Kryeministri i Kosovës i përgjigjet kritikave që iu bënë qeverisë për mungesë lobimi në vendet e botës arabe
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se rruga e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, kalon nëpërmes Brukselit dhe Ëashingtonit dhe jo nëpërmes adresave të dyshuara. Kështu i përgjigjet kryeministri, Thaçi, shumë kritikave që iu bënë qeverisë për mungesë lobimi në vendet e botës arabe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në konferencën ndërkombëtare që u zhvillua në Prishtinë, me temën "Kosova dhe bota arabe", intelektual të shumtë nga vendet e botës arabe, por edhe nga Kosova, thanë se Kosova realisht nuk po zhvillon politikë të jashtme të mirëfilltë dhe kjo është njëra ndër arsyet se pse vendet e botës arabe akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
"Gjithmonë në jetën time kam qenë optimist për Kosovën dhe jam super optimist për të ardhmen e vendit tonë për t’u integruar në NATO dhe BE . Për të ardhmen e Kosovës nuk do të ketë ngrirje, por do të ketë vetëm optimizëm dhe perspektivë integruese dhe zhvillim ekonomik", thotë kryeministri Thaçi. Njëri ndër më të zëshmit, që kritikoi qeverinë për mungesë lobimi për pavarësinë e Kosovës në vendet arabe, ishte publicisti Veton Surroi. Ai thotë se në procesin e njohjes së pavarësisë nuk duhet anashkaluar bota arabe. "Kosova i përket në formë të natyrshme Perëndimit, por ajo përkatësi nuk e mohon e as përjashton influencën e islamit, që ka lënë mbresa në vendin tonë", thotë Surroi.
Por kryeministri, Hashim Thaçi, thotë se Kosova është e orientuar nga Perëndimi. " Kosova ka vizion të qartë dhe rruga e Kosovës kalon përmes Uashingtonit dhe Brukselit, e jo përmes adresave të dyshuara", deklaroi Thaçi. Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur deri tani 46 vende të botës, shumica nga Perëndimi. Pavarësia është njohur edhe nga 6 vende pjesëmarrëse aktive në konferencën islamike, por atë nuk e ka njohur asnjë vend nga bota arabe. Janë 57 shtete të konferencës islamike dhe që të gjitha anëtare të OKB-së. Sipas analistëve, Kosovës në këtë fazë i nevojitet një numër sa më i madh i vendeve që njohin pavarësinë e saj, në mënyrë që në të ardhmen të mund të jetë më lehtë anëtare e OKB-së.
Gjatë ditës së djeshme Thaçi ka reaguar edhe ndaj fillimit të bisedave UNMIK-Beograd duke thënë se nuk do të implementohet asnjë vendim për Kosovën pa pëlqimin e qeverisë së tij. Këto biseda që kanë synim zgjidhjen e problemeve të serbëve të Kosovës. Qeveria serbe nuk pranon të diskutojë me autoritetet kosovare, por vetëm me UNMIK-un. Zv-shefi i UNMIK-ut, Nikolas Hajson, qëndroi të hënën në Beograd, ku takoi ministrin për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe asnjëri nuk dha ndonjë prononcim për media. Mediat serbe njoftojnë se në takim është biseduar për policinë, gjyqësinë doganat dhe për menaxhimin e vijave administrative në vendbanimet serbe. Këto pika janë përmendur edhe në planin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, për të cilin proces duhet marrë edhe mendimi i Beogradit. Mirëpo, kryeministri, Hashim Thaçi, thotë se autoritetet ndërkombëtare në Kosovë duhet ta respektojnë Kushtetutën e vendit, sepse alternativë tjetër nuk ka. Kryeministri Thaçi, thotë se Prishtina zyrtare është e gatshme të bisedojë, por jo të negociojë me Beogradin për shumë çështje që i lidhin të dyja vendet. Këto bisedime, në të ardhmen, sipas kryeministrit mund të zhvillohen vetëm në cilësinë e dy vendeve fqinj.