Sun, 06 Jul 2008 05:57:19
    

Lexoni versionin Print

Dy vite penalizim, kush kopjon në Maturë

Kush përpiqet të kopjojë ose të ndihmojë nxënësit e tjerë gjatë provimeve të Maturës Shtetërore, rrezikon të humbasë jo vetëm provimet e maturës për këtë vit, por edhe për tjetrin në vazhdim.

Dritan Laci
Sat, 17 May 2008 08:10:00

 

Matura Shtetërore, kush kapet duke kopjuar, humbet të drejtën për të marrë pjesë në provime edhe vitin e ardhshëm

Ankimi për parregullsitë në korrigjim, 7 ditë. Pas rikorrigjimit nga AVA, nuk lejohet apelimi i vendimit

Kush përpiqet të kopjojë ose të ndihmojë nxënësit e tjerë gjatë provimeve të Maturës Shtetërore, rrezikon të humbasë jo vetëm provimet e maturës për këtë vit, por edhe për tjetrin në vazhdim. I njëjti sanksion do të vlejë edhe për maturantët, të cilët përpiqen të marrin informacion për testin e provimit në mënyrë të padrejtë. Më keq akoma do të jetë puna për administratorët që kapen me shkelje gjatë vëzhgimit të procesit të zhvillimit të provimeve të Maturës. Automatikisht, administratorët që konstatohen se kanë ndihmuar maturantët gjatë provimit, në ndryshim nga viti i kaluar, humbasin vendin e punës në sistemin arsimor. Rregullat e mësipërme janë sanksionuar nga Ministria e Arsimit për të pasur një mbarëvajtje sa më të mirë të provimeve të Maturës, si edhe për të shmangur çdo dyshim mbi rregullsinë e testimit. Problemet e shfaqura gjatë zhvillimit të Maturës Shtetërore, gjatë dy viteve të zhvillimit të saj, kanë bërë që MASH të forcojë edhe më tej rregulloren, duke u munduar të pakësojë sa më shumë shtigjet e abuzimit.

***

Koha në dispozicion për maturantët, për ankimimin e provimit të maturës, nëse konstatohen parregullsi gjatë korrigjimit të tyre, do të jetë 7 ditë. Ky limit kohor është vendosur nga MASH për t'i dhënë mundësinë maturantëve dhe specialistëve të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve, për të riparë edhe njëherë testet dhe gabimet e mundshme që mund të jenë bërë në vlerësimin e tyre. Por, për të bërë një rishikim të testit, maturantët duhet të paguajnë në arkën e Ministrisë një tarifë të veçantë e cila, ashtu si edhe në maturën e kaluar, do të jetë 400 lekë të reja. Për të bërë një gjë të tillë, çdo pjesëmarrës në Maturën Shtetërore ka të drejtë që brenda limitit të përcaktuar prej 7 ditësh pas shpalljes së rezultateve të provimit, të dorëzojë në Këshillin Shtetëror të Maturës Shtetërore, kërkesë në të cilën kërkon rishikimin e testit. Do të jetë ky Këshill, i cili pas mbledhjes së të gjithë ankesave të mbërritura nga maturantët, do të bëjë dorëzimin e tyre në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve, dikaster të cilit i është ngarkuar rishikimi i testeve. Sipas MASH, vendimi i AVA-s, sido që ai të jetë, në favor ose jo të ankimuesit, do të merret parasysh, duke mos i dhënë mundësi maturantëve të pakënaqur për të apeluar më tej vendimin.

***

Penalizimet për përjashtimin nga provimet e Maturës Shtetërore, do të jenë po ato të aplikuara gjatë viteve të kaluara, me të vetmin ndryshim, ku kopjacët do të ndëshkohen me dy vite mospjesëmarrje në provime, pra, me një fjalë do humbasin të drejtën si këtë vit, ashtu edhe pasuesin, për të marrë dëftesën e pjekurisë. Për të shmangur probleme të tilla, maturanti duhet medoemos të marrë me vete ditën e provimit, dokumentin e identifikimit, që mund të jetë certifikata personale me fotografi ose pasaporta. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, maturanti humb të drejtën për të marrë pjesë në provim, si edhe humb njëkohësisht të drejtën për të marrë në përfundim të maturës shtetërore, dëftesën e pjekurisë. Po kështu, në Rregulloren e Provimeve është e përcaktuar qartë se cilido që përpiqet të japë provimin për një nxënës/kandidat tjetër; bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit; merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës /kandidatë të tjerë; bën komente lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit; përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe vizore, laps, gomë - vetëm për provimin e Matematikës) ose merr me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve pëson të njëjtin penalizim, pra përjashtohet nga pjesëmarrja në maturë për dy vite.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML