Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:08:09

Lexoni versionin Print

Hiqet stazhi, studentët "mal" me provime në vjeshtë

Heqja e stazhit ka dembelosur së tepërmi studentët duke sjellë edhe rënien e nivelit të tyre.

Isuf Kurtaj
Shtune, 25 Gusht 2007 09:22:00

Heqja e stazhit ka dembelosur së tepërmi studentët duke sjellë edhe rënien e nivelit të tyre. Këtë e tregon numri i madh i provimeve që kanë lënë studentët në vjeshtë. Sipas sekretarive të fakulteteve numri i studentëve në vjeshtë është dyfish më i madh se në vitet e mëparshme. "Nëse deri vjet studentët e mirë linin një provim për vjeshtë, nga heqja e stazhit studentët e mirë lënë të paktën dy provime", thonë burimet nga sekretaria e fakultetit të Punëve Sociale. Gjendja është po kaq alarmante edhe në fakultet e tjera, ku studentët pritet t'i nënshtrohen provimeve të vjeshtës. Profesori dhe kritiku i njohur i artit, Adriatik Kallulli, thotë se heqja e stazhit është turpi më i madh që i kanë bërë ndonjëherë arsimit të lartë. Sipas tij heqja e stazhit vetëm se dëmton studentin, duke sjellë vetëm disavantazhe, dhe kjo thekson ai tregohet qartë në numrin e lartë të provimeve që kanë lënë për vjeshtë.

Anomalia

Profesor Kalluli e cilëson heqjen e stazhit si tepër negative, pasi studentët me idenë se mund të mbartin më shumë se 7 provime në vjeshtë, bëhen më neglizhentë. Ndërsa vetë studentët, shprehen se kjo gjë do t'i ndihmojë të lehtësohen pak nga ngarkesa e vitit akademik, por edhe të kenë mundësinë të përmirësojnë shumë nga notat. "Kam plotë 6 provime për vjeshtë dhe s'di si do t'ia bëj, se dy prej tyre i kam të mbartur nga viti i parë", shprehet Landi, studenti i tretë i Arkitekturës. Gjithsesi për shumë prej tyre, ky rregull i ri do të thotë më shumë liri dhe më pak 'kokëçarje'. Me gjysmë zëri pedagogët shprehen se ndoshta kjo nuk është një lëvizje e menduar mirë. Por megjithatë nuk është e lehtë të pretendosh të marrësh më shumë se 4 provime të gjitha njëherësh. "Kjo do të thotë që do të jem më e qetë, - shprehet Ela Brovina, studente e juridikut, e cila ka ardhur për të parë nëse kanë dalë datat e provimeve të vjeshtës. Mund të marr fillimisht lëndët më të vështira, dhe për në vjeshtë mbeten për t'u marrë ose dhe për t'u përmirësuar, lëndë që për mua janë të dorës së dytë." Por nga ana tjetër duhet llogaritur dhe kostoja e një sezoni të ngarkuar me provime vjeshte që do të jetë njësoj i ngarkuar si sezonet normale të provimeve. "Në fund të fundit mbeten provime, por në këtë rast gjërat lehtësohen, - ndërhyn një student. Pasi datat e provimeve shpesh janë shumë pranë njëra-tjetrës dhe koha në dispozicion nuk është e mjaftueshme për një përgatitje të mirë. Por nëse do i pyesnim se kur kanë filluar të studiojnë për provimet e vjeshtës, përgjigja do të ishte 'unanime' pas pushimeve të verës. Që do të thotë se koha në dispozicion për studime, nuk është një nga elementët në qendër të vëmendjes së studentëve, që janë zgjedhur këtë rast në bazë të përgatitjes së tyre në shkollë të mesme, e mesatares, për të vazhduar studimet e larta. Të ulur në shkallët e fakultetit dhe lokaleve pranë tij, duket se ajo që ka më rëndësi tani është të mbledhin veten nga pushimet dhe të fillojnë rifreskimin e njohurive.

Sezoni

Sezoni i provimeve të vjeshtës në këtë fund gushti i ka lënë studentët ca orë më shumë pa gjumë. E ndenjura mbi libra, këshillime pa fund me profesorët dhe shokët janë mënyrat me të cilët studentët mundohen ta kalojnë stresin e provimeve të shumta të vjeshtës. Studentët në provimet e vjeshtës janë mëse të stresuar, pasi një pjesë e mirë e tyre kanë shumë provime, më tepër se vitin e kaluar. "Problemi është se studentët i lënë mësimet për në fund dhe nuk merren me to seriozisht gjatë vitit, shton Landi, duke fajësuar edhe vetën. Nëse studentët do të punonin rregullisht, tani nuk do të kishin gjithë këtë ngarkesë dhe nuk do të ishin të detyruar të lexonin më shumë se shtatë ose tetë orë në ditë". Kjo ka ardhur sipas Landit nga mos varja e provime. Nga heqja e stazhit studentët nuk studiojnë më, si dikur sistematikisht. "Edhe në sezon provimesh, që evidentohen mbingarkesat ne nuk i marrim shumë seriozisht provimet", thotë Ela. Sipas saj, kjo do të thotë që sado të shumta të jenë leksionet, normalisht nuk duhet punuar ose studiuar më shumë se dy orë. Studentët që stresohen më shumë nga provimet janë vetëm studentët e mirë, dhe sidomos ata që duan rezultate të shkëlqyera dhe që notat u janë kthyer në mani, fiksim ose ndryshe fobi. Këta studentë, në provimet e vjeshtës kalojnë më shumë se tetë orë duke studiuar dhe janë të pakënaqur, u duket sikur nuk dinë asgjë, dhe gjatë kësaj kohe, kanë nevojë të qëndrojnë vetëm. Për pjesën tjetër të studentëve, që nuk ka mësuar gjatë vitit, studimi kthehet në stres, ndërsa karakteristikë për ta është humbja e kujtesës.

Dhe pse tashmë maturantët mendojnë se është më e vështirë për të hyrë në auditoret e universitetit, janë lehtësira të tjera ata që studentët e ardhshëm, por dhe brezat e studentëve pas vitit 2004 do të 'shijojnë'. Nëse më parë i trembeshin shumë stazhit apo formulës 3+1 të provimeve të vjeshtës, tashmë mund të rrinë të qetë dhe të shqetësohen vetëm për të hyrë në universitet.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML