Flet përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Prishtinë, Pieter Feith
Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë i bën thirrje Beogradit të heqë dorë nga kundërshtimi i tij sa i përket shtrirjes së EULEX-it në Kosovë. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, thotë se kundërshtimi i Beogradit ndaj EULEX-it nuk i kontribuon rrugës së Serbisë drejt BE-së.
Serbia nuk mund t'i ofrohet Bashkimit Evropian duke kundërshtuar shtrirjen e misioneve të këtij mekanizmi në tërë territorin e Kosovës, sepse pavarësia e Kosovës është proces i përfunduar, i pakthyeshëm dhe i mbështetur nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.
Kështu tha Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Prishtinë, Pieter Feith, gjatë një debati të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, ku u diskutua për Kosovën e passtausit, politikën e jashtme dhe për vendin e saj në diplomacinë botërore.
Me gjithë kundërshtimet e Beogradit zyrtar dhe të serbëve lokalë për shtrirjen e misionit për sundim të ligjit dhe polici të Bashkimit Evropian nëpër Kosovë, Feith ritheksoi nevojën e funksionalizimit sa më të shpejtë të EULEX-it në vend. Ai po ashtu garantoi se Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë është e gatshme të luajë rolin që i është dedikuar me planin e presidentit Ahtisaari.
"Në këtë fazë duhet t’u bëhet e qartë miqve tanë serbë se nuk do të jetë e mundur për Serbinë t'i ofrohet institucioneve të Bashkimit Evropian, duke shkaktuar probleme dhe pengesa sa i përket angazhimit të EULEX-it. Me fjalë të tjera, EULEX-i duhet të funksionalizohet paralelisht me hapa të tjerë, që konsiderohen si ndihmësë për Serbinë drejt BE-së", tha Feith.
Përveç kundërshtimit të shtrirjes së misioneve të BE-së në Kosovë, Serbia kohë më parë ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara një rezolutë, sipas së cilës, i kërkohet Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë të shprehet për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Feith e cilësoi legjitime, por jo edhe ndihmëse për Qeverinë serbe një kërkesë të këtillë.
"Iniciativa për t'i kërkuar një mendim këshillues Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, iniciativë kjo e cila do të shqyrtohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së brenda kësaj jave, është legjitime, sepse çdo anëtar i OKB-së mund t’i referohet Asamblesë me kërkesat e tij, por nuk do të jetë ndihmëse në kontekstin aktual në të cilin jemi”.
“Nuk do të jetë ndihmëse as për aspiratat e Beogradit për t'iu ofruar institucioneve të BE-së, duke pasur parasysh se shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë njohur pavarësinë e Kosovës", shtoi ai.
Duke folur për politikën e jashtme të Kosovës dhe veprimet e saj në rrafshin global sa i përket lobimit për njohje të shtetit, publicisti Veton Surroi hodhi një lum kritikash ndaj udhëheqësve të institucioneve shtetërore të Republikës. Ai tha se rruga e deritanishme e Kosovës në ndërtimin e politikës së jashtme ka qenë e shkurtër dhe joproduktive.
Ai e quajti të papërfunduar shtetin e Kosovës për tri arsye.
"Kosova është shtet i papërfunduar në tri segmentet kyçe të ekzistencës: tërësia tokësore e vendit është e rrezikuar që nga dita e parë e pavarësisë me ndarjen de facto të një pjese të territorit të shtetit; dy, pavarësia e Kosovës është e kontestuar dhe ende nuk ka krijuar legjitimitetin e plotë ndërkombëtar, pra ende jemi në përpjekje e sipër për të rrumbullakuar legjitimitetin tonë ndërkombëtar; dhe tre, formula e pavarësisë së mbikëqyrur ende nuk ka hyrë në funksion", theksoi ai.
Kosova vazhdon të ballafaqohet me një mori problemesh që kanë të bëjnë me politikën e brendshme, por edhe atë të jashtme. Ndikimi i Beogradit mbi serbët lokalë dhe kundërshtimi ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës kanë shkaktuar shumë sfida për institucionet e vendit sa i përket menaxhimit të politikës brenda, por edhe jashtë Kosovës.Edona Peci (REL)
Opozita në Kosovë kërkon të caktohet datë zgjedhjesh
Opozita në Kosovë kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të lira në nivelin qendror qysh vitin e ardhshëm. Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se data e zgjedhjeve duhet të caktohet qysh tash, pasi në Kosovë tani është krijuar një realitet i ri, duke rikujtuar se mbajtja e zgjedhjeve nëntë muaj pas tranzicionit kërkohet edhe me planin e Ahtisaarit.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se i kupton edhe kërkesat që vijnë nga opozita. Por, sipas tij, kjo çështje duhet të shtrihet në një debat të gjerë me spektrin politik.
Bazuar në mandatin e zgjedhjeve të fundit, institucionet në nivelin lokal kanë mandat deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, kurse ato në nivelin qendror deri në fund të vitit 2011. Por, opozita thirret edhe në një nen të pakos së Ahtisaarit, i cili kërkon që pas kalimit të tranzicionit, Kosova të shpallë zgjedhjet e lira në një afat prej nëntë muajsh.
Vendimin definitiv se a do të ketë apo jo vitin tjetër zgjedhje në nivelin qendror, do ta ketë edhe interpretimi i pakos së Ahtisaarit nga ana e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare.