Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:18:40

Lexoni versionin Print

MASH: "Zëvendësim psikologëve me diplomë mësuesie"

Ngrihet shërbimi psikologjik në arsimin parauniversitar. Çdo shkollë dhe kopsht do ketë psikolog

Dritan Laci
Shtune, 26 Prill 2008 08:32:00

 

Ngrihet shërbimi psikologjik në arsimin parauniversitar. Çdo shkollë dhe kopsht do ketë psikolog

Rokadë në shkolla. Mësuesit "psikologë" u lënë vendin e punës specialistëve me arsim përkatës

Fëmijët janë padyshim kontigjenti që preket më shumë nga traumat sociale të jetës së përditshme. Ata e reflektojnë gjendjen negative emocionale në çdo ambient ku ndodhen, në forma nga më të ndryshmet, duke u kthyer shpeshherë në pasqyrën e problemeve të shoqërisë dhe të familjes ku jetojnë. Këto shqetësime ata i përcjellin edhe në ambientet shkollore ku mësojnë, duke kërkuar në vazhdimësi kujdesin e specializuar të psikologëve. Deri më tani në arsimin parauniversitar këtë rol më shumë se psikologët e kanë luajtur mësuesit, të cilëve, përveç anës didaktike, u është dashur të merren edhe me problemet e ndryshme që kalojnë nxënësit. Por sado të aftë të jenë mësuesit në kuptimin apo kalimin e situatave të vështira me të cilat ndeshen gjatë orëve të mësimit, ata nuk munden të jenë gjithmonë në lartësinë e kërkuar për t'i dhënë zgjidhje problemeve me të cilat hasen. Shqetësimin për mungesën e shërbimit të psikologëve në shkolla, e kanë shprehur në prononcimet e tyre edhe mësuesit e kontaktuar nga gazeta "Shekulli". Ata thonë se në klasat ku japin mësim, ka nxënës që paraqesin probleme nga më të ndryshme, të cilët kërkojnë trajtim të kualifikuar psikologjik.

Ligjërohet psikologu

Deri më sot, shpërndarja e psikologëve në shkolla ka funksionuar vetëm në bazë eksperimentale, duke mos arritur të përmbushë nevojat e nxënësve. Kjo zbrazëti ka krijuar padyshim probleme edhe në ciklin parashkollor dhe sidomos në kopshte. Për t'i dhënë zgjidhje situatës, Ministria e Arsimit dhe Shkencave ka nxjerrë udhëzimin në të cilin thuhet se duke filluar që nga viti shkollor 2008-2009, në institucionet e arsimit parauniversitar do të aplikohet për herë të parë shërbimi psikologjik shkollor, i cili deri më tani ka funksionuar në bazë të eksperimentimit. Qëllimi kryesor i organizimit të këtij shërbimi, sipas MASH, është promovimi i mirëqenies mendore dhe fizike të nxënësve si dhe lehtësimi i procesit të të nxënit. Ky shërbim mendohet se do të jetë i dobishëm edhe për gjimnazistët, duke i ndihmuar ata në problemet e moshës, raportet në familje e shoqëri, vështirësitë në mësim-nxënie e provime. Megjithatë, MASH, sqaron se shtrirja e këtij shërbimi do të bëhet në mënyrë graduale me plotësimin e kushteve. Fillimisht mendohet që në çdo shkollë të ekzistojë krahas psikologut edhe kabineti i tij. Më tej është menduar edhe sigurimi i specialistit me arsim përkatës, pra me diplomë universitare në degën e Psikologjisë, ose me Master në Psikologji dhe Pedagogji.

Psikologët, rroga sa mësuesit

Aktualisht në rang vendi, sipas të dhënave të muajit mars 2008, në shkolla punojnë 144 punonjës të shërbimit psikologjik shkollor. Urdhri i ri për shërbimin psikologjik shkollor përcakton funksionimin e këtij shërbimi në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar duke futur këtu edhe kopshtet, gjë që nuk ka qenë më parë. MASH, ka paracaktuar se paga e psikologëve do të jetë e njëjtë me rrogat e mësuesve të sistemit të detyruar apo të mesëm. Fillimisht, raporti i psikologut me numrin e nxënësve do të jetë 1 në 1500-1800 nxënës. Sipas udhëzimit të ri, për këtë shërbim, në ndihmë të punës së psikologut shkollor do të ngrihet grupi mbështetës i nxënësit që përbëhet nga mësues me përvojë, psikologu i shkollës dhe drejtori i shkollës. MASH, ka urdhëruar që psikologu shkollor duhet të ketë diplomë të shkollës së lartë, në fushën përkatëse. Kjo ministri vë në dukje se zëvendësimi i të gjithë psikologëve të punësuar me diplomë mësuesie me psikologë të specializuar në arsimin përkatës, do të bëhet gradualisht, ashtu sikurse do të ndodhë më vonë edhe me psikologët me diplomë në punë sociale.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML