Mungesë e plotë transparence. Ministria e Arsimit nuk bën publike hapjen e fushatës për Fondin e Ekselencës
Fondi i Ekselencës dita e fundit e dorëzimit të dokumenteve sot. Studentët doktorantë nuk kanë asnjë informacion
Flasin për transparencë, për ndihmën që duhet të japin dekanatet, apo edhe media dhe në krahun tjetër me fshehtësi gati të çuditshme shpallin aplikime dhe data të dorëzimit të dokumenteve, për të cilat kurrkush nuk disponon informacionin më elementar të duhur. Për habinë e të gjithëve ndodh pikërisht me Fondin e Ekselencës, projektin 1 milion euro aq shumë të rrahur si sukses nga kryeministri Berisha.
Ditë më parë një grup studentësh lexues të gazetës ‘Shekulli” ngritën shqetësimin mbi mungesën e plotë të informacionit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave, lidhur mbi aplikimin në Fondin e Ekselencës. Por, jo vetëm ata. Këtë shqetësim ngritën në bisedat e tyre me gazetën “Shekulli” edhe kryetarët e komisioneve përzgjedhëse të Fondit të Ekselencës, Valentina Duka dhe Myqerem Tafaj, të cilët kërkuan me insistim një fushatë më të gjerë sensibilizimi për thithjen e ekselentëve, si nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave ashtu edhe nga stafet akademike në universitete.
Por çfarë ndodh? Kur të gjithë studentët prisnin me padurim rihapjen e fushatës për Fondin e Ekselencës, pa pritur dhe pa dijeninë e askujt, një njoftim në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencave, bën me dije se aplikimet jo vetëm që janë çelur, por edhe se data e dorëzimit të dokumenteve është fundi i muajit shtator, pra, dita e sotme. E thënë ndryshe kandidatët doktorantë të cilët plotësojnë dhe dëshirojnë të përfitojnë nga Fondi i Ekselencës, nuk do të kenë asnjë mundësi të jenë pjesë e këtij fondi, pasi mesa duket Ministria e Arsimit dhe e Shkencave e ka parë më të udhës të mos bëjë të ditur hapjen e fushatës duke i lënë këta kandidatë me “gisht në gojë”.
Një tjetër fakt shqetësues është edhe mungesa e transparencës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave nga personat përgjegjës të ngarkuar për informimin e publikut për sa i përket Fondit të Ekselencës. Jo më larg se dy javë më parë, në bazë të një numri telefonik të vendosur në butonin “Fondi i Ekselencës”, gazeta “Shekulli”, referuar edhe kërkesës së një grupi studentësh, u përpoq të merrte informacion se çfarë po ndodh me këtë fond. Për tre ditë me radhë jemi përpjekur të lidhemi me personin përgjegjës të ngarkuar, që në këtë rast ishte specialistja e Sektorit të Kurrikulave dhe Politikave Universitare në Drejtorinë e Politikave të Arsimit të Lartë, Anila Theodhori, dhe në asnjë moment specialistja e sipërpërmendur nuk denjoi të ngrejë telefonin, megjithëse e ka vendosur me dëshirën e saj numrin personal në faqen zyrtare të MASH-it.
Duke qenë se telefoni, megjithëse rezultonte të ishte i hapur, nuk u ngrit për të dhënë informacionin e duhur, gazeta “Shekulli” u përpoq të kalonte në komunikimin me mesazh telefonik. Sërish asgjë. Specialistja e cila e cilësojmë është e ngarkuar të japë informacion mbi Fondin e Ekselencës, përsëri nuk denjoi të kthejë përgjigje, në kundërshtim të plotë me ligjin “Për të drejtën për informim”. Dhe ja ku vijmë në gafën e fundit. Asnjë informacion mbi Fondin e Ekselencës dhe djallëzia tjetër publikimi i një afati të shkurtër kohor për dorëzimin e dokumenteve, aspak i mjaftueshëm për kandidatët të cilët kërkojnë të përfitojnë nga Fondi i Ekselencës, që duhet theksuar që është kontribut i taksapaguesve shqiptarë.
Vetëm se këtë radhë specialistja Theodhori, në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, nuk ka vendosur më numrin personal, por ka lënë vetëm të zyrës, që për dijeninë e publikut edhe në këtë numër vështirë se mund të marrësh informacion, pasi në të gjitha tentativat e kryera nga gazeta “Shekulli”, megjithëse linja është e rregullt, askush (përsërisim) nuk denjon të ngrejë receptorin qoftë edhe për të përshëndetur. E fundit dhe që kërkon reflektim të menjëhershëm, është fakti që në ndryshim nga herët e tjera, Ministria e Arsimit dhe e Shkencave, nuk informon publikun mbi hapjen e Fondit të Ekselencës, gjë që tregon papërgjegjshmëri totale të këtij institucioni, i cili ka për detyrë jo vetëm të informojë për projekte që paguhen nga xhepi i varfër i taksapaguesve, por edhe të bëjë transparencë.
Një fakt i tillë është mos informimi lidhur mbi fushatën e dytë të Fondit të Ekselencës të zhvilluar në muajin mars. Ende edhe sot, pas diçka më shumë se 6 muaj nga hapja e fushatës së dytë, ka terr informacioni lidhur mbi fatin e kandidaturave. Pse kjo vonesë?Kur do shpallen fituesit?Edhe sa duhet të presin? Janë pyetje që kërkojnë përgjigje nga kandidatët që kanë aplikuar në këtë fazë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencave me mungesën e fundit të transparencës, kundërshton edhe thëniet e saj.
Le të kujtojmë pak se çfarë kanë thënë ish-ministri i Arsimit Pollo dhe kryeministri Sali Berisha në tryezën me akademikë “Brain Gain”, jo më larg se tre muaj më parë, kur prekën Fondin e Ekselencës. “Aplikimet në Fondin e Ekselencës janë në nivel të ulët. Kërkoj nga stafet akademike që të bëjnë një fushatë më të gjerë sensibilizimi mbi këtë fond, në të kundërt rrezikojmë të djegim buxhetin e vendosur prej 1 milion euro”, u shpreh kryeministri me shqetësim. E mesa duket kërkesa e drejtuar nga kryeministri, në një vesh i ka hyrë drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe në të tjetër u ka dalë, pasi rasti më i fundit kur këta drejtues nuk bëjnë publik çeljen e fushatës së tretë të Fondit të Ekselencës flet vetë dhe nuk ka nevojë për koment.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Valentina Duka, kryetare Komisioni i shkencave Sociale dhe Humanitare
“Me këto që kam parë tani, për të mos ia vënë të gjithë fajin lobimit, Fondi i Ekselencës thithet në një përqindje shumë të vogël. Kjo do të thotë që me fondin e shpallur ne nuk kemi doktorantë për të mbuluar kërkesat e tij, ose kemi dhe nuk kanë dëshirë të kthehen. Nuk di të them me saktësi, por mendoj se një përqindje e vogël e buxhetit të qeverisë të akorduar për Fondin e Ekselencës u plotësua me konkurrimin e marsit.
Për këtë arsye ne i propozuam qeverisë që të hapë edhe një fushatë të re në muajin shtator të këtij viti, që në fakt hapja ose jo është tagër e ministrit të Arsimit. Nuk e di nëse vendimi i qeverisë thotë që fushata të hapet njëherë apo dy herë në vit. Duke qenë përpara faktit se në dy fushatat e para është zënë vetëm një përqindje e vogël e buxhetit të miratuar për Fondin e Ekselencës, ne i kërkuam qeverisë që të hapë një fushatë të re, e cila të jetë më prezenter në media.
Kjo kërkesë bëhet në mënyrë që të përfshijë më shumë kuadro në universitetet shqiptare dhe të huaja si edhe për këtë çështje të ketë më shumë informacion. Për momentin kur flasim unë nuk kam asnjë informacion që të jetë marrë vendim për hapjen e fushatës së re, ndërkohë që jemi në pritje. Po të kthehemi pas në fushatën e dytë të muajit mars, numri i aplikantëve që arritën të fitojnë Fondin e Ekselencës nuk ishte më shumë se 6 studentë ndërsa në total nuk konkurruan më shumë se 15 individë. Flas gjithmonë për komisionin të cilin unë drejtoj.
Një tjetër arsye madhore që numri i aplikantëve është shumë i vogël është fakti që unë mendoj që Ministria e Arsimit duhet të loboj më shumë për Fondin e Ekselencës, të mos ia lerë vetëm faqes së saj të internetit që herë punon dhe herë nuk punon por të jetë më prezente në media. Shumë nga asistentët të cilët unë i inkurajoj të aplikojnë në Fondin e Ekselencës më thonë që nuk e kanë ditur hapjen e fushatës”.
Myqerem Tafaj. Këshilltar i kryeministrit për arsimin
“Fondi i Ekselencës prej 1milion euro është i mbështetur tërësisht nga buxheti i shtetit shqiptar, pra nga taksapaguesit shqiptarë. Këtë vit shpallja e parë ka qenë në muajin mars dhe procedura ka një kohëzgjatje të caktuar ku grupi i kandidatëve tashmë është shpallur, ndoshta këto ditë dhe janë 16 fitues, përkatësisht 8 të rinj dhe të reja në shkencat natyroreUnë mendoj se një nga arsyet, ndër të shumtat, që buxheti i Fondit të Ekselencës nuk është thithur i plotë është fakti i fushatës së pakët të sensibilizimit”.
Fondi i Ekselencës është një program i ndërrmarrë nga qeveria shqiptare në vitin 2007 i cili është viti i parë i fillimit të zbatimit të këtij programi. Ai synon të mbështesë asistentë të universiteteve shqiptare,porjo vëtëm asistentë por edhe të rinj të tjerë të intetresuar për studimet e doktoratës jashtë vendit. Sipas këtij programi të interesuaroit mund të bëjnë studimet e doktoratës, pjesërisht në Shqipëri,pjesërisjht në universitetet e huaja, studimet e plota të doktiratës vetëm në universitetet e huaja.
Përveç doktortantëve, kt fon mbështet edhe kandidatët, pedagogët, studiuesit që kanë përfunduar studimet e doktoratës dhe kanë nevojë të qëndrojnë për një kohë të caktuar në një universitet tjetër dhe që quhen studimet të postdoktoratës. Një drejtim tjetër që mbështete nga Fondi i Ekselencës është botimi i veprave shkencore të rëndësishme, që në kuptimin janë të rëndëishme jo vetëm brenda vendit, por paraqesin interes edhe për studieuesit e huaj, gjithashtu mbështetja e studiuesve shqiptarë, për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare, me parakushtin që në këto preferenca të kenë kontribut të evidentuar në formën e një referati apo kumtesë.
Ky është grupi i veprimtarive që mbështeten nga Fondi i Ekselencës. Siç e tashë në fillim Fondi i Ekselencë ka filluar në vitin e kaluar. Ishin 25 kandidatët e parë që e fituan Fondin e Ekselencës dhe siç dihet shuma që është dhënë nga qeveria shqiptare sepse Fondi i Ekselencës është i mbështetetur tërësisht nga buxheti i shtetit shqiptar,pra nga taksapaguesit shqiptarë është 1milon euro. Këtë vit shpallja e parë ka qenë në muajin mars dhe procedura ka një kohëzgjatje të caktuar ku grupi i kandidatëve tashmë është shpallur, ndoshta këto ditë dhe janë 16 fitues, përkatësisht 8 të rinj dhe të reja në shkencat natyrore.