Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:18:27

Lexoni versionin Print

MASH kyç buxhetin për universitetet, rrezikohen investimet

Deklarata e lëshuar dy ditë më parë nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, ku kjo e fundit akuzohej për shkelje të pavarësisë në universitete, më shumë se rikthim në polemikat e vjetra, duket se fsheh pas perdes, mungesën totale të komunikimit

Dritan Laci
Enjte, 22 Maj 2008 08:13:00

 

Universitetet, tre muaj pa para. Shkak, kundërshtimi nga rektorët i kompetencave të reja të kancelarëve

Kaos në universitete. Mungesa e financave prek edhe web-in e UT-së. Qëndron mbyllur se nuk ka para për ta paguar

Deklarata e lëshuar dy ditë më parë nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, ku kjo e fundit akuzohej për shkelje të pavarësisë në universitete, më shumë se rikthim në polemikat e vjetra, duket se fsheh pas perdes, mungesën totale të komunikimit, që ndryshe mund të cilësohet si epoka më e acartë e marrëdhënieve midis dy institucione gjatë gjithë ekzistencës së tyre. Pre e kësaj marrëdhënie aspak miqësore, ka rënë edhe faqja zyrtare e web-it të Universitetit të Tiranës, e cila për shkak të mosakordimit të fondeve nga MASH, qëndron e mbyllur prej mëse 2 muajsh. Por faqja e web-it të UT-së duket se është vetëm maja e ajsbergut, pasi ajo që fshihet poshtë nën ujë, është akoma edhe më e trishtueshme. Prej disa muajsh, universitetet publike zhvillojnë veprimtarinë e tyre në mungesë të mjeteve financiare. Shkak për pezullimin e fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, është bërë kundërshtimi nga institucionet e arsimit të lartë publik i projektvendimit të fundit të dalë nga dikasteri i Arsimit, mbi të drejtat, detyrat, proceduarat e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarëve. Kundërshtimi i projektvendimit, i cili gjatë ditës së djeshme duhet të kalonte në qeveri për miratim, ka sjellë njëkohësisht edhe pezullimin e emërimit nga MASH të kancelarëve, të cilët, sipas ligjit, janë përgjegjësit për mbarëvajtjen e financave në universitete. Kjo situatë, që siç e theksuam më lart, zgjat prej disa muajsh, ka shkaktuar kaos në mbarëvajtjen e punëve në universitete. Drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë publik, shprehen se mungesa e fondeve ka sjellë mungesën e investimeve në infrastrukturë, ndërkohë që edhe vetë nuk e dinë se për sa kohë do zgjasë kjo situatë.

***

Mbyllja e faqes së web-it të UT-së, është vetëm një çikërrimë e vogël, në malin e madh të hendekut që është krijuar midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave dhe universiteteve publike në vend. Pas mbylljes së kësaj faqeje, kontrata e së cilës nuk kushton më shumë se 30 euro, fshihet një tjetër histori, ajo e bllokimit të fondeve për universitetet. Këtë informacion e konfirmon për gazetën "Shekulli", zv/rektori i Universitetit të Tiranës, Nonda Varfi, i cili me keqardhje shpreh shqetësimin se prej disa muajsh, universitetet gjenden pa asnjë mjet financiar, kjo për shkak të kokëfortësisë që tregon Ministria e Arsimit dhe Shkencave në një projektvendim të saj të fundit, ku synohet fuqizimi i kompetencave të kancelarëve, në kurriz të personelit akademik. Profesor Varfi shpjegon se projektvendimi i MASH, i jep rol kyç kancelarit dhe e bën atë më të fuqishëm se vetë Rektori, Senati apo edhe Këshilli Administrativ, çka krijon, sipas tij, kontradikta në funksionimin e organeve drejtuese kolegjiale. Madje për këtë projektvendim, ashtu sikurse ka theksuar edhe rektori i UT-së, Dhori Kule në deklaratën e dy ditëve më parë, nuk është marrë as mendimi i universiteteve. Për profesor Nonda Varfin, anashkalimi që MASH i bën universiteteve në përgatitjen e projektvendimit të fundit, ka vetëm një shpjegim: kontrollin e universiteteve nga Ministria nëpërmjet kancelarëve. "Në koncept, Kancelari është përfaqësuesi i shtetit, i cili merret me kontrollin financiar të institucioneve. Mirëpo me projektvendimin e fundit, kancelari merr kompetenca fuqiplota, çka e bën atë më të fuqishëm se vetë Rektori. Nëse miratohet projektvendimi, kancelari ka të drejtë të shkarkojë personelin akademik, gjë e cila me ligj i takon drejtuesve të universiteteve". Por sipas zv/rektorit të UT-së, kjo nuk është e vetmja pikë në projektvendimin e MASH-it që bie ndesh me Ligjin për Arsimin e Lartë, ndërsa shpreson që udhëzimi i fundit i ministrisë të mos miratohet nga qeveria, pasi nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë do të kishim shkelje të hapur të pavarësisë së universiteteve.

***

Projektvendimi për të drejtat, detyrat dhe mënyrën e përzgjedhjes së kancelarëve, nuk është i pari në vazhdën e vendimeve të sjella nga MASH që kundërshtohen ashpër nga institucionet e arsimit të lartë publik. Të njëjtin kundërshtim ka hasur edhe udhëzimi mbi kualifikimin e pedagogëve, ku mësohet se mbi 600 doktoratura kanë mbetur pezull për shkak të ndryshimit të kritereve në mesin e studimeve nga Ministria e Arsimit. "Janë disa vendime ose udhëzime që ka sjellë MASH, të cilat, në një mënyrë ose tjetër, pengojnë funksionimin e Universitetit të Tiranës, duke e çuar atë në kolaps. E para është që nuk ka udhëzues që të zgjedhë kancelarin, i cili luan rolin e financierit në universitete. Ne kemi nevojë të bëjmë riorganizimin e të gjithë administratës. Aktualisht kemi bërë një organigramë e cila ende nuk është zbatuar, pasi po presim të zgjidhet kancelari. Për këtë arsye na është bllokuar buxheti i investimeve që duhet të kalojë nga kancelari. Po për këtë shkak më duhet të them se u bëmë disa muaj që nuk kemi internet. Të gjithë këto janë të lidhura, ndërkohë që ministria sjell shkresa joligjore". Zv/rektori Varfi thotë më tej se vendimet që sjell Ministria e Arsimit, kanë vetëm një qëllim: ushtrimin e dhunës mbi Rektoratin. Kjo vihet re, sipas tij, edhe në mungesën totale të komunikimit nga ky dikaster. Profesor Varfi merr si shembull, mungesën e përfaqësimit të universiteteve në forumet e larta të Ministrisë së Arsimit.

"Në të gjitha forumet e larta të MASH, nuk janë të përfaqësuar universitetet. Pra, formulohet një dokument strategjik pa marrë pëlqimin e njerëzve të botës akademike. Ky është kolapsi i madh: mungesa e informacionit. Ministria i ka humbur universitetet, sepse donte të sillte njerëzit e tyre. Ata duhet ta kuptojnë që kanë humbur; nuk ka ushtarë të bindur në universitete, por partnerë. Nëse ministria koncepton që duhet të ketë ushtarë, ta heqë mendjen jo vetëm ajo, por të gjithë. Në të gjitha vendet e botës, ka vetëm komunikim zyrtar. Nuk ka nënshtrim. Ministria duhet të kuptojë që në universitete ka fituar demokracia. MASH duhet të pajtohet me fitoren dhe arritjet demokratike që treguan zgjedhjet dhe jo të ushtrojnë dhunë. Drejtuesit e këtij dikasteri mendojnë se duke mos pasur rektorin, tani mund të futen në universitet nëpërmjet kancelarit. Këtë duhet ta harrojnë njëherë e mirë",- shprehet zv/rektori Varfi, duke cituar më tej se janë shumë urdhëresa të nxituara të ministrisë, të cilat kanë për qëllim frenimin e universiteteve.

"Ata nuk mësohen dot të komunikojnë. Nuk kanë një rektor universiteti në strukturat më të larta të arsimit, siç mund të jetë për shembull Këshilli i Arsimit të Lartë (KALSH). Kjo sjell problemin e mosmenaxhimit të dokumenteve të strategjive të arsimit të lartë publik. Ata duan të bëjnë një dramë, ku të gjithë janë figurantë. Ua kemi shprehur shqetësimet dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ata kanë tre muaj që mundohen të përshpejtojnë urdhëresa që janë në kundërshtim me ligjin, duke penguar punën efektive në universitete. Interesi ynë është që të punohet në universitet. Ne duam që të bëhet mësim, të ketë kualifikim, të zhvillohet infrastruktura, të ketë akses në internet, të njihet diploma jashtë vendit. Ministria këtë nuk e ka kuptuar, që zgjedhjet në universitet ishin model. Tashmë mundohet që, për të nënshtruar universitetet, të infiltrohet me kancelarin. Dhe këtë e bën duke pezulluar të gjithë veprimtarinë. Kjo është e papranueshme".

5 pikat e krizës midis MASH dhe IAL

1-Kualifikimi Shkencor

Përplasja e parë, ende e pazgjidhur, midis universiteteve dhe Ministrisë së Arsimit, është udhëzimi për kualifikimin shkencor. Në këtë vendim, MASH, ka urdhëruar ndryshimin e kritereve të zhvillimit të doktoraturës, pa marrë parasysh faktin se një pjesë e ndjekësve të këtij niveli studimesh ishin në mesin e studimeve. Pas kundërshtimit të vendimit nga institucionet e arsimit të lartë publik, MASH, ka vendosur pezullimin e rreth 600 doktoraturave.

2- Zgjedhja e Kancelarit

Problemi i dytë midis palëve, lidhet me zgjedhjen e Kancelarit. Universitetet kundërshtojnë projektvendimin, me arsyetimin se ky i fundit i jep kompetenca fuqiplota Kancelarit, duke e nxjerrë atë mbi Rektorin, ndërsa MASH ka vendosur ta kalojë për miratim në qeveri.

3-Ngarkesa e Pedagogëve

Shqetësim për drejtuesit e universiteteve është kthyer edhe udhëzimi mbi ngarkesën e pedagogëve, që sipas tyre i kthen institucionet e arsimit të lartë publik në kooperativa bujqësore, ku çdo pedagog duhet të kryejë normën e plotësimit të orëve. Ky udhëzim, megjithëse është hedhur poshtë njëherë nga universitetet, është vendosur sërish në fuqi nga MASH.

4-Bllokimi i financave të Universitetit.

Ky është edhe problemi më i madh që po kalojnë aktualisht universitetet publike në vend. Bllokimi i financave ka sjellë paralizim të investimeve në infrastrukturë, duke rrezikuar seriozisht realizimin e planit vjetor të investimeve.

5-Masterat

Ardhja me vonesë e udhëzimit për Masterat e Sistemit të Bolonjës, ka krijuar probleme te universitetet, të cilëve u është dashur të riformulojnë programet, ndërkohë që koha në dispozicion është e pakët.

MASH: "Kancelarët do kalojnë në qeveri"

Zv/ministrja e Arsimit, Ardiana Gjonaj ka hedhur poshtë kundërshtimet e universiteteve. Projektvendimi kalon për miratim

Ministria e Arsimit dhe e Shkencave, në ndryshim nga drejtuesit e universiteteve e ka konsideruar projektvendimin për procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të kancelarëve të institucioneve publike të arsimit të lartë, si projektvendim që është konform Ligjit për Arsimin e Lartë. Deklarata është bërë nga zv/ministrja e Arsimit dhe e Shkencës, Ardiana Gjonaj, e cila midis të tjerash u shpreh se: "IAL, janë institucione publike që gëzojnë liri dhe autonomi në veprimtaritë e tyre, por që financohen nga Buxheti i Shtetit dhe nuk janë të pavarura nga shteti". Për këtë arsye, shteti, ka theksuar Gjonaj, ka përgjegjësinë publike për mbarëvajtjen e këtyre institucioneve, mirëqeverisjen e tyre dhe transparencën ndaj publikut. "Pozicioni i kancelarit është mjaft i rëndësishëm dhe, sipas ligjit, ai është përgjegjës për drejtimin e përditshëm administrativ dhe financiar të institucionit, zbatimin e buxhetit, mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarive financiare dhe zbatimin e ligjshmërisë. Kandidatura e kancelarit përzgjidhet nga Këshilli i Administrimit i IAL, por miratohet, si edhe me parë, nga ministri. Projektvendimi i shqyrtuar dhe në Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH), që përbëhet nga ekspertë nga më të mirët e Arsimit të Lartë, do të miratohet në qeveri",- ka përfunduar deklaratën për shtyp zv/ministrja Gjonaj.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML