Kancelarja gjermane jep garanci se kursimet që ruhen në bankat e Gjermanisë nuk janë aspak në rrezik
Në një shenjë tjetër të zgjerimit të impaktit të krizës financiare, qeveria gjermane ka bërë të ditur se jep garanci për gjithë llogaritë bankare të kursimeve që janë private. Një zëdhënës i ministrisë së financave tha se garancia është pa kufi. Kancelarja, Angela Merkel tha në një konferencë për gazetarë në Berlin se qeveria duhet të sigurojë ata që kanë kursime se paratë e tyre janë të sigurta.
Një garanci e ngjashme e bërë nga qeveria irlandeze javën e kaluar provokoi zemërim në mes partnerëve evropianë. Ata e akuzuan Irlandën se po i jepte avantazh bankave të veta. Njoftimi në Gjermani përkoi me disa bisedime urgjente të mbajtura për të parandaluar rënien e një prej bankave më të mëdha në dhënie të kredive të shtëpive, Hypo Real Estate. E njëjta situatw paraqitet edhe në Britani ku qeveria thotë se është e përgatitur të ndihmojë banka të tjera britanike që mund të kenë vështirësi, ndërsa Britania bie në recension për herë të parë që nga fillimi i viteve -90.
Në një intervistë për BBC-në, kancelari Alistair Darling tha se qeveria do të ndërmarrë hapa të mëdhenj të rëndësishëm që nuk do t'i kishte marrë në kohë të tjera. Qeveria ka ofruar garanci deri më tani për depozita në dy banka që patën probleme si Northern Rock dhe Bradford e Bingley. Por zoti Darling tha se i kishte rezistuar thirrjeve për të rishikuar objektivat e inflacionit dhe për të ndërhyrë në bankën qëndrore, Bankën e Anglisë për ta detyruar atë të ulë shkallët e interesit.