Dega e Turizmit nga Fakultetit Ekonomik, vendoset në Universitetin e Sarandës
Një pjesë e të rinjve që kanë kërkuar të vazhdojnë degën e Turizmit në Fakultetin Ekonomik Tiranës dhe janë shpallur fitues, shprehen se nuk mund t'i vazhdojnë studimet në këtë degë, pasi kjo është transferuar në Universitetin e Sarandës. Ata kanë kërkuar nga ministri që t'i sqarojë për këtë ndryshim në minutën e fundit, për transferimin e degës së Turizmit në qytetin e Sarandës. "Po i shkruaj një ankesë ministrit, që të më bëjë të mundur pranimin në një dege tjetër. Nuk mund të vazhdoj studimet në Sarandë",- u shpreh e mërzitur Silvia Qyqja. Kështu, një pjesë e kandidatëve me mesatare të lartë kanë hedhur madje si preferencë të parë degën e Turizmit duke e fituar atë, pasi kjo degë ishte në kuadër të Fakultetit Ekonomik.
Por vetëm pas shpalljes së rezultateve, fituesit kanë parë që kjo degë është zhvendosur nga Ekonomiku i Tiranës, në Universitetin e Sarandës. "Kam ngelur e shokuar, kur kam parë që dega Turizëm ishte në listën e Universitetit të Sarandës",- thotë Silvia Bujar Qyqja, e cila pretendon po ashtu se me pikët që ka marrë, mund të kapte edhe Gjuhët e Huaja apo ndonjë degë tjetër në Tiranë. "Kam plotë 4653.2 pikë dhe i kam të gjitha shanset për të kapur Gjuhët e Huaja, apo një degë tjetër",- thotë Silvia. E ndërsa ajo dhe bashkëmoshatarët e saj kanë ëndërruar të vazhdojnë studimet në kryeqytet, duket se kjo ëndërr nuk është realizuar dhe kjo jo për faj të tyre. "Ministria e Arsimit duhet të bënte të ditur që në fillim, që kjo degë nuk do të ishte në Tiranë dhe ne të zgjidhnim ndonjë degë tjetër",- pohoi njëri nga kandidatët.