Fri, 25 Jul 2008 18:01:24
    

Lexoni versionin Print

Drejtorët e shkollave me mandat 4-vjeçar

Duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor, emërimi i drejtorëve të shkollave në ciklin parauniversitar dhe atë parashkollor do të kryhet në bazë të kritereve të reja, të përcaktuara nga MASH.

Dritan Laci
Fri, 09 May 2008 08:19:00

 

Kushtet për të qenë drejtor shkolle dhe kopshti. Nga viti i ardhshëm ndryshojnë procedurat e emërimit dhe shkarkimit

Kriteret e reja për emërimin e drejtorëve përcaktojnë si kusht pajisjen e tyre me kategorinë e dytë të kualifikimit të mësuesit

 

Duke nisur nga viti i ardhshëm shkollor, emërimi i drejtorëve të shkollave në ciklin parauniversitar dhe atë parashkollor do të kryhet në bazë të kritereve të reja, të përcaktuara nga MASH. Prej disa ditësh, një grup pune i ngritur nga dikasteri më i lartë i arsimit në vend, ka shtruar për diskutim përpara specialistëve, procedurat me të cilat mendohet të rregullohet në të ardhmen emërimi i drejtuesve në shkolla dhe kopshte publike. Krahas procedurave të reja të emërimit të drejtuesve të shkollave, ndryshime do të ketë edhe në rregullat e emërimit të nëndrejtorit, mësuesit, personelit ndihmës në shkollë si edhe zëvendësimit të mësuesve me paaftësi të përkohshme në punë. Kjo reformë në procesin e emërimit të stafit pedagogjik, është një hap i ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave në bashkëpunim me Bankën Botërore, i cili synon dhënien fund të emërimeve dhe shkarkimeve pa kriter në institucionet e arsimit parauniversitar dhe atij parashkollor.

********

Deri më sot, posti dhe kohëzgjatja e mandatit të drejtuesve në shkolla është varur më së shumti nga ndryshimet politike. Është i njohur fakti se gjatë 18 viteve pluralizëm, më shumë se institucion i depolitizuar, drejtimi i shkollave i është besuar bindjeve partiake të mësuesve të ndryshëm. Por kjo situatë, të paktën në letër, duket se do të marrë fund gjatë vitit të ardhshëm shkollor, ku Banka Botërore dhe MASH, kanë vendosur të përcaktojnë procedura të reja për emërimin dhe shkarkimin e drejtuesve në shkolla. Kështu, për sa i përket personelit shkollor, drejtori i një shkolle, nuk do të shkarkohet më për 6 muaj, ashtu sikurse ka ndodhur rëndom vitet e fundit, por do të ketë mandat drejtimi për 4 vite. Të vetmet raste kur një drejtor shkolle shkarkohet nga puna, janë ato kur konstatohet se personi shkel dispozitat ligjore në fuqi, për arsimin parauniversitar. Pas përfundimit të katër viteve të plota të njëpasnjëshme shkollore, udhëzimi parashikon, hapjen e konkurrimit për vendin e lirë të punës. Megjithëse udhëzimi parashikon mandat 4-vjeçar për pozicionin e drejtorit të shkollës, ky i fundit ka të drejtë të marrë sërish pjesë në konkurrim, pra mandati i drejtorit të shkollës publike mund të përsëritet pa kufizim.

********

Për të qenë drejtor në një shkollë të caktuar publike, duhet medoemos kategoria e dytë e kualifikimit të mësuesve. Kjo risi është përcaktuar edhe në kriteret e emërimit të drejtorit të shkollës, ku ndryshe pajisja me kategorinë e dytë të mësuesit, mund të cilësohet edhe si një lloj licence e domosdoshme për drejtorët e rinj të shkollave. Ajo që ka shtruar për debat MASH, përballë specialistëve të saj, është fakti nëse për të qenë drejtor shkolle, është e domosdoshme ose jo që kandidati për postin drejtues të ketë qenë nëndrejtor shkolle për të paktën një vit shkollor. Po kështu, një tjetër pikë e debatueshme është edhe nënshtrimi i provimit të kualifikimit, ku MASH i ka lënë në dorë specialistëve të saj të zgjedhin midis alternativës nëse duhet apo jo të ketë një kriter vlerësimi për kategorinë e dytë të kualifikimit. Ministria e Arsimit ka vendosur si kriter për emërimin drejtor, vlerësimin e kandidatëve në këtë pozicion në me më lart se “mjaft” në kategorinë e dytë të kualifikimit. Kriteri i fundit i hedhur për diskutim nga MASH, është që drejtuesi i shkollës të jetë i pajisur me dëshminë përkatëse që i bën të mundur drejtimin e një institucioni arsimor publik. Gjithsesi këto mbeten ende alternativa në duart e specialistëve, ndërsa ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, për të qenë drejtor në një shkollë të caktuar nuk kërkohet më pajisja me bindje partiake, por me kualifikim përkatës.

**********

Për të emëruar apo shkarkuar drejtorin e shkollës në një rreth të caktuar, do të duhet të merret fillimisht mendimi i Bordit të Arsimit, i cili do të ngrihet në nivel zone, bord i cili do të jetë në juridiksionin e Drejtorisë Arsimore Rajonale ose Zonale, ku ndodhet shkolla. Bordi i Arsimit do të jetë i përbërë nga përfaqësues të DAR/ZA, anëtarë nga qeveria lokale si edhe nga kryetari i bordit të shkollës përkatëse. Për të emëruar dhe shkarkuar drejtorin e shkollës, MASH ka shtruar për debat, dy alternativa. Procedura e parë është emërimi dhe shkarkimi nga bordi i shkollës dhe bordi i arsimit, ndërsa procedura e dytë është ajo e shkarkimit vetëm nga bordi i arsimit. Bordi i një shkolle merr pjesë në emërimin dhe shkarkimin e një drejtori vetëm kur përmbush disa kushte paraprake. Për të emëruar një drejtor shkolle, në procedurën e parë bordi i shkollës përzgjedh dy kandidatë për drejtor në mes të aplikuesve dhe ia dërgon bordit të arsimit, ndërsa është bordi i fundit i cili përzgjedh njërin nga dy kandidatët. Përsa i përket shkarkimit, bordi i shkollës vendos që t’i propozojë bordit të arsimit shkarkimin e drejtorit, i cili ka edhe të drejtën e vendimit. Procedura e dytë e hedhur për diskutim është shumë më e thjeshtë. E drejta për të përzgjedhur njërin nga aplikuesit për drejtor shkolle i takon bordit të arsimit, ndërsa shkarkimi i takon në këtë rast të dyja bordeve. I vetmi që ka të drejtë të shkarkojë drejtorët e shkollave pa ndjekur procedurat e mësipërme është ministri i Arsimit dhe Shkencave.

.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML