Merkure, 03 Dhjetor 2008 08:47:37

Lexoni versionin Print

Cikli i dytë, pranimet me mesatare shtatë

Rregullat do të jenë po ato, ndërsa frekuentimi në auditore do të merret po kaq për bazë sa në ciklin e parë të studimeve. Dy ditë pas Vendimit të Këshillit të Ministrave për hapjen e 36 programeve të ciklit të dytë të studimeve,

Dritan Laci
Premte, 05 Shtator 2008 09:33:00

Gazeta “Shekulli” publikon kriteteret e vendosura nga fakultetet për pranimin e studentëve në programet e studimit të nivelit të dytë

Tarifa 60 mijë lekë. Studentët që nuk kanë përfunduar brenda katër viteve ciklin e parë japin provim

Rregullat do të jenë po ato, ndërsa frekuentimi në auditore do të merret po kaq për bazë sa në ciklin e parë të studimeve. Dy ditë pas Vendimit të Këshillit të Ministrave për hapjen e 36 programeve të ciklit të dytë të studimeve, fakultetet të cilat kanë marrë pëlqimin për çeljen e studimeve në këtë nivel, nuk kanë vonuar të shpallin kriteret përzgjedhëse me anë të të cilave, do të kryejnë edhe pranimin e studentëve. Kriteret të cilat botohen në numrin e sotëm të gazetës “Shekulli”, do të jenë të vlefshme vetëm për vitin akademik 2008-2009, ndërkohë që në vitin e ardhshëm, ato do të rishikohen në bazë të kushteve që do të krijohen. Ajo që mësohet nga burime pranë fakulteteve që kanë marrë miratimin e qeverisë për hapjen e programeve në nivelin e dytë, është fakti se numri i pranimeve në këtë cikël studimesh do të jetë i kufizuar, që do të thotë se do të përzgjidhen për të vazhduar studimet, individët me mesatare më të mirë.

Numri i studentëve

Jo më shumë se 30 studentë në një profil të caktuar. Ideale do të ishte një mesatare prej 20 studentësh. Ky është vendimi që kanë marrë departamentet, mbi numrin e studentëve që do të pranohen në një program studimi të nivelit të dytë. Numri i studentëve është përcaktuar edhe në Vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, i cili shprehet mbi kriteret e hapjes së programeve të Nivelit të Dytë të Studimeve. Nëse në një profil regjistrohen më pak se 10 studentë, atëherë automatikisht programi cilësohet i mbyllur deri në vitin e ardhshëm akademik. Burime zyrtare pranë dekanateve shprehen për gazetën “Shekulli” se kriteret mbi pranimin e studentëve në nivelin e dytë të studimeve do të shikohen vit pas viti, ashtu sikurse do të shtohen edhe programet e studimit

Mesatarja e ponderuar

Kriteri i parë dhe më i rëndësishmi, për të vazhduar studimet në nivelin e dytë, do të jetë mesatarja e ponderuar, e cila përftohet pas pjesëtimit të mesatares së ciklit të parë të studimit me numrin e krediteve të fituara po gjatë 3 viteve të para të studimit.

Pas këshillimeve të gjata, si në departamente ashtu edhe në mbledhjen e senateve, është vendosur që në sistemin 2-vjeçar të studimeve, të pranohen ata studentë të cilët kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve me mesatare të ponderuar 7 e lart. Për të respektuar specifikën e secilës degë, është rënë dakord që kriteret e tjera, me të cilat do të bëhet pranimi i studentëve, të jenë të ndryshme në varësi të kushteve të krijuara.

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, është vendosur që të mos pranohet në ciklin e dytë të studimeve, asnjë student i cili rezulton se pas një periudhe 4- vjeçare nga data e regjistrimit në ciklin e parë të studimeve nuk ka arritur të diplomohet. Për studentët, të cilët nuk plotësojnë këtë kriter, por kërkojnë të vazhdojnë më tej studimet, është vendosur që t’i nënshtrohen një provimi pranimi.


Frekuentimi

Është krijuar idea se për të qenë pjesë e studimeve të nivelit të dytë, nuk është e nevojshme të frekuentosh rregullisht programin. Në fakt, kjo nuk është aspak e vërtetë. Të gjithë studentët të cilët kërkojnë ose do të kenë fatin e mirë të jenë pjesë e nivelit të dytë studimeve, duhet të mësojnë se leksionet dhe seminaret do të ndiqen në mënyrë po aq të rregullt sa edhe në ciklin e parë të studimeve që ata kanë kryer. Ata do të ndjekin programin e përcaktuar nga departamenti përkatës, duke u paraqitur çdo ditë në auditore.

Pedagogët, po kështu janë të detyruar, që të kryejnë apelin për çdo orë të zhvilluar, duke nxjerrë në përfundim të programit edhe nivelin e frekuentimit të studentit. Mosfrekuentimi i leksioneve dhe seminareve, do të sjellë për studentin, penalizim në kredite dhe në rastin më të keq, heqjen e mundësisë për shlyerjen e detyrimeve vjetore. Në përfundim të vitit të parë akademik një student që ndjek rregullisht studimet në nivelin e dytë duhet të mbledhë 60 kredite, ndërsa për t’u pajisur me Diplomë të Nivelit të Dytë, në profilin që ka zgjedhur për t’u specializuar duhet të ketë të grumbulluara 120 kredite


Tarifa e studimit

Pa frikë! Tarifat e shkollimit për studentët që ndjekin për herë të parë studimet në nivelin e dytë, nuk do të jenë në nivelin që mendohej. Në këtë aspekt drejtuesit e rektorateve që kanë fituar të drejtën e hapjes së programeve të nivelit të dytë, janë treguar të mëshirshëm, duke preferuar të mos shtrëngojnë rripin e studentëve. Ata kanë rënë dakord bashkarisht që tarifa e shkollimit për një vit akademik, në nivelin e dytë të studimeve, të jetë në një stad me zhvillimin ekonomik të vendit.

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, është vendosur që tarifa e studimit në dy profilet, Inxhinieri Elektrike për Energjitikë /Automatizim Industrie dhe Inxhinieri Elektrike Energjitike/Automatizim Industrie, të jetë 60 000 mijë lekë në vit, që do të thotë se në dy vite akademike, një student i cili merr Diplomë të Nivelit të Dytë, është i detyruar të paguajë 12 000 mijë lekë. Por tarifa e studimit nuk është e njëjtë për të gjithë profilet. Ajo ndryshon në bazë të fakultetit. Në Fakultetin Histori-Filologji, atë të Shkencave Sociale dhe Gjuhëve të Huaja, tarifa e studimit nuk do të jetë më e lartë se 50 mijë lekë në një vit akademik.


Dështimi

Nuk u pranuan. Një pjesë e mirë e fakulteteve, dështuan në paraqitjen e programeve të nivelit të dytë

Akreditimi, “flaku në kosh” programet e dobëta

Me kushte për t’u plotësuar! Këshilli i Akreditimit pranë Ministrisë së Arsimit, organ që merret me shqyrtimin e kurrikulave dhe dhënien e pëlqimit për hapjen e programeve të studimit, ka kaluar jo pa vërejtje disa nga profilet e studimit të nivelit të dytë të paraqitura nga fakultetet. Ky këshill u ka lënë detyrë departamenteve me problematikë në kurrikula, për të kryer përmirësimin e tyre gradual. Profilet e studimit të cilat nuk kanë kryer si duhet detyrat e lëna nga Këshilli i Akreditimit, gjatë një verifikimi të mëtejshëm, rrezikojnë të mbyllen.

Burime pranë gazetës “Shekulli” informojnë se një pjesë e mirë e fakulteteve kanë dështuar në misionin e tyre për të çelur programe studimi në nivelin e dytë. Të vetmet programe të cilësuara të plota dhe bashkëkohore janë ato të paraqitura nga Universiteti Politeknik në Tiranë. Në 2 fakultete të këtij universiteti, përkatësisht atë të Inxhinierisë Elektrike dhe Mekanike, këtë vit do të çelen 7 programe studimi. Aida Spahiu, dekane në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, është shprehur në një prononcim për gazetën “Shekulli” se profilet e studimit në nivelin e dytë në këtë fakultet do të shtohen çdo vit, duke pasuruar hap pas hapi programet. Për këtë arsye, për të mos larguar studentët, është vendosur që edhe tarifa e studimit të jetë e përballueshme.


Master Niveli i Parë

Për të gjithë ata studentë të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e programeve të studimit në nivelin e dytë, ekziston edhe një mundësi tjetër që është vazhdimi i Masterit të Nivelit të Parë. Aktualisht, të gjitha fakultetet kanë dërguar pranë Këshillit të Akreditimit kurrikulat, nga ku pritet që gjatë muajit shtator të jepet pëlqimi për hapjen ose jo të këtij programi.

Masteri i Nivelit të Parë zgjat një vit dhe për të marrë diplomë të këtij niveli një student duhet të mbledhë në përfundim të vitit akademik 60 kredite. Në ndryshim nga Programi i Studimit i Nivelit të Dytë, i cili synon studime më të thelluara, Masteri i Nivelit të Parë mëshon më shumë në specializimin e studentëve në një rrymë të caktuar


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML