Specialistët e MASH-it tregojnë se si kandidatët mund të kalojnë nga një preferencë e ulët në një më të lartë. Ja datat e regjistrimit për raundin e dytë
Kandidatët për student, që nuk kanë fituar në degët e dëshiruara, do të kenë edhe një mundësi tjetër për t’u hedhur nga një degë me preferencë më të ulët në një degë me preferencë më të lartë. Kështu pritet që pas raundit të parë të regjistrimeve të mbeten rreth 3 mijë vende bosh dhe vendet e lira për çdo degë do të mësohen më datë 24 shtator. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit këto vende bosh do të krijohen për arsye se maturantët përveçse në universitete publike në vend kanë aplikuar edhe në universitet e huaja, duke krijuar shanse edhe për ata që janë poshtë vijës me pikë. Ndërkohë MASH bën të ditur edhe datat për raundin e dytë të regjistrimeve, të cilat do të fillojnë më 29 shtator dhe do të përfundojnë më 5 tetor.
Vendet bosh
Kandidatë për student që nuk kanë fituar në degët e preferuara, por janë me pikë afër vijës për t’u pranuar në universitete, mund t’u paraqitet edhe një shans tjetër. Këtë mundësi do t’ua japin pikërisht kandidatët që do të largohen me studim jashtë shtetit, por që kanë konkurruar edhe në universitetet tona. Sipas specialistëve të MASH-it, ndonëse ende nuk dihet një shifër e saktë se sa do të jetë numri i vendeve bosh, që do të krijohet pas raundit të parë të regjistrimeve, ata pohojnë se nisur nga praktika e viteve të kaluara numri i vendeve të lira mbetet rreth 3 000. “Maturantët që kanë aplikuar përveçse në universitete publike dhe ne universitetet e huaja, e krijojnë këtë shans edhe për ata që janë poshtë vijës me pikë. Këto vende do të plotësohen nga kandidatët e regjistruar paraprakisht, që kalojnë nga një vend me preferencë më të ulët në një vend me preferencë më të lartë”, pohojnë specialistët e MASH-it, duke shtuar se kjo do të jetë një mundësi e mirë për disa kandidatë, të cilët do të përfitojnë në degë të ndryshme, sipas numrit të vendeve që kanë mbetur bosh.
Datat e regjistrimit
Kujdes maksimal duhet të tregojnë të gjithë kandidatët që janë afër limitit të pikëve, për të kaluar nga një degë me preferencë më e ulët në një degë me preferencë më të lartë, sepse nëse nuk regjistrohen brenda datave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit për raundin e dytë do ta humbasin këtë të drejtë. Numri i vendeve të lira pas raundit të parë të regjistrimeve do të publikohet pikërisht më datë 24 shtator. Ndërsa sekretaritë e universiteteve do të nisin regjistrimet më datë 29 shtator dhe do të vazhdojnë deri me datë 5 tetor. Oraret kur do të paraqiten kandidatët për regjistrime sipas burimeve zyrtare të MASH-it janë duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 18:00 për të plotësuar vendet bosh nga regjistrimet e para. “Duhet të theksojmë se në raundin e dytë, ashtu si në raundin e parë, duhet të respektohen datat e regjistrimeve të vendosura në dispozicion të studentëve që priten të ulen në auditorët e universiteteve, në të kundërt ata do të humbasin shansin e vetëm për të përfituar nga vendet e mbetura bosh”, theksojnë specialistët e MASH-it.
Universiteti i Tiranës
Kandidatët që janë afër vijës ndarëse dhe kuotat
Kandidatët për studentë të cilët duan të përfitojnë nga vendet e mbetura bosh nga raundi i parë i regjistrimeve duhet të jenë afër kufirit të pikëve që janë deklaruar nga raundi i parë i regjistrimeve. Kështu, për disa degë në Universitetin e Tiranës, si më i preferuari nga kandidatët për student, do të japim limitin e pikëve që ka pasur fituesi i fundit i shpallur në raundin e parë të regjistrimeve. Kështu në Fakultetin e Drejtësisë studenti i fundit ka pasur 5175.9 pikë dhe kuotat e pranimit janë 600. Ndërsa për degën Financë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë kandidati i fundit ka marrë 4943.2 pikë dhe kuotat e pranimit janë 460. “Ajo që është vënë re pas shpalljes së fituesve është fakti se në Universitetin e Tiranës janë dashur më shumë pikë se në çdo universitet tjetër për t’u shpallur fitues”, pohojnë specialistët. Ndërkohë bëhet e ditur se në Fakultetin e Mjekësisë, si një ndër më të preferuarit, kandidati i fundit në raundin e parë të regjistrimeve ka pasur 5787 pikë dhe kuota e pranimit është për 250 vende. Ndërsa për degën Stomatologjisë, edhe kjo në top-listën e më të kërkuarave, në raundin e parë të regjistrimeve kandidati i fundit ka pasur 5877 pikë dhe kuota e pranimi i është 100. e.b
Universiteti i Tiranë Kandidati i fundit në raundin e parë Kuotat
Drejtësi 5175.9 pikë 600
Mjekësi e Përgjithshme 5787 pikë 250
Ekonomik 4981 pikë 70
Financë 4943.2 460
Stomatologji 5877.2 pikë 100
Psikologji 5112.9 pikë 100
Gazetari 5214.2 pikë 50
Informatikë 5588.4 pikë 70