Ish-lideri i serbëve të Bosnjes ka përmendur kërcënimet kundër tij dhe gabimet në zbatimin e procedurave
HAGË- Ish-lideri politik i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç i kërkoi Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë anulimin e procesit të tij. Në një kërkesë të tij që u bë publike dje nga mediat, Karaxhiç ka përmendur kërcënimet kundër tij dhe gabimet në zbatimin e procedurave. ''Shkelja e procedurave dhe mosrespektimi i të drejtave të mia, këto janë çështjet që duhet të bëhen të qarta para vazhdimit të këtyre procedurave kundër meje'', tha Karaxhiç. Karaxhic deklaroi publikisht se nuk shpreson se do të ketë një gjyq të drejtë ndaj tij.
Në ankesën prej tre faqesh të publikuar në media, Karaxhic thotë se prezumimi i pafajësisë në rastin e tij është shndërruar në një shaka nga ajo qe quajti demonizimi i medias. Ankesa e Karaxhic lëshohet pak ditë pasi të zhvillohet seanca e dyte gjyqësore ndaj tij në Hagë. Pikërisht ditën e premte, Karaxhicit do t’i kërkohet të deklarohet i fajshëm ose i pafajshëm për 11 akuzat ndaj tij.
Pak ditë më parë Gjykata e Hagës për Krime Lufte vendosi që procesi gjyqësor kundër liderit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhic të drejtohet nga një gjykatës i ri. Tribunali tha se ky vendim është marrë pasi prokurorët kanë informuar gjykatën se nuk e kanë ndërmend që të kombinojnë më tej rastin e Karaxhic me raste tjera siç e kishin planifikuar fillimisht. Radovan Karaxhic u arrestua më 18 korrik të këtij viti pas 10 vitesh kërkimesh teksa udhëtonte në një autobus në Beograd. Lajmi për arrestimin e tij u publikua më 22 korrik të këtij viti. I veshur me një identitet të ri, (që tashmë vështirë të njihej) i dobët, me një mjekër të gjatë të bardhë dhe flokë të dendur Karaxhic kishte jetuar dhe punuar si mjek në periferi të Beogradit.
Në përballjen e parë me gjykatësit, Karaxhic e quajti gjuetinë ndaj tij, thjesht farsë. Disa ditë pas arrestimit të tij, në datën 30 Korrik, Beogradi e dorëzoi atë në Hagë. Karaxhiç do të ballafaqohet me 11 akuza për krime lufte, përfshirë: gjenocidin, vrasjet dhe aktet jonjerëzore të kryera gjatë luftës në Bosnje, në vitet 1992-1995. Ai kërkohej nga drejtësia ndërkombëtare sidomos sepse bashkë me gjeneralin Ratko Mlladiç, ish-shef ushtarak i serbëve të Bosnjës, nxiti gjenocidin në Srebrenicë (në lindje të Bosnjës), ku në korrik 1995 u eliminuan rreth 8.000 burra muslimanë, e cilësuar kjo si masakra më e keqe në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.