Diel, 12 Tetor 2008 20:31:35

Lexoni versionin Print

Zgjedhjet në Maqedoni, 1 i vdekur, 7 të plagosur

Një i vdekur, shumë të plagosur, jashtëzakonisht shumë kontestime. Bllokim i procesit në shumë zona me orë të zgjatura, akuza të ndërsjella dhe mbi të gjitha, pjesëmarrje e ulët në votime. Kjo qe panorama e ditës së djeshme në Maqedoni, ku u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet u konsideruan si sprovë e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit.

Shekulli
Hene, 02 Qershor 2008 08:17:00

 

Lufta politike mes partive shqiptare solli dje shumë dhunë dhe aspak zgjedhje të rregullta

Një i vdekur, shumë të plagosur, jashtëzakonisht shumë kontestime. Bllokim i procesit në shumë zona me orë të zgjatura, akuza të ndërsjella dhe mbi të gjitha, pjesëmarrje e ulët në votime. Kjo qe panorama e ditës së djeshme në Maqedoni, ku u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet u konsideruan si sprovë e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit. Duket se qe një sprovë e humbur keqazi.

Një shqiptar humbi jetën dje nga plumbat e policisë në fshatin Haraçinë, 10 kilometra larg Shkupit, duke shënuar incidentin më të rëndë të ditës së zgjedhjeve. Policia njoftoi se qe përplasur me një grup të armatosur pasi ishte thirrur në fshat për të vendosur rendin pas lajmërimeve se aty kishte njerëz të armatosur nëpër rrugë. Fshati Haraçinë ka qenë një bazë e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë luftës guerilase të vitit 2001. Policia vuri nën kontroll fshatin, ndërsa votimet u ndërprenë. Përplasjet e armatosura plagosën edhe shtatë shqiptarë të tjerë, mes të cilëve, së paku dy prej tyre qenë të moshuar dhe mendohet se qenë kalimtarë rasti. Njëri prej të plagosurve është në gjendje të rëndë për jetën. Vetëm pak orë pas hapjes, votimet u pezulluan në shumë qendra votimi në zonën e Tetovës, Gostivarit dhe Shkupit, për shkak të incidenteve. Të dhënat e fundit flasin për një të vdekur dhe të paktën shtatë të plagosur, të gjithë këta shqiptarë. Ndërkohë policia maqedonase ka pohuar se janë arrestuar të paktën 11 shtetas shqiptarë.

Partia Demokratike për Integrim e Ali Ahmetit, në opozitë që nga viti 2006, deklaroi se të plagosurit qenë aktivistë të saj dhe se policia po vepronte nën urdhrat e rivalëve të tyre politikë. “Pavarësisht incidenteve, shqiptarët duhet të vijojnë të votojnë. Këto incidente janë pengesë për demokracinë në Maqedoni dhe dukshëm janë shkaktuar nga pala tjetër me mbështetje të policisë”,- tha ai. Komisioni Zgjedhor konfirmoi një numër të konsiderueshëm parregullsish në shumë zona, veçanërisht në pjesën shqiptare. Vetëm pas pasdrekes dhe falë ndërhyrjes energjike të ambasadorëve të huaj, situata u qetësua. Në fund, më pak se gjysma e 1.7 milionë votuesve morën pjesë në zgjedhje.

Zëdhënësi i KSHZ-së, Jovan Josifovski theksoi se pjesëmarrja e votuesve është më e madhe se ajo e zgjedhjeve të vitit 2006, kur në votime doli vetëm 42 për qind e popullatës. Kryetari i KSHZ-së deklaroi se pas orës 14 gjendja është stabilizuar në terren dhe se janë paraqitur vetëm dy incidente të vogla në rajonin e Kumanovës. “Është një vlerësim i përgjithshëm se në pjesën më të madhe të vendit, zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë korrekte dhe demokratike. Kjo më jep të drejtën të konstatoj se këto zgjedhje do të përfundojnë me vlerësimin se ishin të korrekte dhe demokratike, në pjesën më të madhe të territorit të Maqedonisë”,- deklaroi Josifovski. Burimet pohuan se deri dy orë përpara se të mbylleshin qendrat e votimit pjesëmarrja ishte rreth 46%. Sipas sondazheve zgjedhjet pritet t'i fitojë partia nacional-konservatore e kryeministrit Nikolla Gruevski. Këto zgjedhje konsiderohen si test për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO. Por BE-ja dhe SHBA u shprehën të zhgënjyer prej këtyre zgjedhjeve për shkak të shpërthimit të dhunës.

Reagimet

Ambasadorja amerikane në Maqedoni, Xhilian Milovanoviç ka shprehur keqardhje për incidentet si dhe ftoi policinë që të kryejë detyrat e saj, për të siguruar kushte për votim. Milovanoviç, gjatë vizitës në disa vendvotime në Gostivar, deklaroi se shpreh keqardhje për incidentet ku ka pasur një të vrarë dhe të plagosur. Ai kërkoi që policia të vazhdojë të kryejë detyrat e saj, për të siguruar kushte për votim.

“E inkurajoj policinë dhe besoj se ka policë që dëshirojnë që ta kryejnë me korrektësi punën e tyre dhe të mundësojnë kushte për votim. Jam e bindur se, deri në fund të ditës, ata që kanë bërë probleme, do të ndryshojnë mendimin dhe do të bëjnë punën e duhur”,- deklaroi Ambasadorja Amerikane. Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, mbasadori britanik Endrju Kid dhe ai francez, Bernard Valero, dënuan incidentet e sotme duke shprehur optimizëm për mospërsëritjen e tyre. “Dhuna dhe frikësimi nuk ka vend në shoqëritë demokratike. Kjo që po ndodh është shumë shqetësuese dhe apelojmë tek të gjithë, që të sigurojnë mundësi për votim të lirë për të gjithë qytetarët”,- deklaroi ambasadori evropian Ervan Fuere.

BOX

Topi: Nuk merret pushteti me dhunë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi ka shprehur shqetësime për situatën e krijuar në Maqedoni, ku një person është vrarë dhe disa të tjerë janë lënduar, në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

“Ne jemi kundër gjithë atyre që mendojnë se mund ta legjitimojnë pushtetin e tyre përmes dhunës”,- thuhet në komunikatën e kabinetit të presidentit Topi. Sipas kabinetit të Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, zgjedhjet janë mundësi e mirë për shqiptarët e Maqedonisë që të tregojnë se janë të vendosur të bashkëpunojnë në të ardhmen për demokracinë dhe stabilitetin e Maqedonisë.

BOX

Gruevski: Përsëritje votimesh atje ku pati incidente

Kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi dje se shpreh keqardhje për shkak të incidenteve në pjesën veriperëndimore të vendit dhe se në vendet ku janë shënuar parregullsi, do të rivotohet. “Dita e sotme është me rëndësi për Maqedoninë dhe unë do të jem më i lumtur nëse sot fiton demokracia, ndërsa gjithçka tjetër është në plan të dytë. Jam i kënaqur që në pjesën e madhe të vendit, deri në ora 14 ka pasur zgjedhje ferr dhe demokratike”,- deklaroi Gruevski pas votimit në një vendvotim në Kisela Vodë të Shkupit. Ai nënvizoi se deri në mbrëmje do të ketë rezultate që do të nxjerrin fituese Maqedoninë, ndërsa edhe në të ardhmen, populli do të vendosë se kush do të fitojë nga partitë.

Opozita

Zgjedhjet më të këqija në histori

Kryetarja e opozitës maqedonase, LSDM, Radmilla Sheqerinska deklaroi se zgjedhjet e 1 Qershorit do të mbahen mend si më të këqijat e organizuara ndonjëherë në Maqedoni, për shkak të numrit të madh të incidenteve. Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve “INA” mësohet se Sheqerinska ka theksuar se nuk ka zgjedhje, nuk ka rezultat zgjedhor që mund të arsyetojë humbjen e një jete të njeriut. “Dua të shpreh zhgënjimin tim për atë që po ndodh në Maqedoni në vitin 2008”, deklaroi Sheqerinska pas votimit në komunën Qendër. Gjithashtu Sheqerinska ftoi qytetarët që të marrin pjesë pasivisht në votime, ndërsa i kërkoi Ministrisë së Brendshme të ndriçojë incidentet dhe të dënojë aktorët e dhunës.

Arrestohen përkrahës të PDSH-së

Incidentet në zgjedhjet e djeshme në Maqedoni kanë sjellë një sërë arrestimesh nga policia, ku së fundi është arrestuar Agim Krasniqi dhe një grup prej 9 personash. Lajmi është bërë i ditur nga media maqedonase “INA” e cila komunikoi deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoni. Agim Krasniqi, nga fshati Kondovë i Shkupit, së bashku me një grup prej 9 anëtarësh janë në komisariatin e policisë, në të cilën janë duke u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjet e sotme. Sipas burimeve për Krasniqin rëndonte prej një viti një mandat-arresti. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, (UÇK) Agim Krasniqi konsiderohet një person i afërt me PDSH-në. Ministria e Brendshme nuk bën të ditur më shumë të dhëna, ndërsa mësohet se deri në orët e mesditës, numri i të arrestuarve ishte në 11 persona.





diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML