtrimeve të politikanëve nacionalistë" dhe "së ardhmes së tyre demokratike e europiane". Në fakt, serbët kanë vetëm një alternativë, atë të integrimit në Europë, sepse gjithçka tjetër nuk është alternativë sepse minimalisht do të çonte në izolim e harresë, pra, asgjëkund.

Ka një shpresë: Forcat demokratike, por edhe nacionaliste, pro integrimit europian

Dallimi midis forcave ultra-nacionaliste dhe atyre demokratike, në termat nacionalistë, e sidomos lidhur me çështjen e Kosovës, deri tani është i munguar. Mbetet për t'u vlerësuar në të ardhmen nëse kjo ngjashmëri e plotë ka qenë taktike apo ajo do të mbetet e qenësishme. Ndërkohë, ndryshe nga ultra-nacionalistët, presidenti Tadiç ka përcaktuar orientimin europian si elementin përcaktues të fushatës se tij elektorale. Ky është i vetmi dallim i dukshëm dhe i konsiderueshëm për një çështje madhore, që lidhet jo vetëm më te ardhmen e Serbisë, por edhe me impakt për sigurinë e stabilitetin e rajonit dhe të ardhmen europiane e euroatlantike të Serbisë. Në realitet, në zgjedhjet presidenciale, ndonëse Tadiç dhe Koshtunica bashkëndanin të njëjtin qëndrim për Kosovën, për herë të parë, Tadiç arriti të fitonte përballë kandidatit ultra-nacionalist Nikoliç, pa mbështetjen e Koshtunicës, duke përdorur fuqimisht tezën e integrimit europian. Kjo votë u lexua si një orientim i zgjedhësve në mbështetje të forcave politike që u shprehën qartësisht pro integrimit europian, pa e kushtëzuar atë me çështjen e pavarësisë së Kosovës. Diferenca, ndonëse e ngushtë, midis forcave demokratike dhe nacionalistë, ishte dhe mesa duket mbetet e ngushtë, por është cilësisht e rëndësishme, aq më tepër që Kosova me pavarësimin e saj po kthehet jo vetëm defacto, por edhe dejure, në një çështje të jashtme për Serbinë. Kjo është një shpresë që duhet mbështetur fuqimisht nga perëndimi.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML