Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, mbetësit në provimet e lirimit në sistemin 8-vjeçar, do të kryejnë klasën e 9-të
Nga viti i ardhshëm, Provimet e Lirimit do të kthehen në Matura e Lirimit. Provimet e arsimit të detyruar, rregulla të njëjta si Matura Shtetërore
Nxënësit, të cilët nuk kanë arritur të marrin Provimet e Lirimit me ciklin e vjetër 8-vjeçar, do të duhet t’i shlyejnë detyrimet me sistemin e ri 9-vjeçar, që fillon të aplikohet në arsim nga viti i ardhshëm shkollor. Kështu thuhet në një vendim të fundit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, dërguar Drejtorive Arsimore në rrethe, në të cilën saktësohet se për të dhënë provimet e lirimit, mbetësit do të duhet t’i përshtaten modelit të ri arsimor, pra, detyrimisht duhet të kryejnë edhe klasën e 9-të. Vetëm në këtë mënyrë, nxënësit të cilët kanë rezultuar mbetës, do të munden të marrin Dëftesën e Lirimit. Ky udhëzim do të vlejë vetëm për vitin shkollor në vijim, pasi më tej, të gjithë nxënësit që përfundojnë arsimin e detyruar shkollor do t’i përshtaten rregullave të reja të provimit të lirimit, të bazuara në sistemin 9-vjeçar.
Udhëzimi i MASH, vjen pas ndryshimeve që janë bërë në skemën e arsimit të detyruar dhe atij parauniversitar, ose siç njihet ndryshe, arsimit të mesëm. Kështu, duke nisur nga viti shkollor i ardhshëm, nuk do të kemi më skemën tradicionale 4+4+4, por do të kemi një skemë të re të arsimit të detyruar, bazuar në modelin 5+4+3. Ky ndryshim ka sjellë edhe problematikën e mësipërme, që lidhet me nxënësit mbetës në provimet e lirimit, në sistemin e vjetër. Duke qenë se këtë vit nuk do të ketë provime lirimi, për shkak të rotacionit në arsim, nxënësit e mësipërm janë të detyruar që t’i shlyejnë detyrimet në vitin pasardhës. Por për ta marrë pjesë në provimet e lirimit, sipas modelit të ri arsimor, këta nxënës detyrimisht duhet të ndjekin klasën e 9-të, pra duhet të kryejnë edhe një vit shkollë shtesë, krahas arsimit të detyruar 8-vjeçar në të cilin ata ishin përfshirë. Ky ndryshim në skemën e arsimit, mbart pas edhe të këqijat për nxënësit mbetës, pasi u duhet që krahas humbjes së një viti shkollor, në pritje të provimeve të lirimit, të kryejnë edhe një vit tjetër shtesë, për të marrë dëftesën e lirimit.
Duke filluar nga viti shkollor 2009-2010, Provimet e Lirimit do të kenë të njëjtin format me atë të Maturës Shtetërore. Ky ndryshim është vendosur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave, me qëllim uljen e fiktivitetit të notës në provimet e lirimit. Kështu, duke filluar nga viti i ardhshëm, procesi i provimeve në arsimin e detyruar nuk do të quhet më “Provim Lirimi” por “Matura e Lirimit”. Sipas specialistëve të arsimit, “Matura e Lirimit” do të ketë të njëjtat rregulla strikte si ato që aplikohen në “Maturën Shtetërore”. Kjo reformë në sistemin e provimeve të lirimit në arsimin e detyruar është ndërmarrë nga MASH, me qëllim dhënien fund të aferave korruptive që ekzistojnë në këtë proces, që mat nivelin e njohurive në ciklin e arsimit të detyruar. Ky ndryshim, padyshim që do të sjellë edhe ndryshime rrënjësore në skemën e dhënies së provimeve të lirimit, të cilat, ashtu si edhe Matura Shtetërore, do të jenë më shkrim.
Matura, rreziku vjen nga aurikularët
Teknologjia e lartë mund të kthehet në një shqetësim serioz për administratorët e pavëmendshëm në Maturën Shtetërore. Paçka se në Rregulloren e Provimeve thuhet qartë se ndalohet mbajtja e celularëve, askush nuk mund të vejë dorën në zjarr se maturantët nuk do të tentojnë të kopjojnë nëpërmjet metodave të sofistikuara teknologjike, që rëndom tani gjenden edhe në dyqanet HI-TECH në Shqipëri. Një rrezik i tillë vjen për Maturën Shtetërore nga aurikularët, ose kufjet e lidhura me aparatin celular, të vendosur diku në trup. Kjo mënyrë kopjimi që ka gjetur shtrirje të gjerë në auditorët e universiteteve, nuk përjashtohet si mundësi përdorimi edhe në provimet e maturës që po afrojnë. Në fakt, në Rregulloren e Maturës, përveç faktit se është e ndaluar mbajtja hapur e celularëve, nuk është se ka ndonjë rregull tjetër që detyron maturantët të dorëzojnë aparatet, para fillimit të provimeve. Po ta marrësh nga aspekti ekonomik, kopjimi me aurikular, për një provim kaq të rëndësishëm sa ai i Maturës, nuk është se ka ndonjë kosto të madhe financiare. Për të kopjuar pa u shqetësuar, me formën e mësipërme, mjafton të jesh pjesëtar i familjes së paketave të ofruara nga kompanitë celulare, të cilat në shkëmbim të një kohëzgjatjeje të caktuar ofrojnë tarifa të ulëta bisede për abonentët e tyre. Më të favorizuar nga kjo metodë kopjimi janë vajzat, por edhe djemtë që mbajnë flokë të gjata. Flokët janë një mënyrë shumë e mirë maskimi për të fshehur kufjet e vendosura në vesh dhe për të shmangur vëmendjen e administratorëve. Edhe në këtë aspekt, vajzat dhe djemtë, që mbajnë flokë të lëshuara mbi supe, nuk janë të detyruar në Rregulloren e Maturës të mbajnë lidhur flokët. Specialistët e arsimit të kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, thonë se kopjimi me kufje është metodë shumë e sofistikuar, për të cilën administratorët e angazhuar në provimet e Maturës Shtetërore kanë fare pak informacion, gjë që rrit shkallën e vështirësisë së vëzhgimit.
Matura, 40 për qind e testit për të dobëtit
Sa ke mësuar, aq edhe përpiqu të japësh në provime. Kjo është logjika që kanë menduar të aplikojnë specialistët e arsimit në formulimin e testeve të maturës. Edmond Lulja, drejtor i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve, është shprehur se këtë vit, testet e maturës do të jenë të ndara në tri shkallë vështirësie sipas nivelit të përgatitjes së maturantëve, kjo për t’u dhënë mundësi këtyre të fundit, t’u përgjigjen pyetjeve të cilësuara si të lehta dhe të vështira. “Në test do të ketë hapësirë për nxënësit e dobët, ata mesatarë dhe nxënësit e mirë dhe shumë të mirë”,- ka informuar drejtori i AVA-s, agjencisë që ka të drejtën e formulimit të testeve të Maturës. Pjesa dërrmuese e pyetjeve do t’u përkasë nxënësve të dobët, ndërsa niveli i nxënësve të mirë do të ketë 20 për qind të hapësirës së testit. “Në masën 40 për qind, AVA do të përgatisë pyetje pikërisht për nivelin e dobët të nxënësve. Për nivelin e dytë, do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, ndërsa niveli i tretë i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20 për qind hapësirë në test",- sqaron drejtori Lulja, duke shpjeguar në përfundim të bisedës, se maturanti i nivelit të dobët do të marrë 40 për qind të pikëve, niveli i mesëm i nxënësit 80 për qind, dhe maturantët e nivelit të lartë, 100 për qind të pikëve.