Në vendimin e Këshillit të Ministrave shpjegohen proceduarat e marrjes së bursave dhe afati i dorëzimit të dokumenteve
Studentët dhe nxënësit do të përfitojnë bursë më të lartë se vitin e kaluar. Kjo u vendos dje nga Këshillit i Ministrave ku u përcaktua edhe numri i përfituesve të këtyre bursave. Ndërkohë në Vendim shpjegohet edhe në lidhje me institucionet dhe procedurat që do të merren me shqyrtimin e bursave, si edhe afatat për dorëzimine këtyre dokumenteve.
Bursat
Bursat për studentët dhe arsimin parauniversitar janë rritur rreth 500 lekë deri në 1000 mijë lekë në muaj më shumë se viti e kaluar. Kështu burime pranë dikasterit të Arsimit pohojnë se, nëse një nxënës i shkollës së mesme merrte një bursë të plotë 5500 lekë në muaj, tashmë do të marrë 60 mijë lekë në muaj. “Ndërsa për nxënësit në shkollat e mjeshtrisë sportive dhe nxënës të arsimit special nëse një vit më parë merrnin 60 mijë lekë në muaj tashmë do të marrin 6500 lekë në muaj”,- pohojnë specialistët e arsimit. Gjithashtu në vendimin e KM-së vihet re një rritje e bursave dhe për studentët të cilët e kanë patur vjet bursën 8000 mijë lekë, ndërsa këtë vit do të marrin 8500 lekë. Ndërsa bursë me 9000 lekë do të përfitojnë studentët e Akademisë së Arteve dhe të Akademisë Sportive.
Procedurat dhe afatet
Bursat e studentëve për vitin e parë do të shqyrtohen nga Drejtoritë Arsimore Rajonale. Ndërsa bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund ta përfitojnë atë brenda planit të bursave, të përcaktuar sipas këtij vendimi.
Ndërkohë bëhet e ditur se studentët që, gjatë vitit të parë, kanë përfituar bursë me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Sa i takon afatit të përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është vendosur data 15 dhjetor 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 30 nëntor 2008. “Në raste të veçanta, kur këshilli i bashkisë apo i komunës nuk mund ta miratojë, brenda këtij afati, numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës shqyrtimi i këtyre vendimeve, rast pas rasti”, bëhte e ditur në Vendimin e Këshillit të Ministrave, duke u shtuar se ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, DAR-të/ZA-të dhe institucionet e arsimit të lartë e njësitë e pushtetit vendor për zbatimin e këtij vendimi.