Shteteve të Ballkanit u kërkohet bashkëpunim më i mirë në këmbim të “biletës” për të hyrë në BE
Evropa Juglindore, në udhëkryq mes dinamikës së brendshme dhe mbështetjes nga jashtë! Në Dubrovnik u zhvillua konferenca e 10-të e parlamentarëve, nismë e Ministrisë së Jashtme gjermane dhe fondacionit "Friedrich Ebert". Bashkëpunimi i suksesshëm rajonal është bileta për në BE, kjo është kërkesa e BE-së, në adresë të shteteve të Ballkanit perëndimor, të cilët shpresojnë të pranohen sa më shpejt në union.
Kusht për pranimin, ndër të tjera, është bashkëpunimi i parlamenteve në rajon. Qëllimi: Shkëmbimet bilaterale duhet të ndihmojë në forcimin e legjislativit. Parlamentet në këto vende, janë jo rrallë si makineri miratimi, që shpesh herë nuk mund t´u kundërvihen udhëheqjeve shtetërore, që drejtojnë në mënyrë autoritare.
Legjislativi, i dobët
"Funksioni i kontrollit të parlamenteve vazhdon të jetë i zbehtë."- nënvizon konsulentja për politikën, Petra Bles (Bläss), e cila, e ngarkuar nga fondacioni "Friedrich Ebert", analizon situatën në parlamentet e vendeve të Evropës Juglindore. Shumë pak parlamente përfshihen në axhendën e temave për opinionin. Përveç kësaj, lë për të dëshiruar pajisja e komisioneve parlamentare me personel dhe mjete financiare, gjë që ua a vështirëson punën deputetëve. Deputetët nuk kanë mundësi të kontrollojnë buxhetin e shtetit.
Imazh i keq i parlamenteve
Pasoja është që kudo, deputetët ankohen për imazhin e tyre në opinion. Ndonëse një sërë debatesh të rëndësishme parlamentare transmetohen nga televizionet, qytetarët mbeten të privuar nga dobia e vërtetë e përfaqësimit të popullit nëpër kuvende. Shpesh herë, nuk bëhet e qartë, përse qytetarët përfitojnë nga puna e parlamentarëve. Në vend të kësaj, shumë deputetë bien pre e dyshimit kolektiv për korrupsion.
Ish-ministri i shtetit pranë Ministrisë së Jashtme gjermane, Kristof Cëpel (Christoph Zöpel), mendon se dietat e ulëta mund të jenë edhe një arsye vendimtare për tendencën e ndonjë deputeti për të "siguruar burime të tjera financiare". Kjo ndodh në radhë të parë, sepse pas fundit të mandatit, shpesh herë, ata e humbasin profesionin që kanë pasur para se të ishin deputetë, e kësisoj rrezikohen në aspektin social. Cëpel kërkon si rrjedhojë, që të rriten pagat e deputetëve, në mënyrë që të forcohet pavarësia e tyre dhe të luftohet mungesa e besimit në popull.
Mungesë e vullnetit politik për bashkëpunim
Edhe bashkëpunimi bilateral midis parlamenteve të vendeve të rajonit, gjë që kërkohet nga BE-ja, nuk funksionin në mënyrë efikase ashtu siç dëshirohet. Përpara një viti e gjysmë, u ndërmor një nismë e parlamentarëve, në të cilën u bashkuan, në një forum, komisionet parlamentare për Evropën për të diskutuar mbi afrimin në BE.
Por qëkurse kryesimin e kësaj nisme e morri përsipër Mali i Zi, nuk është zhvilluar asnjë takim. Mungon vullneti politik dhe arsyeja, që parlamentet rajonale mund të përfitojnë nga shkëmbimi midis tyre, mendon Vladimi Dançev, që drejton në Sofje "Sekretariatin rajonal për bashkëpunimin parlamentar". Shpesh herë, kjo formë e bashkëpunimit rajonal ka pasur një funksion alibi, sa për t´u dukur sikur po vihen në vend kërkesat e BE-së. Ekziston një mendim i tillë, që nëse parlamentarët bashkëpunojnë në nivel rajonal, atëherë më mirë me parlamentet, që ndodhen në Bashkimin Evropian, se sa me fqinjët direktë në rajon.
Në fakt ka mjaft tema, që mund të rregullohen në nivel ndërkufitar dhe prej këtyre zgjidhjeve mund të përfitojnë të gjithë qytetarët e rajonit. Një prej sektorëve është rrjeti i qarkullimit rrugor, që duhet të zgjerohet, urgjentisht, në këto vende. Deputeti i Bundestagut gjerman me orgjinë kroate, Josip Juratoviç, jep si shembull kushtet e rrugëve në Bosnje-Hercegovinë: Duke bërë krahasimin që Bosnje-Hercegovina është një vend shumë më i vogël se Gjermania, udhëtarëve u duhet të përgatiten për një ditë rrugë për të shkuar p.sh., nga Srebrenica në Sarajevë.