Për të përballuar numrin e studentëve gjithmonë e në rritje, në auditorët e Universitetit të Tiranës duhen të paktën edhe 200 pedagogë të tjerë. Kështu ka deklaruar në një prononcim për shtyp rektori i këtij universiteti, Dhori Kule, i cili u shpreh se, e vetmja mundësi për të rikuperuar disnivelin e raportit të numrit të studentëve me pedagogët është thithja e këtyre të fundit nga jashtë. Ditë më parë, një thirrje e tillë u drejtua nga titullarët e institucioneve të Arsimit të Lartë, publik dhe privat, edhe në "Brain Gain", në tryezën e iniciuar për qasjen e intelektit shqiptar në diasporë në universitetet e vendit. Në këtë kontekst, rektori i UT-së, Dhori Kule ka kërkuar që studentët të cilët përfundojnë shkëlqyeshëm studimet në universitetet jashtë vendit, të japin kontributin e tyre në përmirësimin e botës akademike në Shqipëri. Por megjithëse kërkesa e parashtruar është për vetëm 200 pedagogë, rektori Kule ka bërë të ditur se, edhe nëse tejkalohet numri i kërkuar, Universiteti i Tiranës do t'i pranojë të gjitha kërkesat e pedagogëve shqiptarë në mërgim.
Kriteri i vetëm për këta pedagogë do të jetë vetëm mbrojtja e Doktoraturës në një universitet jashtë vendit. Më të rrezikuar nga prurja e pedagogëve të rinj, nëse hipotekisht kërkesat janë më shumë se 200, aq sa kërkon UT-ja, janë pedagogët e jashtëm në universitete, të cilët kanë përfunduar studimet brenda vendit. Sipas rektorit Kule, këta pedagogë, nëse nuk plotësojnë kriteret, do të zëvendësohen me pedagogë të ardhur nga jashtë. Por me gjithë mungesat në auditorë, shumë nga fakultetet ende gjenden të papërgatitur për sa i përket numrit të saktë të pedagogëve që nevojiten në auditorë. Skënder Kaçupi, dekan i Fakultetit Juridik, shprehet për gazetën "Shekulli" se ende dekanati që ai drejton, nuk disponon një numër të saktë të pedagogëve që i nevojiten. "Fakulteti ynë ka një numër shumë të madh të studentëve në raport me pedagogët. Sigurisht që ne si dekanat kemi nevojë për pedagogë. Jemi njohur mbi mundësitë që na janë krijuar nga Këshilli i Ministrave për thithjen e pedagogëve të rinj, por ende nuk mund të them me saktësi se sa është nevoja e fakultetit për personel akademik. Këtu mbetet për t'u bërë një vlerësim, i cili do të nisë së shpejti". Dekani Kaçupi thotë se periudha e verifikimit të nevojave do të vazhdojë deri në muajin korrik, ku do të përcaktohen edhe kriteret e pranimit. Ai shpjegon se përgjithësisht pedagogët do të preferohen të përzgjidhen nga jashtë, ndërsa qetëson pedagogët diplomuar në Shqipëri, duke thënë se ata nuk kanë pse të frikësohen, pasi fakulteti që ai drejton ka vend për të gjithë.