Masterat, fakultetet në vendnumëro
Kur mbeten edhe diçka më shumë se dy javë nga fillimi i viti të ri akademik në programin e nivelit të dytë, fakultetet të cilat kanë fituar të drejtën për të hapur programe në këtë cikël studimi janë ende të papërgatitura.
Dritan Laci
Enjte, 02 Tetor 2008 10:35:00
Më datë 20 tetor fillon viti akademik. Fakultetet nuk kanë miratur kuotat, tarifën e studimit dhe kriteret e pranimit
Kur mbeten edhe diçka më shumë se dy javë nga fillimi i viti të ri akademik në programin e nivelit të dytë, fakultetet të cilat kanë fituar të drejtën për të hapur programe në këtë cikël studimi janë ende të papërgatitura. Përjashto Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, dekanatet e tjera nuk kanë publikuar ende kriteret e pranimit, tarifën e shkollimit si edhe datat e regjistrimit, ndërsa dita e parë në auditor do të jetë më 20 tetor. Vetë drejtuesit e fakulteteve janë shprehur se presin vendimin e qeverisë, ndërkohë që Ministria e Arsimit thotë se vendosja e kritereve është e drejtë e vetë fakulteteve.
Po kështu nuk dihet se sa do të jetë numri i studentëve që do të pranohen në këtë cikël studimi, numri i sallave që do vihen në dispozicion e të tjerë elementë të nevojshëm për mbarëvajtjen normale të studimeve. Dje, Këshilli i Ministrave, sikundër ka bërë në mbledhjet e fundit, vazhdoi me miratimin e hapjes së programeve të reja në nivelin e dytë të studimeve.
Në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale, referuar vendimit, në këtë dekanat u vendosën të hapen dy programe studimi përkatësisht “Sociologji e Zhvillimeve Shoqërore”, në përfundim të së cilës lëshohet diplomë e nivelit të dytë si edhe “Punë Sociale”, me profile; Drejtim klinik; Organizim komunitar dhe Politikë sociale. Krahas hapjes së programeve të nivelit të dytë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Këshilli i Ministrave, vendosi çeljen e programeve Master i Nivelit të Parë në Mësuesi në 4 universitete në rrethe.
Në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, në Fakultetin e Edukimit u mor vendim të hapet programi Master i Nivelit të Parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët “Matematikë-Fizikë”. I njëjti vendim është marrë edhe për hapjen e programit Master i Nivelit të Parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët “Matematikë-Fizikë”, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë. Programe Master i Nivelit të Parë do të hapen edhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në lëndët “Gjuhë Italiane” dhe “Gjuhë Frënge”, në mësuesi për ciklin e arsimit të lartë bazë.
-
Stela Fili: - 10-10-08 Masterat
Jam diplomuar ne Fakultetin e Shkencave Sociale ne 2007, aplikova ne shtator te 2007 dhe deri ne mars 2008 na mbajten me shpresa se do te fillonte, por nuk u be asgje. Jam e interesuar dhe sivjet per kryer studimet pas universitare dhe disa here jam paraqitur ne fakultet dhe me thone se nuk ka asgje konkrete per kritere, kuotat e pranimit etj, por qe do te kete do te kete na thone. Jam shume e irrituar per kete fakt dhe nuk e di se cfare do te behet.... Pres pergjigje
|