Sun, 06 Jul 2008 05:53:02
    

Lexoni versionin Print

Gjuhëtarët: Disiplina e shqipes po shthuret

Gjuha shqipe nuk po respektohet as në të folurën e përditshme, por as në atë zyrtare. Gjithmonë e më shumë vihet re se në mbishkrimet e afisheve dhe në gjithë praktikën shkrimore me karakter publik, ka thyerje të disiplinës gjuhësore. Alarmin e kanë dhënë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se disiplina e gjuhës shqipe është shthurur dhe ka rënë kujdesi ndaj gjuhës.

Saimir Muzhaka
Sat, 17 May 2008 08:25:00

 

Gjuhëtarët japin alarmin se po shthuret disiplina e Gjuhës Shqipe nga mungesa e rregullave drejtshkrimore dhe fjalët e huaja

 

Shkurtaj: E ardhmja e Shqipes nuk do të jetë e mirë, nëse nuk e mbrojmë gjuhën tonë të bukur

Gjuha shqipe nuk po respektohet as në të folurën e përditshme, por as në atë zyrtare. Gjithmonë e më shumë vihet re se në mbishkrimet e afisheve dhe në gjithë praktikën shkrimore me karakter publik, ka thyerje të disiplinës gjuhësore. Alarmin e kanë dhënë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se disiplina e gjuhës shqipe është shthurur dhe ka rënë kujdesi ndaj gjuhës. "Gjuha shqipe është e gjerë dhe e bukur shumë, ka fjalë fort të mira për të venë në vend të fjalëve të huaja". Këtë shprehje e ka thënë shumë kohë më parë Naim Frashëri, e, me sa duket, sot tingëllon më aktuale se kurrë. Sot gjen me qindra emërtime nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar, të cilat vuajnë nga gabimet drejtshkrimore apo fjalët e huaja. Është bërë e modës të vendosen fjalë të huaja, të pahijshme, kur shumë mirë këto mund të gjenden brenda fjalorit të pasur të Shqipes. Gjuhëtarët japin shqetësimin e tyre, duke theksuar se kjo situatë nuk ndikon mirë në formësimin e brezave të rinj, të cilët i ndeshin këto fjalë përditë. Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj shprehet për gazetën "Shekulli" se kjo situatë nuk është vetëm e gjuhës shqipe, por edhe e krejt kulturës së sotme shqiptare, e cila na trishton dhe na bën të trembemi se e ardhmja e shqipes nuk do të jetë e mirë, në qoftë se nuk punojmë me gjithë shpirt dhe përkushtim për ta mbrojtur gjuhën tonë të bukur.

Gabimet drejtshkrimore

Ka shumë raste kur tabelat e emërtimeve përmbajnë gabime të shumta në drejtshkrim, shpesh ë-të mungojnë, a thua se kjo germë nuk ekziston në trajtën e shkruar të shqipes. Një shembull i tillë, është "Ministria e Brendeshme" në një tabelë të Komandës në Tiranë. Fjala "e Brendeshme" përmban një "ë" të panevojshme me rregull drejtshkrimor, sipas Prof.dr.Shkurtaj. Ndërsa Pallatit të Kulturës në qendër të Tiranës i mungon nyja "i", problem ky që është përhapur së shumti pasi mungesa e nyjave është bërë e modës nëpër emërtime. Një qendër shëndetësore harron të ndajë fjalën nga nyja, duke nxjerrë kështu një fjalë të re, "për ruajtjen e", në vend që të shkruante "për ruajtjen".

Mania e fjalëve të huaja

Shqipja gjithnjë e më shumë po vuan edhe nga fjalët e huaja, të cilat janë kthyer në një epidemi për bizneset apo aktivitetet private. Të gjithë pëlqejnë të vendosin emra të huaj. "Ka lindur dëshira për të qenë modernë. Kjo nuk është diçka e keqe, por është negative dëshira e disave për të shfaqur modernitetin me fjalë të huaja",- tregon Shkurtaj, duke shtuar se të tmerron trumbeta e drafteve, implementimeve, fizibiliteteve dhe kushedi sa fjalëve të huaja që kanë hyrë në gjuhën tonë.

Shkurtaj: Ja kush duhet të kujdeset për gjuhën

Probleme drejtshkrimore në tekstet e rrugëve apo tabelat e ndryshme të aktiviteteve, qofshin këto private apo publike, nuk i ka vetëm Tirana, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë. Pothuajse i gjithë vendi është mbushur me mbishkrime në gjuhë të huaja ose në një shqipe jo të shkruar mirë. Sipas Prof.dr Gjovalin Shkurtaj, kjo situatë ngarkon me përgjegjësi Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Tiranës, komunat apo bashkitë e vogla në vend, të cilat e kanë për detyrë funksionale të kontrollojnë çdo gjë që shkruhet nga pikëpamja e konceptit, nëse lejohet apo jo. "Veprimtaritë, ndërmarrjet mund të jenë private por nuk ka asnjë veprimtari që të mos jetë e licencuar nga shteti. Kështu, bashkë me licencën duhet caktuar qartë edhe emërtimi, duke zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe normat e Gjuhës Shqipe".


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • Merturi USA: - 05-23-08
    Shqipja eshte jeta e jetes.Eshte fryma qe pershkon mushkrit,Zemren dhe trunin.

    Veq ju te nderur gjuhetar,te tjerve nuk i bi ne mend per gjuhen,te gjithe mendojne tek paraja.Une kam ken i dobet ne lenden e gjuhes,dhe nuk e kisha aspak iden e rendesise se gjuhes,pra e shikoja si te dores se dyte.Sot jo me vjen keq po ne heshtje mallkoj veten pse nuk e vlersova kur duhesh vlersuar.Sot ne moshen 66 vjec ndihem ligesht per mos pervehtesimin e gjuhes me nji drejteshkrim te mirefillet.Gjuhe e cila ruhet e gjalle per mbi 12 000 vjecare sa dhe rraca e bardhe.Keshtu eshte shprehur Gjuzepe Katapano me origjine Arbereshe qe hapi Akademin ne Rrome me emrin Thoti.Gjuhe nga e cila kane lindur te gjitha gjuhet e botes.Ndaj nuk eshte e nevojshme te perdhoset nga huazimet vend e pa vend te fjalve te huaja.Kete gabim e bejne ma shume se kurkush politikanet dhe qeveritaret qe duan te tregohen si te ditun,e ne fakt kjo dije tregon se sa te manget jane.Une ndjeva nji kenaqesi te jashtzakonshme kur lexova ne internet se kenga shqiptare qe do te kendohet ne Eurovizion,do te kendohet shqip se nuk jane ne gjendje ta pershtatin ne Anglisht.Qe pra shqipja eshte me e pasur ne fjalor se sa Anglishtja.Noli,Shekspirin e ka bere te flasin shqip.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML