Nënkryetari i PSDSH-së, Bello, thekson se botimi i hartës ku kufijtë e Greqisë shtriheshin deri në Vlorë është një turp
TIRANË- Partia Social Demokrate ka reaguar dje ndaj publikimit të tekstit të historisë së klasës së gjashtë, në të cilin paraqitej harta e Greqisë së lashtë deri në Gjirin e Vlorës. Nënkryetari i socialdemokratëve, Pajtim Bello e ka cilësuar papërgjegjshmëri të qeverisë botimin e tekstit të historisë së klasës së gjashtë, një akt të pafalshëm duke qenë se ai përbën një shtrembërim të historisë. Sipas Bellos, kjo përbën një skandal të rëndë shtetëror dhe nuk është një gabim i autorëve, pasi teksti është miratuar nga komisioni shtetëror i Ministrisë së Arsimit. "Historia e klasës së gjashtë, që e kafshon rëndë Shqipërinë nga jugu mesa duket do t'i sjellë shqiptarëve "të vërtetën", që nuk e kanë ditur deri më sot. Dikush e quan këtë botim "skandal", dikush e quan "gabim", dikush i vendos epitete të tjera, por ne mendojmë që kjo nuk është diçka që do të kalojë kaq shpejt. Kemi të bëjmë as më shumë dhe as më pak me një skandal të rëndë shtetëror. Nuk mund të quhet gabim i autoreve, sepse ky tekst është miratuar në komisionin shtetëror të Ministrisë së Arsimit dhe është urdhëruar botimi i tij, për të dale më pas në treg.
Pra, në këtë aspekt, ne do të thoshim se ato struktura shtetërore që janë vërsulur me zell të madh kanë shkaktuar një skandal të tillë shtetëror",- tha Bello gjatë një konference për shtyp. Nga ana tjetër, nënkryetari i PSD-së vuri në dukje se, heshtja e ministrit të Arsimit dhe e kryeministrit flet më shumë sesa vetë historia gjashtë e botuar dhe e nxjerrë në treg. Në këtë drejtim, Bello tha se ministri Genc Pollo duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe kryeministri Berisha të urdhëronte zgjidhjen e përgjegjësisë shtetërore. "Në kryeministri dhe në MASH, pas këtij skandali të rëndë shtetëror, ku Shqipëria kafshohet shumë rëndë në jug, duhet të kishte rënë një tërmet i vërtetë dhe të paktën ministri duhet ta kishte dhënë dorëheqjen e tij. Gjithashtu dhe kryeministri duhej të urdhëronte zgjidhjen e përgjegjësive shtetërore dhe duhej të kishte marrë masat e duhura. Pra, nëse kryeministri dhe ministri nuk janë pjesë e këtij skandali duhet të distancohen dhe të ndajnë përgjegjësitë",- tha Pajtim Bello. Libri me hartën e Greqisë së lashtë deri në Gjirin e Vlorës, i nxjerrë në treg nga shtëpia botuese "Ideart" është tërhequr një ditë më parë nga libraritë për t'u zëvendësuar me një variant të saktë, pas publikimit të skandalit nga "Shekulli".