Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme shpallin fitues koalicionin qeverisës dhe PDSH-në e Thaçit
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ka nxjerrë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas KSHZ në avantazh është koalicioni VMRO-DPMNE dhe partia shqiptare PDSH. Të dhënat paraprake të 763 vendvotimeve tregojnë se VMRO-DPMNE ka fituar deri tani 63 deputetë dhe PDSH 17 deputetë. Zgjedhjet e djeshme në Maqedoni janë shoqëruar me tension, incidente të rënda, vjedhje kutish votimi dhe mbi të gjitha një i vrarë, shtatë të plagosur dhe 11 të arrestuar nga policia.
VMRO-DMNE dhe PDSH janë në krye të rezultateve paraprake të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e maqedonase e lajmeve “Mia” e cila ka bërë të ditur se rezultatet e para janë marrë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Ndërkohë burime të ndryshme nga Maqedonia pohojnë se deri tani është numëruar vetëm një e katërta e kutive të votimit. Shifrat zyrtare flasin se deri në mesnatën e djeshme janë numëruar 736 nga 2976 vendvotime. Nga të dhënat paraprake mësohet se deri tani votat më të mëdha i ka marrë “Për Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE me 56.507 vota, "Dielli - koalicioni për Evropë”me 26.510 vota, PDSH me 22.538 vota dhe BDI me 16.925 vota. Në fund të votimeve të djeshme, kryetari i KSHZ-së Jovan Josifovski deklaroi se numri total i votuesve në zgjedhjet parlamentare ka arritur në 58,34 për qind, që është rreth 3,5 për qind më shumë se zgjedhjet parlamentare të mbajtura në vitin 2006. Ndërkohë është deklaruar se rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura pas 24 orëve të fundit.
Edhe pas incidenteve të shënuara ditën e djeshme të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni VMRO-DPMNE deklaroi se në 98 për qind të të gjithë vendit votimet ishin të rregullta dhe demokratike. Sipas VMRO-DPMNE në më pak se dy për qind të vendvotimeve sipas informacioneve të KSHZ-së ka pasur parregullsi edhe atë në Saraj, Kondovë, Çair dhe Bogovinë, atje ku shumica e popullsisë është e komunitetit shqiptar. “Për dallim nga viti 2004 ku gjatë kohës së zgjedhjeve presidenciale ka pasur më shumë parregullsi dhe autoritetet e atëhershme nuk lejuan rivotim, në këto zgjedhje VMRO-DPMNE do të bëj çmos që është në fuqinë e saj që në këto vendvotime të përsëriten zgjedhjet në përputhje me ligjet e Maqedonisë, ndërsa personat që nxitën dhe ishin pjesë e incidenteve duhet të dënohen”, deklaroi Dimovski për agjencinë maqedonase të lajmeve “INA”.
Solana
“Të përsëriten zgjedhjet ku kishte probleme”
“Duhet të përsëriten zgjedhjet në zonat që sot pati probleme”, ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe sigurisë i BE-së, Havier Solana. Duke deklaruar se e ka ndjekur hap pas hapi të gjithë procesin dhe ka rikujtuar incidentet e ndodhura gjatë votimit. Solana ka bërë thirrje për qetësi dhe ka shprehur shqetësime për shkak të problemeve të krijuara në këto zgjedhje. Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve “INA” mësohet se kabineti i përfaqësuesit të lartë të BE-së deklaroi se është duke ndjekur nga afër situatën dhe është në kontakt me të gjitha partitë politike. Solana është në pritje të qetësimit të situatës dhe se sipas tij këto zgjedhje janë test për pjekurinë politike të vendin dhe do të kenë një rol të rëndësishëm në ofrimin e vendit në BE.
ODIHR
“Zgjedhjet do ndikojnë në të ardhmen evropiane”
ODIHR në Maqedoni ka reaguar mbi ngjarjet e fundit dhe incidentete rënda që kanë shoqëruar disa pika të zgjedhjeve në Maqedoni. Drejtori i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut Kristijan Shtrohal deklaroi se për dhunën nuk ka vend në proceset demokratike zgjedhore. Gjithashtu ai theksoi se kjo organizatë është e shqetësuar për incidentet dhe se me kujdes po ndjek të gjitha informacionet dhe të gjitha incidentet. “Nuk dua të komentojë se ky proces zgjedhor si do të reflektohet në aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë”, përfundoi Shtrohal.
Policia liron Agim Krasniqin
Policia maqedonase ka liruar ish-komandantin e UCK-së Agim Krasniqi i arrestuar gjatë orëve të drekës së djeshme për incidentet e ndodhura gjatë zgjedhjeve. Krasniqi është marrë në pyetje nga komisariati i policisë mbi ngjarjet e ditës së djeshme dhe më pas është liruar nga uniformat blu.
Presidenti Sejdiu bën thirrje për maturi
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka bërë thirrje partive politike në Maqedoni dhe votuesve shqiptarë e maqedonas që t'i lënë hapësirë arsyes dhe të angazhohen në ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë në vend. Ai ka thënë se ndërtimi i institucioneve në Maqedoni duhet të bëhet mbi bazën e votës së lirë të qytetarëve. Presidenti bëri thirrje që qytetarët në Maqedoni të kenë mundësinë që të vendosin me votën dhe bindjen e tyre të lirë me qëllim të hapjes së rrugës për integrime euro-atlantike. Presidenti i Kosovës në veçanti u ka bërë thirrje partive politike shqiptare në Maqedoni që të kenë kujdes të veçantë dhe të sillen me një maturi të lartë. Presidenti Sejdiu ka thënë se do të ishte e dëmshme për Maqedoninë dhe do të kishte reflektime negative edhe më gjerë, në rast të zhvillimit të një konkurrence, siç tha, joluajale.