Sun, 06 Jul 2008 05:54:22
    

Lexoni versionin Print

Gjermanishtja, me detyrim në shkolla

Marrëveshja, "Sami Frashëri" dhe "Fan Noli", mësimi në shqip dhe gjermanisht

Dritan Laci
Wed, 30 Apr 2008 08:31:00

 

Marrëveshja, "Sami Frashëri" dhe "Fan Noli", mësimi në shqip dhe gjermanisht

Pas fazës së parë të aplikimit, gjermanishtja, lëndë me detyrim në të gjitha shkollat 9-vjeçare

Duke startuar që nga viti i ardhshëm shkollor, mësimet në shkollën e mesme të përgjithshme "Sami Frashëri" dhe në atë 9-vjeçare "Fan Noli" në Tiranë do të zhvillohen në dy gjuhë: përkatësisht, në shqip dhe gjermanisht. Marrëveshja për ngritjen për herë të parë të seksionit dygjuhësh në shkollat e mësipërme, është arritur pas nënshkrimit të deklaratës së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave dhe Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri. Në plan të përgjithshëm, marrëveshja synon intensifikimin e mësimit të gjuhës gjermane te të rinjtë, si edhe krijimin e mundësive për këta të rinj për të ndjekur studimet e mëtejshme në këtë vend. Pas aplikimit fillimisht në shkollat e mësipërme, në marrëveshje është rënë dakord që gjuha gjermane të jetë lëndë me detyrim në vitet në vazhdim, në të gjitha shkollat 9-vjeçare në vend.

****

I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes, ministri i Arsimit dhe Shkencave, Genc Pollo ndër të tjera u shpreh se hapja e seksionit dygjuhësh shqip-gjermanisht në gjimnazin "Sami Frashëri" është dritare dhe mundësi për të mësuar jo vetëm një nga gjuhët më të mëdha të kontinentit, por edhe për të mësuar mbi kulturën dhe shkencën e këtij vendi me tradita në Evropë.

"Ne kemi marrë disa nisma dhe kemi intensifikuar mësimin e gjuhëve të huaja, kemi bërë përpjekje për ta modernizuar atë dhe për ta bërë një mjet të rëndësishëm avancimi personal dhe profesional. Gjuha e huaj për shqiptarët është e domosdoshme sidomos në këtë shekull dhe duke themeluar një seksion dygjuhësh shqip-gjermanisht në gjimnazin "Sami Frashëri", mendoj se kemi hapur një dritare dhe një mundësi për një gjuhë të madhe të kontinentit, të rëndësishme për kulturën dhe shkencën, gjuhën e një vendi apo të disa vendeve mike dhe përkrahëse të Shqipërisë, në përpjekjen e vet për të zhvilluar demokracinë dhe ekonominë e vendit, si dhe për t'u bërë pjesë e plotë e familjes Euroatlantike",- u shpreh ministri i Arsimit, Pollo, në fjalën e mbajtur.

****

Gjatë nënshkrimit të kësaj deklarate, të dy palët pohuan rëndësinë e përçimit të njohurive praktike të gjuhëve të huaja si kompetencë kyçe brenda programeve shkollore dhe vlerën e mësimit dygjuhësh si një formë e re mësimdhënieje, në të cilën kombinohen përftimi i njohurive të gjuhës së huaj dhe përçimi i këtyre kompetencave. Seksioni dygjuhësh duhet të hapet, sipas deklaratës, me një ose disa klasa paralele, në të gjitha vitet e shkollës së mesme në të cilat do të realizohet mësimi i gjuhës gjermane dhe i një pjese të lëndëve në këtë gjuhë. Gjithashtu, në vitin 2010-2011, brezi i parë i seksionit dygjuhësh duhet të japë provimet e Maturës Shtetërore në shqip dhe gjermanisht. Për këtë qëllim do të ngrihet një grup i përbashkët pune, në përbërje të të cilit do të jenë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pollo dhe ambasadori Borchardt. Ky grup do të përpilojë detajet dhe mënyrën e funksionimit të seksionit dygjuhësh, si dhe do të përgatisë: planin dhe programet mësimore, rregullat për zhvillimin e maturës shtetërore, kriteret e përzgjedhjes së nxënësve, organizimin nga pala gjermane të kurseve intensive për mësimin e gjuhës, dërgimin e mësuesve gjermanë, bashkë-mësimdhënien, kualifikimin e mësuesve, zhvillimin e mjeteve mësimore, si edhe certifikimin përfundimtar.

***

Seksionet dygjuhëshe janë hapur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1998, në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja "Asim Vokshi" në Tiranë. Seksionet dygjuhëshe nënkuptojnë mësimin e të gjitha lëndëve në dy gjuhë: gjuha e huaj, (që deri tani janë anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja) dhe shqip. Një nga avantazhet e nxënësve të diplomuar në këto seksione dhe që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në vendet përkatëse është përjashtimi nga provimi i gjuhës së huaj dhe procedura lehtësuese për regjistrimin në universitetet franceze, italiane, angleze. Një përfitim tjetër nga këto klasa është trajnimi dhe kualifikimi i mësuesve tanë të gjuhëve të huaja nga pala tjetër. Në vendin tonë aktualisht ekzistojnë 7 seksione dygjuhëshe, 3 nga të cilat janë seksione dygjuhëshe Shqip-Italisht në Tiranë, në Korçë dhe Shkodër, 3 seksione dygjuhëshe Shqip-Frëngjisht, në Tiranë, Korçë dhe Elbasan, dhe së fundi një seksion në Gjuhën Gjermane në Tiranë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • benni: - 05-06-08
    pse me detyrim?

    te mesojne me detyrim? pse gjithe kje per asgje mesimi i gjermanishtes per mendimin tim ,nuk mund te jete i detyruar pasi nuk ka shance dhe mundesi te gjera punesimi ne kontekstin e tregjeve qe jane sot ne bote .shiko vende si India dhe Kina kane thithur kapitale gjithmone mbi bazen e sistemeve angleze dmth gjuhes angleze dhe jo ate gjermane . po si gjithmone ne Shqiperi gjerat behen sipas deshirave te njerzve te pushtetit si dikur Enveri frengjishten , dhe sot pehlivanet e rinj me gjermanishten e tyre si pollo e kompani . nuk ka fatekeqesi me te madhe se te qendrosh jashte lojes globale boterore te tregjeve ku gjuha e perbashket qe jep shance me te medha eshte gjuha angleze .

  • arber: - 05-04-08
    cfare budallenj njerez qe jane o zot

    cfare jane keta gomer, keto pazare te qelbura. te mesojne femijet gjermanisht me detyrim, gjuhe qe pervec gjermanise nuk hyn ne fare ne pune ne bote dhe eshte tejet e veshtire. mesoni ore anglisht qe eshte gjuhe qe çan kudo dhe gjeja e pare qe te kerkojne ne cdo vend te botes kur kerkon pune eshte anglishtja; te isha prind do kisha protestuar. pislliqe te qelbura te ministrise se arsimit pttuuh

  • strugani: - 05-04-08
    Pune mire

    Eshte kjo nje nisme e mire por dardha e ka bishtin prapa se te gjithe ato talente qe me pas dote mund ti sherbenin vendit do ti sherbejne shtetit Gjerman kjo eshte edhe faza e pare e nje skenari per exportimin e trurit nga vendi se rralle kush qe studjon ne gjermani do te kthehet qe te kontriboje ne vend po na dalte per mbare.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML