Forcat tokësore futen në pjesën veriore dhe jugore. Përkeqësohet gjendja humanitare
Rrugët e Gazës, gjatë gjithë ditës së djeshme, dukeshin thuajse si të vdekura. Nga ajri gjëmonin helikopterët e ushtrisë izraelite, të cilët, herë pas here, pa ndërprerje, lëshonin raketa. Sipas të dhënave palestineze avionët luftarakë kryenin sulme çdo 20 minuta. Dëgjoheshin edhe të shtëna artilerie.
Disa palestinezë, megjithatë detyroheshin të largoheshin nga shtëpia, bëhet e ditur. Ata kanë nevojë të furnizohen me ushqime. Ka pamje me radhë të gjata para një dyqani buke. 15 minuta pas orës 12 në mesditë, edhe rruga kryesore e dyqaneve të Gazës u godit prej ushtrisë izraelite, shumë civilë gjetën vdekjen dhe shumë u plagosën.
Pavarësisht nga numri i madh i viktimave në radhët e civilëve, Presidenti izraelit, Shimon Perez, përbetohet se Izraeli nuk do të bëjë luftë kundër palestinezëve në Gazë, por vetëm kundër organizatës militante Hamas. Sulmeve të radikalëve palestinezë ndaj qyteteve izraelite duhet t´u jepet fund, deri tani këto përpjekje nuk kanë pasur sukses. Por, nobelisti i paqes, Perez, thotë se drejtësia është në anën e Izraelit. “Ne kemi armën më të fortë në botë, drejtësinë".
Ushtria izraelite, të dielën vuri nën kontroll akset kryesore rrugore në Rripin e Gazës, duke e ndarë faktikisht atë në dy rajone. Tanket dhe këmbësoria, sipas të dhënave të dëshmitarëve okularë, depërtuan deri në ish-vendbanimin hebre Netzarim, në brendësi të vijës bregdetare palestineze.
Në këtë zonë ushtria bllokoi lidhjen mes veriut dhe jugut të Rripit të Gazës, rrugën Salahedin. Në veri të vijës bregdetare dhe në disa lagje periferike të Gazës ka pasur luftime mes palestinezëve të armatosur dhe njësive izraelite, njoftojnë të dyja palët. Ushtria deklaron se ajo ka në shënjestër strukturat e komandës së Hamasit. Një komandant i Hamasit u plagos dhe një tjetër militant gjeti vdekjen gjatë një sulmi me destinacion të qartë.
Sipas të dhënave të mjekëve palestinezë viktimat janë kryesisht nga radhët e popullsisë civile. Për mjekët nëpër spitale puna është shndërruar në torturë. Ata nuk janë në gjendje të marrin veten, sepse vazhdimisht sillen në spital të plagosur të rinj. Një nga problemet më të mëdha janë parregullsitë në furnizimin me energji, thotë shefi i spitalit Shifa, Hasan Kalaf. “Ne jemi në varësi të plotë të gjeneratorëve. Këta gjeneratorë konsumojnë shumë naftë.
Por, sikur të mos mjaftojë vetëm kaq, nëse prishet një gjenerator prej sulmeve, ky do të ishtenjë krim i vërtetë. Unë i shoh sulmet direkte që nga spitali. Ne kemi të paktën 72 persona në pavijonin e reanimacionit. Kemi në spital 30 bebe, 12 salla operacioni dhe shumë të plagosur rëndë. Të gjithë këtamund të vdesin nëse nuk kemi energji elektrike”. Në këtë konflikt, as Hamasi, duke iu përkushtuar ideologjisë së vet, nuk merr parasysh gjendjen e civilëve.
Organizata deklaroi se operacioni është ende në fazën fillestare. Luftëtarët e saj janë nëpër pozicione dhe përpiqen të pengojnë depërtimin e ushtrisë izraelite. Askush, përveç ushtarakëve, nuk e di në këtë moment se sa e fortë është në të vërtetë rezistenca e palestinezëve të armatosur.
Ministria izraelite e Mbrojtjes, të dielën në mbrëmje vuri në dukje se deri tani ka gjetur vdekjen një ushtar dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa një tjetër lehtë. Në përgjithësi jam i kënaqur me operacionin, vuri në dukje ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak. “Ofensiva e këmbësorisë po ecën sipas planifikimit. Ajo nuk do të jetë e lehtë. Aksioni do të shtrihet dhe do të thellohet, siç e kam thënë, deri në atë masë sa të jetë e nevojshme”.
Në Jordanin Perëndimor, të pushtuar dhe të rrethuar sërish, qindra palestinezë demonstruan nëpër rrugë kundër ofensivës së qeverisë izraelite në Gazë. Ushtarët izraelitë vranë një palestinez. Ai bënte pjesë në një grup palestinezësh që qëllonin me gurë. Një polic kufiri u plagos gjatë përleshjes me palestinezët.
Politikani palestinez Erekart paralajmëron nga rreziku i shkallëzimit të situatës:“Izraelitët nuk mund të besojnë se siguria dhe paqja mund të arrihen në këtë mënyrë. Këto veprime çojnë vetëm në ashpërsimin e gjendjes, dhuna dhe kundërdhuna forcon ekstremistët”.
Izraeli nuk ndalon sulmet mbi Gazën
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, thotë se Hamasi ka pësuar një goditje të fuqishme gjatë luftimeve në Gazë dhe do të vazhdojë derisa Izraeli të përmbushë objektivat. Ai po fliste në kohën që një delegacion i nivelit të lartë i BE-së po zhvillonte bisedime me Presidentin egjiptian, Hosni Mubarak dhe ministren e Jashtme izraelite, Tzipi Livni, në përpjekje për të lehtësuar krizën.
Në Gazë, nënkryeatari i zyrës politike të Hamasit, Musa Abu-Marzuq, tha se iniciativa duhet të procedohej në bazë të ndaljes së operacioneve ushtarake të Izraelit dhe bllokadës në Rripin e Gazës. "Ne duam që agresioni dhe rrethimi të ndalë dhe të hapen pikëkalimet, në mënyrë që njerëzit të mos jenë më të ekspozuar ndaj kësaj vdekjeje të ngadaltë".
"Këto janë dy pika, mbi të cilat duhet të mbështet çdo veprim politik apo diplomatik që ka lidhje me Gazën",- tha zëdhënësi i Hamasit. Njoftimet nga Rripi i Gazës bënë të ditur se numri i viktimave vazhdon të rritet në spitalet e tejmbushura të territorit, teksa Izraeli vazhdon operacionin ushtarak për të dhjetën ditë.
Ministria palestineze e Shëndetit tha se të paktën 90 vetë janë vrarë që kur Izraeli filloi ofensivën nga toka ditën e shtunë. Rreth 20 fëmijë dhe katër punonjës të ambulancës janë në mesin e të vrarëve. Ministria tha se shumica e viktimave ishin civilë që ishin strehuar në shtëpitë e tyre. Ata përfshijnë edhe një familje me shtatë anëtarë, shtëpia e të cilëve ishte goditur nga një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Beach. Burimet izraelite thonë se rreth 4000 trupa këmbësorie janë brenda Gazës dhe ato janë të mbështetura nga tanke.
Situatë e rëndë
Një zëdhënës i Agjencisë së OKB-së për ndihmën, UNRWA thotë se kishte nevojë urgjente për më shumë ushqime dhe se furnizimet mjaftonin vetëm për 48 orë. Burime palestineze thanë se mungesa e gazit dhe elektricitetit do të thotë se prodhohet më pak bukë. Izraeli thotë se ka lejuar një autokolonë humanitare prej 80 kamionësh që të kalojnë përmes kufirit jugor të Gazës.
Burimet palestineze mjekësore thonë se numri i personave të vrarë që prej fushatës ushtarake është mbi 500 vetë. Ndërsa në Izrael janë vrarë pesë vetë, katër prej të cilëve nga një raketë palestineze.
Diplomaci intensive
Një delegacion i nivelit të lartë nga Bashkimi Evropian zhvilloi bisedime me Presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, në përpjekje për të zgjidhur krizën në Gazë. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana, që ishte i pranishëm në takimin në Sharm el-Sheikh, tha se shpresonte që të arrihej shpejt një armëpushim.
Një delegacion i BE-së zhvilloi bisedime edhe me ministren e Jashtme izraelite, Tzipi Livni. Lideri i misionit të BE-së, ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, tha se BE-ja kërkonte një armëpushim sa më shpejt të ishte e mundur. Presidenti francez, Nicholas Sarkozy, shkon edhe ai në rajon në një mision tjetër. Egjipti ka luajtur një rol kyç në marrëveshjet e mëparshme mes Izraelit dhe Hamasit, por një korrespondent diplomatik i BBC-së thotë se takimet më të fundit nuk kanë shumë gjasa të sjellin rezultate të shpejta.