Merkure, 03 Dhjetor 2008 08:56:23

Lexoni versionin Print

MASH: Librat shkollorë të blihen vetëm me pullë sigurie

Sipas burimeve zyrtare të MASH-it pulla e sigurisë do t’i japë fund tregut të zi. Ulen çmimet e librave me 17 %

Eglantina Bardhi
Diel, 02 Shtator 2007 08:23:00

Librat shkollor do të shiten me pullë sigurie në mënyrë që blihen nga nxënësit me çmimin që ka vendosur Ministria e Arsimit. Kështu për herë të parë do të shmanget shitja e librave shkollorë në tregun e zi, siç ka ndodhur vitet e kaluara. Këtë e bëjnë të ditur burime zyrtare të MASH-it, të cilët theksojnë se nxënësit nuk do të lejohen në shkolla nëse nuk kanë në libra pullën e sigurisë. Ndërkohë u bë e ditur se MASH-i ka ulur me 17 për qind çmimin e teksteve dhe se nxënësit do të kompensohen pasi t'i kenë blerë ato.

Pulla dhe Kompensimi

Prindërit apo nxënësit duhet të blejnë tekstet sipas çmimit të librit, dhe vetëm pasi të kenë verifikuar praninë e pullës së sigurisë. Kështu shprehen burime zyrtare pranë MASH-it, sipas të cilëve në shkolla nuk do të lejohen tekste pa pullë sigurie. "Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT), pranë MASH-it, njofton se këtë vit për të blerë tekste shkollore të arsimit parauniversitar prindërit dhe nxënësit duhet të drejtohen pranë shkollave të tyre, ku do të informohen se cilat tekste duhet të blejnë dhe pikën  e shitjes",- pohojnë burime zyrtare, duke shtuar se listat me tekstet dhe çmimet përkatëse janë tashmë të afishuara në çdo shkollë. Gjithashtu bëhet e ditur se këtë vit në shpërndarjen e teksteve shkollore subvencioni do t'u kalojë direkt përdoruesve, pra prindërve dhe nxënësve. Nxënësit sipas burimeve zyrtare për çdo paketë tekstesh të blerë duhet të tërheqin një faturë. Më pas vetëm pas dorëzimit të kësaj fature, ata do të kompensohen nga Drejtoria Arsimore Rajonale për çdo tekst të blerë, sipas subvencionit përkatës. "Së shpejti do të dalë edhe udhëzimi i përbashkët mes MASH-it dhe Ministrisë së Financave për subvencionin e teksteve shkollorë për këtë vit. Por paraprakisht mund të themi se çmimi i teksteve këtë vit është ulur me 17% të çmimeve të referencës",- pohojnë burime zyrtare të MASH-it.

Tekstet alternative

Në vitin shkollor 2007-2008 do të jenë prezent në tregun shkollor 155 tekste alternativë nga 23 tekste që u miratuan vitin e kaluar, që ishte edhe viti i parë i Altertekstit. Sipas burimeve zyrtare të MASH-it 28 shtëpi botuese paraqitën 234 tekste dhe prej tyre u miratuan 130 tekste. Sipas tyre, në korrik ka përfunduar edhe përzgjedhja e teksteve alternativë nga mësuesit e lëndëve dhe se aktualisht po bëhet dorëzimi i teksteve në shkolla nga shtëpitë botuese. "Vitin e kaluar maksimumi i teksteve alternativë për një titull lënde ishte deri në tre tekste. Këtë vit ky numër arrin deri në 6 tekste për një titull lënde",- pohojnë burime zyrtare duke shtuar se këtë vit, përveç klasave të treta dhe të shtata të arsimit bazë janë pajisur me tekste alternativë edhe klasat e 4 dhe të 8, (38 tituj me tekste alternativë), si dhe 10 nga lëndët e viteve të II, III dhe i IV të arsimit të mesëm. Ndërkohë u sqarua se Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) përfundoi miratimin e ofertave te paraqitura, vlerësim i cili u krye në bazë të kurrikulës zyrtare, cilësive teknike, të çmimit, anës gjuhësore dhe shkencore dhe që u realizua nga 250 mësues, profesorë dhe gjuhëtarë.

MASH: Ja efektet kryesore të reformës së teksteve

Reformën e teksteve shkollore Ministria e Arsimit e cilëson me efekte pozitive në disa aspekte. Kështu sipas specialistëve të MASH-it, me anë të kësaj reforme është arriturpranë standardeve evropiane të cilësisë së teksteve shkollore për një cikël 3-4 vjeçar, si edhe ulja e çmimeve përkatëse në rrjedhim të konkurrencës në treg. "Përmes Altertekstit (alternativa të ndryshme të teksteve), objekt i vlerësimit a shpërblimit financiar është truri. Autorët e teksteve, krahas botuesve, janë ata që përfitojnë më shumë nga kjo reformë",- pohojnë specialistët, duke shtuar se me anën e Altertekstit mësuesi bëhet vendimmarrës në përzgjedhjen e tekstit me të cilin do të punojë, dhe se kjo zhvillon edhe autonominë shkollore. "Sistemi i vjetër ofronte një gënjeshtër, pasi pohohej se tekstet në shkollën bazë ofroheshin falas, por afro gjysma e prindërve detyrohej të blinte librat jo cilësorë në treg të zi",- pohojnë burmime të MASH-it. Sipas tyre Alterteksti, që përdoret gjerësisht në Bashkimin Evropian, i jep fund kapitullit të përfolur të tenderëve me shtypshkronjat. Madje ata pohojnë se reforma e Altertekstit është përmendur në progresraportin për Shqipërinë të Komisionit Evropian të publikuar në nëntor 2006-s.

POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML