Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:02:14

Lexoni versionin Print

Fondi i Ekselencës, “bojkotohet” nga studentët

Universitetet në pikë të hallit. Kanë pak pedagogë. MASH kërkon të vlerësohet nga studentët Fondi i Ekselencës

Dritan Laci
Diel, 27 Prill 2008 11:04:00

 

Pesëdhjetë për qind e Fondit të Ekselencës, miratuar nga Këshilli i Ministrave në muajin shkurt të këtij viti për financimin e studimeve të Doktoraturës dhe Postdoktoraturës në shkollat perëndimore për studentët e rinj të shkëlqyer, rezulton të jetë djegur. Shqetësimin e ka bërë të ditur për mediat vetë ministri i Arsimit dhe Shkencave, Genc Pollo, në takimin e zhvilluar me dekanë dhe rektorë, në kuadër të programit “Brain Gain”, ose në shqip “Kthimi i trurit”. Kreu i Arsimit është shprehur se megjithëse fondi këtë vit është shtuar, vihet re me jo pak shqetësim se numri i aplikantëve është ulur ndjeshëm. Megjithëse nuk dha arsye për numrin e vogël të aplikimeve në Fondin e Ekselencës, kreu i MASH u kërkoi drejtuesve të institucioneve publike të rrisin informacionin në dekanate, duke bërë të mundur që shumë të rinj që kanë rezultate të shkëlqyera në studime të jenë pjesë e fondit. Të njëjtin shqetësim ka shprehur për djegien e pjesës më të madhe të Fondit të Ekselencës edhe kryeministri Sali Berisha, i ftuar në debat. Duke ftuar drejtuesit e universiteteve të rekrutojnë studentët më të mirë, kreu i Këshillit të Ministrave, pasi solli në vëmendje faktin se këtë vit janë miratuar 400 vende të reja pune në universitetet e vendit dhe se është vendosur të dyfishohet ky numër, u shpreh se institucionet e arsimit të lartë publik duhet të paraqesin vullnet të hekurt për zhvillimin e burimeve njerëzore sipas kritereve. Në fjalën e tij Berisha tha se këtë vit qeveria ka dhënë 1 miliardë dollarë për Fondin e Ekselencës, ndërkohë që gjysma e këtij fondi është djegur si mungesë e interesimit. Ai u premtoi drejtuesve të universiteteve se nëse do ta shpenzojnë të gjithë fondin, qeveria do të marrë vendim për dyfishimin e tij, kjo në mënyrë që universitetet të kenë më shumë pedagogë të graduar.

Truri nuk gjen liri

Një vend të rëndësishëm në takimin “Brain Gain”, iu kushtua edhe kthimit në Shqipëri të të diplomuarve në universitetet perëndimore. Folësit paraqitën nevojën e hapjes së institucioneve të arsimit të lartë, karshi studentëve të diplomuar në universitetet më të mira të botës. Profesor Artan Fuga, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, u shpreh se të diplomuarit që kërkohen të vijnë nga universitet e huaja, duhet të kenë status të veçantë. Sipas profesor Fugës, shteti shqiptar duhet të kthehet në mbështetje për këta të diplomuar, duke kërkuar jo vetëm bashkëpunimin e tyre shkencor, por edhe duke u dhënë mundësinë, në rastin kur ata japin mësim në auditoret e huaja, të jenë pedagogë të jashtëm në Shqipëri. “Unë kam pasur mundësi të shikoj punën që kanë bërë kolegët që merren me programin “Brain Gain” dhe them se është konceptuar në një mënyrë boll të saktë, duke pasur parasysh faktin që jemi në një botë të hapur dhe në lëvizje. Në këtë kuptim, unë mendoj që duhet ta shtrijmë këtë program në mënyrë që individin që ka një kualifikim, të mos ta kthejmë në qenie vegjetative dhe ta ngulitim në një vend të caktuar, sepse kështu kam frikë se do të dështonim edhe në këtë program. Unë them që kolegët tanë, këta studentë dhe këta të rinj që janë në perëndim, ndonjëherë kanë nevojë të mbështeten atje ku janë. Kjo sepse edhe atje ku janë, nëse ata bëjnë hapa përpara, në kushtet e virtualitetit, të dijes dhe të komunikimit, mund të ndihmojnë vendin e tyre”, është shprehur profesor Fuga, duke hedhur mendimin e dhënies për këta individë të statutit të veçantë, që mund të jetë bashkëpunëtor shkencor, pedagog i jashtëm në katedra, në institute etj.

Universitetet, pa grada

Nevoja për lektorë të graduar në universitetet e huaja, ka qenë objekt i bisedës edhe për të pranishmit e tjerë në takim. Rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, ka kujtuar se në institucionin që ai drejton, raporti i pedagogëve me studentët është 120 me 13 mijë, çka tregon për kushtet e vështira në të cilët zhvillohet mësimdhënia në këtë fakultet. Këtë fakt, jo vetëm në Universitetin e Vlorës, por edhe në institucione të tjera të arsimit të lartë publik e ka pranuar edhe kryeministri Berisha. “E kemi dyfishuar numrin e studentëve në universitetet tona, të vetëdijshëm se standardi ishte tejet larg me standardet që kanë vendet e Bashkimit Europian, të vetëdijshëm se hapja e këtyre universiteteve përbën një shans të madh për të rinjtë dhe një investim shumë serioz për të ardhmen. Por, natyrisht, ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm për barrën e madhe që solli kjo tek trupa pedagogjike, tek departamentet, fakultetet dhe universitetet. Ne jemi të vetëdijshëm se në një kohë kaq të shkurtër nuk mund të dyfishoheshin kapacitetet e tyre dhe në këtë kontekst, ju keni përballuar një punë të admirueshme. Në rast se hedhim një vështrim, nuk është se nuk ka mangësi serioze. Nga një vlerësim i Ministrisë së Arsimit në dhjetor të vitit 2007 janë gjetur jo pak departamente pa profesorë, pa studiues të graduar, dhe këta nuk ishin themeluar dje apo pardje, por kishin 10-13 vjet që funksiononin. Ministria u detyrua të zvogëlojë profilin e tyre dhe veproi shumë drejt”,- u shpreh në fjalën e tij kreu i qeverisë, duke i bërë edhe njëherë apel drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë publik, të hapin dyert e departamenteve dhe të bëjnë çdo përpjekje, për të rekrutuar studentë të shkolluar në universitetet më të mira të huaja.

Buxheti, universitetet të paafta në menaxhim

Një tjetër shqetësim jo pak i rëndësishëm që u diskutua në takim ishte edhe buxheti i universiteteve, ku sipas të dhënave të MASH, gjatë vitit të kaluar vetëm 65 për qind e këtij buxheti është arritur të vihet në përdorim nga institucionet e arsimit të lartë publik, ndërsa pjesa tjetër nuk u materializua në shërbime. I njohur me këtë fakt, kreu i qeverisë kërkoi të rishikohet i tërë financimi i universiteteve, me qëllimin për të përdorur në mënyrën më eficiente buxhetin e akorduar. “Unë ju falënderoj për të gjithë ndihmesën dhe kontributin që keni dhënë dhe shpreh besimin tim më të madh se ju, bashkëpunëtorët tuaj, do të jetësoni këto reforma shumë të rëndësishme për vendin dhe do t`i ngrini universitetet tona në lartësinë që ato duhet të jenë, në cilësinë që ato duhet të kenë, për të konkurruar me dinjitet në universitetet e rajonit dhe të kontinentit në të cilin ne jetojmë”,- tha kryeministri Berisha, duke vënë theksin edhe njëherë në menaxhimin sa më të mirë të fondeve të akorduara

Sali Berisha, kryeministër

“Nga një vlerësim i Ministrisë së Arsimit në dhjetor të vitit 2007 janë gjetur jo pak departamente pa profesorë, pa studiues të graduar, dhe këta nuk ishin themeluar dje apo pardje, por kishin 10-13 vjet që funksiononin. Ministria u detyrua të zvogëlojë profilin e tyre dhe veproi shumë drejt. Është një apel shumë i sinqertë ndaj jush, të bëni çdo përpjekje, për të rekrutuar djem dhe vajza, burra dhe gra të graduar dhe të shkolluar në universitetet më të mira, i hapni departamentet ndaj tyre, nuk do të keni kufizim për ata që kanë marrë doktoratat. Qeveria është e gatshme që t`ju mbështesë ju plotësisht. Firmosni që nesër kontrata me ta. I kemi përfshirë në programe të veçanta, ju kemi akorduar 400 vende të reja pune. Ju siguroj se mund t’ua dyfishojmë këtë numër, por ju duhet të dëshmoni vullnet të hekurt për t’i zhvilluar mbi bazën e kritereve, burimet njerëzore të domosdoshme për të ngritur cilësinë në lartësinë që ne duam. Nuk mund të ecet më në këto raporte që kemi sot student-pedagog. Që t’i përmbysim këto raporte unë ju kërkoj të merrni me seriozitetin më ta madh, faktin që jeta akademike duhet të gjallojë me kërkime shkencore. Nëse rrimë me 30 pedagogë në një fakultet, çfarë kërkimi shkencor mund të bëjmë ne?”.

Tanush Shaska, rektor i Universitetit të Vlorës

“Në bazë të një kërkese të bërë, Ministria e Arsimit na krijoi mundësinë për të rritur numrin e personelit akademik, nga 90 në 120 pedagogë. Universiteti i Vlorës ka rreth 13 mijë studentë. Tani më thoni ju mua, si mund ta përballojmë këtë numër studentësh, me numrin e pedagogëve që kemi në dispozicion”.

Genc Pollo, ministër i Arsimit

“Gjatë vitit të kaluar, për Fondin e Ekselencës u dhanë 500 mijë dollarë dhe u realizuan vetëm dy të tretat, ndërsa këtë vit ky fond është dyfishuar, ku dukshëm vihet re që ka mungesë realizimi. Do hapim në vjeshtë një raund tjetër dhe për këtë do ketë njoftim publik, dhe unë u kërkoj institucioneve të arsimit të lartë publik, një informim më të gjerë të stafit akademik dhe studentëve”.

Artan Fuga, anëtar i KALSH

“Kolegët tanë, këta studentë dhe këta të rinj që janë në perëndim, ndonjëherë kanë nevojë të mbështeten atje ku janë. Sepse edhe atje ku janë, nëse ata bëjnë hapa përpara, në kushtet e virtualitetit, të dijes dhe të komunikimit, ata ndihmojnë vendin e tyre. Unë e kam ndjerë që ata kanë nevojë për mbështetjen e atdheut të tyre, atje ku janë, për të fituar dinjitet. Pra mendoj që ata mund të marrin fare mirë statuse, të cilat ne nuk na kushtojnë asgjë. Mund të jenë bashkëpunëtorë shkencorë, pedagogë të jashtëm në katedra, në institute etj. Një status në vendin tënd, në perëndim të jep forca të jashtëzakonshme. Para disa muajsh ishim në institutet e Akademisë së Shkencave dhe me keqardhje pamë një gjendje ku institutet ishin kryesisht të mbyllur në raport me kolegët dhe me individë që bëjnë punë shkencore në perëndim . Ka ardhur koha që të hapen vende pune me kontratë, me projekte apo me cikle. Ne kemi nevojë të hapim rrugët e qarkullimit të shkencës, sepse në fund të fundit, puna kërkimore shkencore kërkon nivel ndërkombëtar”.

Masteri me notë mesatare 7

Ende nuk është vendosur, por burime jozyrtare nga fakultetet shprehen se një nga kriteret bazë për të filluar Masterin e Nivelit të Parë, në vitin akademik 2008-2009, mund të jetë edhe vendosja e mesatares limit të pranimit. Kështu, pas degës së Elektronikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, që ka vendosur si mesatare pranimi notën 7, për të vazhduar më tej studimet, mendohet që edhe degët e tjera të ndjekin të njëjtin shembull. Vendosja e kritereve nga vetë fakultetet, për pranimin e studentëve që dëshirojnë të vazhdojnë më tej studimet, është sanksionuar edhe nga MASH, në udhëzimin e fundit mbi masterat. Ministria në fjalë i ka lënë dorë të lirë fakulteteve të caktojnë kriteret e pranimit të studentëve, duke i dhënë të drejtën këtyre të fundit, të vendosin nëse do aplikojnë ose jo mesataren për pranimin e studentëve në ciklet e studimit. Burime pranë gazetës “Shekulli” thonë se mesatarja 7 mund të jetë një nga kushtet që mund t’u vihet studentëve për të vazhduar më tej studimet në ciklin e parë. Kjo mesatare mendohet të vihet, pasi presupozohet të ketë dyndje të lartë të studentëve drejt Masterit të Nivelit të Parë, ndërkohë që shumë prej tyre mund të kenë mesatare të ulët, nën 7, çka sipas të kontaktuarve nuk është normale.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML