Kuotat bosh në universitete, nis faza e tretë. Gazeta “Shekulli” publikon hapat se si duhet të veprojnë aplikuesit
Në listë rreth 2 mijë vende bosh. Regjistrimi i fituesve nis dy javë pas shpërndarjes së fituesve në fazën e tretë
Formulari A2/1 do të jetë në duart e maturantëve duke filluar që nga dita e hënë. Lajmin e bëjnë të ditur për gazetën “Shekulli” burime pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale, Tiranë, të cilët konfirmojnë në këtë mënyrë hapjen e fazës së tretë të shpërndarjes së maturantëve në institucionet e arsimit të lartë publik në vend. Për të plotësuar formularin, maturantët të cilët nuk kanë fituar në dy fazat e para të shpërndarjes të cilat u zhvilluan në muajin shtator, do të duhen të drejtohen sikurse theksuam në Drejtoritë Arsimore Rajonale përkatëse.
Ende nuk është bërë e qartë nëse në Formularin e ri, do të vendosen degët e mbetura bosh në Universitetin e Tiranës. Burime pranë DAR Tirana, u shprehën se në këtë pikë ata që vendosin janë drejtuesit e Agjencisë së Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë. Deri më tani është përfolur se të vetmet degë që do të vendosen në Formularin shtesë do të jenë ato të mbetura bosh në universitetet publike në rrethe, të cilat kanë edhe numrin më të lartë të kuotave të paplotësuara në dy fazat e paplotësuara. Në përfundim të raundit të parë dhe të dytë të përzgjedhjes së studentëve në universitetete, fakultetet kanë raportuar 2 400 vende bosh, nga të cilët rreth 300 prej tyre i përkasin Universitetit të Tiranës.
Tashmë mund të thuhet se është zyrtare. Nga dita e hënë e në vazhdim të gjithë kandidatët maturantë të cilët nuk arritën të fitojnë të drejtën e studimit në universitete për vitin akademik 2008-2009 në dy fazat e para të shpërndarjes, do të kenë një mundësi të tretë dhe të fundit në dy javët në vazhdim. Këtë vit akademik MASH vendosi që shpërndarja e të drejtave të studimit të bëhej me dy raunde përkatësisht; me fazë paraprake dhe përfundimtare regjistrimi, vendim i cili me sa duket, ashtu sikurse ndodhi në vitin e kaluar, do të shkelet pas konstatimit në përfundim të dy fazave të parashikuara të regjistrimit, të kuotave të paplotësuara.
Për këtë arsye është rënë dakord që të ketë rishpërndarje të vendeve bosh, për të plotësuar në këtë mënyrë kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Ajo që bëhet e ditur nga specialistë të arsimit është fakti, se për efekt të kohës së paktë në dispozicion, rishpërndarja e tretë nuk do të bëhet para fillimit të vitit të ri akademik, i cili nis ditën e hënë më datë 13 tetor. Nëse arrijnë të jenë fitues në fazën e tretë, kandidatët aplikues, do të gëzojnë të drejtën për të qenë pjesë e auditorëve vetëm në fillim të muajit nëntor, periudhë në të cilët do të bëhet edhe regjistrimi i tyre.
Në ndryshim nga dy fazat e para të shpërndarjes së maturantëve në universitete, Formulari A2/1 që do jetë në duart e matuarantëve të interesuar nga dita e nesërme, nuk do të ketë më 200 degë të listuara, por vetëm ato të cilat në përfundim të dy raundeve janë raportuar me kuota të paplotësuara. Kryesisht kuotat e paplotësuara i përkasin degëve të studimit në rrethe të cilat kanë paraqitur edhe interesin më të ulët për kandidatët maturantë.
Edhe në raundin e tretë, ose ndryshe pjesor, rishpërndarja do të bëhet në bazë të sistemit Meritë-Preferencë (MeP), ku do të shpallen fitues kandidatët të cilët kanë pikët më të larta në degët e përzgjedhura. Të drejtën për të marrë pjesë në raundin pjesor dhe për të aplikuar në Formularin A2/1 do ta kenë të gjithë kandidatët të cilët nuk janë shpallur fitues ose janë shpallur si të tillë dhe nuk janë regjistruar në fazën përfundimtare.
Afati
Një javë kohë për të plotësuar Formularin
Një vit më parë, Formulari A2/1, u shpërnda në Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore Rajonale në mesin e muajit tetor, fill pas çeljes së vitit akademik në institucionet e arsimit të lartë publik. Edhe këtë vit pas vendimit për të kryer rishpërndarjen e tretë të kuotave, kandidatët e interesuar do të duhet të drejtohen për t’u pajisur me Formularin Pjesor në Drejtoritë Arsimore të rretheve përkatëse.
Për të bërë të mundur një gjë të tillë, kandidatët duhet të dorëzojnë një kërkesë me shkrim në DAR. Më tej, pasi të kenë marrë Formularin do të duhet të rrethojnë degët ku ata preferojnë të vazhdojnë studimet, për të bërë sërish dorëzimin e tij në Drejtoritë Arsimore. Dorëzimi i Formularit do të bëhet brenda afatit 1-javor të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave e cila njëkohësisht shpall edhe datat përfundimtare të regjistrimit.
Studimet
Nesër nis viti akademik në ciklin e parë
Dita e nesërme do të shënojë fillimin e vitit të ri akademik 2008-2009 në universitetet e arsimit të lartë publik. Rreth 60 mijë studentë që ndjekin studimet në programet e ciklit të parë do të ulen në auditoret e vendit për t’i dhënë jetë një viti të gjatë studimesh i cili do të konkretizohet në sezonin e provimeve në muajin qershor të vitit të ardhshëm.
Këtë vit për herë të parë, krahas studentëve që ndjekin ciklin e parë të studimeve, në auditore do të ulen edhe studentë që kanë fituar të drejtën për të vazhduar studimet në programet e ciklit e dytë. Studimet në këtë program priten të fillojnë në mesin e muajit nëntor, ndërkohë që në javët në vazhdim priten të përcaktohen në formë zyrtare edhe kriteret e pranimit si dhe kuotat për secilin program. Fillimi i vitit të ri akademik në ciklin e parë të studimeve pa shkëputje nga puna do të pasohet më tej edhe me hapjen e studimeve Part-Time, të cilat rikthehen pas një viti pushim.
Ministria e Arsimit përcakton kategoritë e nxënësve dhe studentëve që përfitojnë nga bursat në vitin mësimor 2008-2009
Bursat shtetërore, 1 600 studentë përfitues
Bursat shtetërore, do të përfshijnë këtë vit shkollor një gamë të gjerë nxënësish dhe studentësh. Për vitin 2008-2009, është vendosur që përfitues të bursave të veçanta të jenë 190 nxënës dhe 1600 studentë të shkëlqyer. Në kategorinë e përfituesve është rënë dakord të futen nxënës dhe studentë që përfitojnë statusin e jetimit si edhe kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë.
Kategoria e jetimëve e përfiton bursën edhe gjatë pushimeve verore, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor për rezultate jokaluese. Pjesë e bursave shtetërore do të jenë edhe fëmijët e punonjësve të policisë, që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Përsa i përket ciklit të lartë të studimeve përfitues do të jenë studentët e vitit të parë, të cilët kanë mbaruar arsimin e mesëm me medalje ari. Në skemën e mësipërme do të përfshihen edhe ata studentë, të cilët kanë mbaruar vitin akademik paraardhës me notën 10-të.
Si masë stimuluese janë përshirë në bursat shtetërore edhe studentët që vazhdojnë studimet në degët "Matematikë", "Fizikë", nga vitet e dyta e lart, me kushtin që të kenë përfunduar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të. Po kështu përfitues të bursave do të jenë edhe nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, nga vitet e dyta e lart, por që kanë mbaruar vitin akademik pararendës, me notën mesatare mbi 8-të.