“Pena e Artë” për 24 akademikë. MASH dekoron me titullin e veçantë, personalitete të fushës shkencore
Në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë, MASH u ka hapur rrugë figurave të shquara të shkencës, të jenë pjesë e universiteteve edhe në pension
Ministria e Arsimit ka nderuar me titullin “Pena e Artë”, 24 personalitete të shquara të botës akademike që kanë dhënë kontribut të vyer në fushën e kërkimit shkencor. I pranishëm në ceremoninë e nderimit të akademikëve, ka qenë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencave, Genc Pollo, i cili, pasi ka falënderuar akademikët për punën e kryer në dobi të vendit, është shprehur se ajo që ne konstatojmë sot si zhvillim pozitiv, si një bazament arritjesh dhe vlerash mbi të cilat ne mund të ndërtojmë më tej, janë arritur në sajë të punës, kontributit që ju dhe kolegët tuaj keni dhënë. Profesorët e nderuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, kanë dalë në pension gjatë periudhës kohore 2006-2008, dhe përfitojnë nga miratimi gjatë vitit të kaluar të Ligjit për Arsimin e Lartë, statusin e veçantë të “Profesorit Emeritus”, që do të thotë se paçka se në pension, ata mund të japin kontributin re tyre të mëtejshëm në universitete.
“Pavarësisht nga mosha natyrore dhe pensionimi sipas ligjit, kontributi juaj nuk është e thënë që të mbarojë këtu. Sepse shoqëria, arsimi i lartë, shkenca, shteti, ka nevojë për kontributin tuaj të mëtejshëm dhe Ligji për Arsimin e Lartë parashikon mundësi konkrete për të realizuar këtë: në formën e “Profesorit Emeritus”, statusi i të cilit lejon që të kontribuohet më tej në Arsimin e Lartë, sipas mundësive dhe nevojave të gjithsecilit.
Por theksoj edhe një herë, që dita e sotme është një ditë për të shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen e një pune disavjeçare, gjurmët pozitive të së cilës ne sot i shohim dhe i ndjejmë dhe përpiqemi modestisht, gjithkush sipas mundësive dhe kompetencave, që në këtë shembull të çojmë përpara vendin dhe shoqërinë”,- u shpreh në fjalën e rastit të mbajtur ministri i Arsimit, Genc Pollo, duke uruar që kjo nismë të institucionalizohet dhe të zhvillohet çdo vit, pavarësisht se kush është në drejtim të MASH-it. Të pranishëm në ceremoninë e dhënies së titullit “Pena e Artë”, për 24 personalitete, kanë qenë edhe rektorët e disa universiteteve të Tiranës, të cilët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për punën shkencore të bërë nga akademikët në universitete.
Lista e profesorëve të Penës së Artë
1. Mina Naqo
2. Hektor Çoçoli
3. Sezai Braho
4. Adnan Këlliçi
5. Adnan Bodinaku
6. Jorgo Malite
7. Viktor Kabili
8. Sotir Bimoshi
9. Jorgji Gjikopulli
10. Jani Daci
11. Profit Canaj
12. Ali Muka
13. Emil Lafe
14. Jani Thomai
15. Jorgo Bulo
16. Kasem Biçoku
17. Kristaq Prifti
18. Mark Tirta
19. Miço Samara
20. Myzafer Korkuti
21. Pavli Haxhillazi
22. Xhelal Gjeçovi
23. Ramazan Bogdani
24. Skënder Aliu