Merkure, 03 Dhjetor 2008 09:22:41

Lexoni versionin Print

"Të hiqet TVSH-ja për universitetet private"

Qeveria duhet të rishikojë vendimin për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi disa subjekte të veçanta dhe duhet të përfshijë në ligjin e miratuar së fundi edhe institucionet e arsimit të lartë jopublik.

Dritan Laci
Premte, 10 Tetor 2008 09:42:00

Kreu i rektorëve, Jorgo Kacani, ngre alarmin se universitetet private po shkojnë drejt rrënimit për shkak të TVSH-së

Universitetet jopublike do të rrisin tarifën e studimit, gjë që do të ndikojë në xhepin e studentëve

Qeveria duhet të rishikojë vendimin për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi disa subjekte të veçanta dhe duhet të përfshijë në ligjin e miratuar së fundi edhe institucionet e arsimit të lartë jopublik. Kërkesa vjen nga kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgo Kacani, i cili e konsideron TVSH-në, si pengesë në zhvillimin e universiteteve private.

Profesor Kacani shprehet se TVSH-ja po rëndon në mënyrë të padrejtë bilancin e universiteteve private, ndërsa ata që e pësojnë nga mosheqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar janë studentët të cilët duhet të paguajnë tarifë më të lartë studimi për vitin akademik. Parashtrimi i kërkesës nga profesor Kacani, vjen pas ndryshimeve të kryera së fundi nga Këshilli i Ministrave në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ndryshime të cilat përjashtuan nga skema e pagesës subjektet që operojnë në tregun mediatik, kryesisht revista, gazeta të huaja si edhe organizatat jofitimprurëse.

Në një linjë me kryetarin e konferencës së rektorëve është edhe profesor Aleks Luarasi, zv/kryetar i konferencës së rektorëve i cilë vë në dukje se vendosja e TVSH-së në arsimin e lartë jopublik rëndon drejtpërdrejt në xhepin e prindërve, të cilët për të arsimuar fëmijët duhet të paguajnë kosto tejet të lartë të studimit. Sipas drejtuesve të unionit më të lartë të rektorëve

heqja e TVSH-së do të lehtësonte në mënyrë të ndjeshme shpenzimet e arsimit të lartë jopublik. “Arsimi i lartë privat është në moshë të re dhe ka nevoja të ngutëshme për investime. Në vendet e tjera evropiane, arsimi i lartë privat nuk paguan TVSH, ndërkohë që edhe kur e bën një gjë të tillë, paguan shifra të papërfillshme”, argumenton profesor Kacani duke kërkuar kësisoj rishikikimin e kërkesës së parashtruar.

Një tjetër faktor se përse kërkohet me ngulm heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për universitetet private është edhe mospërballimi i shpenzimeve nga këto të fundit. Drejtues të universiteteve, të gjendur përballë vështirësish të shumta financiare, po marrin në konsideratë rritjen e mëtejshme të tarifës së studimit për një vit akademik.

Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë do të vihet në diskutim ekzistenca e këtyre universiteteve private. Profesor Kacani e vlerëson këtë fakt si shqetësim të ditës dhe që kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe efikase. "Në këtë grup duhet të bëjnë pjesë edhe universitetet private, pasi për të përballuar shpenzimet, ato po përballen me dy alternativa, ose të rrisin tarifat e shkollimit, ose të përballojnë vetë TVSH-në me shumë sforcim", citon Kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kacani.

Profesor Aleks Luarasi, me një llogari të thjeshtë matematikore vëren se pagesa e TVSH-së që paguajnë universitetet private ka kosto të lartë, e cila përllogaritet deri në 1/5 e tarifës që paguan një student në një vit akademik. “Pagesa e TVSH-së nuk rëndon vetëm subjektet, por edhe prindërit, të cilët këtë vit akademik po paguajnë tarifa më të larta shkollimi. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për universitetet private përbën 1/5 e tarifës së studimit që duhet të paguajë një student në një vit. Përveç kësaj, subjekti paguan edhe 10 për qind të fitimit, i cili shkon në vlerën e tatim-fitimit",-informon profesor Luarasi.

Financa: “Heqja e TVSH-së nuk ul tarifën e studimit”

Në institucionet e arsimit të lartë jopublik në Shqipëri studiojnë 12 mijë studentë, gati 1/4 e studentëve që ulen në auditoret publike. Deri më tani Ministria e Arsimit ka licencuar 20 universitete, nga të cilët vetëm 4 prej tyre rezultojnë të akredituar. Specialistë të Financave e kanë justifikuar mosheqjen e TVSH-së për universietet private me argumentimin se edhe nëse do të ndodhte një gjë e tillë, sërish nuk do të kishim ulje të çmimit të shërbimeve në universitetet të cilat mbahen nga buxhete të pavarura.

Një tjetër arsyetim, ku Ministria e Financave mbeshtet fort argumentin e saj, është edhe fakti sipas tyre i rritjes së ndjeshme në dy vitet e fundit të të ardhurave të universiteteve private si edhe mosuljes së tarifave të studimit që mbeten të larta. Ky arsyetim nuk është parë aspak bindës nga universitetet private të cilët kërkojnë me ngulm heqjen e TVSH-së, që në këtë rast do të sillte edhe uljen e tarifës së studimit.

Matura e Vjeshtës, përgjigjet e Gjuhë-Letërsisë më 15 tetor

Përsëri në ethet e Maturës Shtetërore. 5 mijë maturantë mbetës në provimin me detyrim të Gjuhë-Letërsisë u ulën dje sërish në masa shumë të forta sigurie për të ridhënë provimin e humbur në sesionin e parë të Maturës Shtetërore në muajin Qershor. Rregullat e provimit ishin të njëjta sikurse edhe herën e parë. “Përgjigjet e riprovimit të Gjuhë-Letërsisë,-informon Edmond Lulja, drejtues i AVA,- do të shpallen 15 ditë nga koha e përfundimit të testimit. Maturantët të cilët kanë mbetur në të dy provimet me detyrim, si në Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, do të japin provimin e radhës më datë 15 tetor, të mërkurën e javës në vazhdim.

Në këtë provim do të marrin pjesë 6 mijë maturantë mbetës. Vetëm në Tiranë, ditën e djeshme janë ulur për të ridhënë provimin e Gjuhë-Letërisë rreth 500 maturantë, ndërsa në Matematikë do të marrin pjesë rreth 700 të tillë. Drejtoria Arsimore, Tiranë, bën të ditur se të gjithë maturantët që arrijnë të kalojnë në provimet e sesionit të dytë, do të kenë mundësi nëse dëshirojnë të vazhdojnë studimet në vitin akademik 2009-2010, duke dhënë provimet me zgjedhje.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML