Sipas rregullores, provimet me zgjedhje do të zhvillohen vetëm në qytetet e DAR-it dhe ZA-ve. Privatët, në mjediset e shkollave publike
Rregullorja e Maturës
Provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të zhvillohen vetëm në qytete. Kjo do të thotë se maturantët e shkollave të fshatrave do të zhvendosen drejt qyteteve të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore. Madje edhe maturantët e shkollave të mesme jopublike do të zhvillojnë provimet në mjediset e shkollave publike. Ky është rregulli i ri në ndryshim nga viti i kaluar që përcaktohet në Rregulloren për Zhvillimin e Provimeve të Maturës Shtetërore për vitin 2008, firmosur nga ministri i Arsimit, Genc Pollo.
Rregullorja
Rregullorja e re për Maturën Shtetërore, në nenin 39, ka përcaktuar se maturantët në fshatra dhe ata të shkollave jopublike nuk do t’i zhvillojnë provimet pranë shkollave të tyre. Kështu, në rregullore thuhet se, Komisioni i Maturës Shtetërore (KMSH) e Drejtorive Arsimore Rajonale (DAR) dhe e Zyrave Arsimore (ZA) marrin masa që provimet me zgjedhje të zhvillohen vetëm në qytetet e DAR-it dhe ZA-së mundësisht në mjedise të mëdha dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas rregullores. “Komisioni i Maturës Shtetërore njofton Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore përkatëse për të lajmëruar çdo nxënës/kandidat me shkrim dhe për t’u krijuar atyre kushte lehtësuese transporti për provimet e detyruara. Gjithashtu, në rregullore bëhet e ditur se për provimet maturës shtetërore, në shkollat ku numri i nxënësve/kandidatëve është më i vogël ose i barabartë me 20, KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së grupon shkollat dhe përcakton mjediset ku zhvillohet provimi. Madje ndryshime në rregullore sa i takon zhvillimeve të provimeve të maturës janë përcaktuar edhe për maturantët e shkollave private. “Nxënësit e shkollave jopublike do t’i zhvillojnë provimet e maturës shtetërore në mjediset e shkollave publike”,- bëhet e ditur në rregullore duke shtuar se KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së pas përcaktimit të mjediseve ku zhvillohen provimet e maturës dërgon në MASH, AVA dhe KSHMSH, deri me datë 10 maj, listën e mjediseve përkatëse. Madje KSHMSH-ja duhet të njoftojë çdo nxënës për mjedisin ku ai jep provimet e maturës.
Mjediset
Rregullorja e Maturës Shtetërore, në nenin 38, ka përcaktuar mjediset e përshtatshme për provimet që duhet të plotësojnë disa kritere. Kështu, në bazë të kësaj rregulloreje, mjedisi më i vogël i përshtatshëm duhet të jetë i mjaftueshëm të pakën për 15 nxënës dhe largësia ndërmjet çdo nxënësi të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri-tjetri. “Në ditën e provimit nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin dhe nxënësit ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim”, bëhet e ditur në Rregulloren e Maturës duke shtuar që çdo mjedis që përzgjidhet për provim, duhet të ketë komunikim me rrugë automobilistike.
Provimet, miratohet formulari A1 deri më 10 shkurt
Rregullorja e provimeve të Maturës Shtetërore për vitin 2008 ka përcaktuar procedurat e aplikimit për provimet, që duket se do të jenë më të shpejta se të vitit të kaluar. Kështu, në rregullore thuhet se, Ministra e Arsimit miraton deri me datë 10 shkurt Formularin A1 (të dhënat e kandidatit dhe kërkesat e tij për provimet e lëndëve me zgjedhje). Gjithashtu, brenda kësaj date duhet të realizohet edhe udhëzuesi i Formularit A1. “AVA dërgon në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së formularët A1 udhëzues për ata dhe modelin për përmbledhjen e të dhënave nga Formulari A1”,- bëhet e ditur në rregullore.