Skandali/Në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë, Universiteti i Tiranës emëron pedagogë pa tituj në Fakultetin Juridik
Shkelet hapur Neni 47 pika 2. Emërohen pedagogë kandidatë të sapodalë nga auditoret. Lihen jashtë Doktor Shkencash
Të gjitha ato fjalë të bukura që dëgjohen të thuhen shpesh në tryeza, takime midis akademikësh për kthim të trurit, thithje të elitës në universitetet publike e të tjera e të tjera, duken se shumëzohen me zero pas veprimit të fundit të ndërrmarrë nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, i cili në kundërshtim të hapur me Ligjin për Arsimin e Lartë, neni 47 pika 2, emëron në fakultete punonjës akademikë pa titujt përkatës të parashikuar në ligj.
Rasti më flagrant është konkursi për përzgjedhjen e pedagogëve të rinj në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ku në listën prej 30 fituesësh, vetëm disa prej tyre disponojnë konform ligjit gradën “Master të Nivelit të Dytë”, ndërsa kandidatët e tjerë të shpallur fitues në më të shumtën e rasteve kanë përfunduar studimet 4-vjeçare, në rastin më të keq, jo më larg se tre muaj më parë.
Pasi është vënë në dijeni lidhur mbi këtë fenomen gazeta “Shekulli” ka marrë kontakt me rektorin e Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili nuk ka pranuar për asnjë moment të ketë kryer shkelje të Ligjit të Arsimit të Lartë. Ai është shprehur se çdo veprim në përzgjedhjen e pedagogëve të rinj në Fakultetin Juridik është kryer bazuar mbi ligjet në fuqi. “Absolutisht që jo. Përzgjedhja e pedagogëve, qoftë edhe të atyre që kanë përfunduar studimet 4-vjeçare është bërë në bazë të Nenit 89 të Ligjit për Arsimin e Lartë i cili shprehet tekstualisht: “Diplomat e studimeve universitare që kanë zgjatur së paku katër vite akademike (8 simestra), deri në përshtatjen e studimeve sipas Sistemit të Bolonjës, janë ekuvailente me diplomat e integruara të nivelit t dytë”.
Por neni të cilit i referohet rektori i Universitetit të Tiranës, nuk shprehet mbi kriteret e emërimit të pedagogëve në universitete. Dispozita e cila përcakton qartësisht personelin që kryen veprimtari të mësimdhënies, kërkim shkencor ose të aplikuar është Neni 47 në Ligjin për Arsimin e Lartë. Në pikën 2, gërma C, të këtij neni është sanksionuar qartë se për të qenë Lektorë, personat të cilët aplikojnë për të qenë të tillë duhet të kenë diplomë “Master i Nivelit të Dytë” dhe të përmbushin kriteret që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Por çfarë ka ndodhur në konkursin për përzgjedhjen e pedagogëve të rinj në Fakultetin Juridik? Jo vetëm që nuk është respektuar pika 2 gërma C në Nenin 47, por janë shkelur me të dyja këmbët edhe pikat e tjera. Për dijeni të lexuesit në nenin 47 pika 2 janë të përcaktuara si drita e diellit titujt akademikë që duhet të mbajë personeli akademik në fakultete.
Në këtë pikë thuhet eksplicisht: “Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë, sipas veprimtarisë dhe rolit që kryen, kategorizohet në; a) profesorë; b) docentë dhe c) lektorë. Në bazë të verifikimit të kryer nga gazeta “Shekulli”, një pjesë e mirë e kandidatëve që kanë fituar të drejtën për të qenë pjesë e personelit akademik në Fakultetin Juridik, nuk disponojnë qoftë edhe minimumin e titujve të vendosur në Ligjin për Arsimin e Lartë, që në këtë rast është “Lektor”. Për të hedhur dritë mbi këtë hije të errët, gazeta “Shekulli”, po gjatë ditës së djeshme ka marrë kontakt edhe me dekanin e Fakultetit Juridik, Skënder Kaçupi, i cili ka hequr çdo përgjegjësi mbi veten duke u shprehur se nuk ka qenë pjesë e përzgjedhjes së pedagogëve dhe se kjo detyrë është marrë përsipër nga katedrat përkatëse.
Po kështu dekani i Juridikut, ka mohuar të ketë dijeni për listën e fituesve, edhe pse është informuar me emra të përveçëm se në këtë listë janë lënë jashtë një sërë individësh që gëzojnë titujt sipas ligjit dhe kanë fituar të drejtën për të kryer veprimtari të mësimdhënies kandidatë të cilët nuk përfshihen në ligj. Një rast kuptimplotë është zoti Ilir Mandro, jurist i njohur si edhe 16 vjet pedagog i jashtëm në Fakultetin Juridik. Juristi Mandro, nga të paktët me gradën Profesor në Shkencat Juridike, i ka kërkuar komisionit vlerësues, të shtyjë intervistën e parashikuar deri në mbërritjen e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhej për arsye studimore.
Kjo kërkesë nuk është pranuar si e tillë dhe kësisoj studentët nuk do të mund të përfitojnë nga vlerat e tij si jurist me eksperiencë në fushën e drejtësisë. Po kështu janë lënë jashtë listës fituese edhe kandidatë të cilët mbajnë mbi supe gradën Doktor i Shkencave, si zonja Genta Bungo e të tjerë. Të gjithë shprehen njëzëri se në konkursin e përzgjedhjes së pedagogëve të rinj, Rektorati i Universitetit të Tiranës jo vetëm ka shkelur Ligjin për Arsimin e Lartë, (citojmë Neni 47 pika 2), por me veprimet e kryera ka treguar mungesë të plotë transparence.
Reagimet
Genta Bungo
“Kjo është një gropë e madhe qelbi”
Një nga kandidatet që për habinë e të gjithëve nuk ka fituar të drejtën për të qenë pedagoge në Fakultetin Juridik është zonja Genta Bungo. Pedagoge e jashtme për 7 vite në Fakultetin Juridik, Bungo, që prej muajit qershor 2008 mban gradën e lartë Doktor Shkencash të firmosur po nga rektori Dhori Kule. E kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, juristja Bungo është shprehur se Rektorati i Universitetit të Tiranës, me veprimet e fundit të kryera ka shkelur në mënyrë të hapur Ligjin për Arsimin e Lartë, përkatësisht Nenin 47 pika 2.
Pa dashur të hyjë në emra konkret, ajo thotë se e gjithë kjo histori i ngjan një grope të madhe me qelb. “Unë po bëj një parashtrim të fakteve që di. Aplikimet janë mbyllur më datë 29 gusht. Janë bërë intervistat më datë 24, 26, 29 shtator, ndërsa emërimet janë kryer më datë 6 tetor të cilëve të nesërmen u është komunikuar që të paraqiten në punë. Ndër 30 emrat fitues, për habi emri im nuk ishte. Ajo që më bëri përshtypje, ishte se shumica e tyre janë ish-studentët e mi, ku nga këta 5 janë me master dhe 25 janë me diplomë të thjeshtë fakulteti që Rektorati e quan diplomë të Nivelit të Dytë, por që në fakt nuk është e tillë, pasi këtë nuk e pranon as Ministria e Arsimit”. Për përjashtimin nga lista e fituesve, juristja Bungo nuk ka marrë asnjë shpjegim, ndërkohë që ka ndërrmarrë proces ankimimi në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave.
Igli Totozani
“Është shkelur Ligji për Arsimin e Lartë”
Përfundon shkëlqyer studimet në Fakultetin Juridik në vitin 1995 (vetëm një 9 në të gjitha lëndët). Rezultate të shkëlqyera në dy mastera në Universitetin e Gjenevës. Çmim për punimin më të mirë për paqen dhe edukimin për paqe, dhënë po nga Universiteti i Gjenevës. Fitues në vitin 2007 i bursës së ekselencës akorduar nga MASH. Ndjek doktoraturën në universitetin e Strasburgut.
Kjo është CV-ja e shkurtër por mjaft domethënëse e juristit Igli Totozani, i cili ashtu si edhe kolegët e tij pësoi fatin e keq të mos përzgjidhej në listën e pegagogëve fitues në Fakultetin Juridik. Në bisedë me gazetën “Shekulli”, Totozani nuk e fsheh zhgënjimin që ndjen dhe thotë se paçka se nuk ka dëshirë të jetë më pjesë e Fakultetit Juridik, edhe sikur ta ftojnë, do të ndjekë procesin e ankimimit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave. “Unë shkeljet i shikoj në një pikë kyçe.
Sipas ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri (Ligji 9832 datë 12.11.2007), Neni 47 përcakton tre kategori të punësuarish në fakultete nga institucionet e arsimit të lartë publik; Profesor, Docent, Lektor. Minimumi për të qenë punonjës në IAL është të kesh gradën “Master i Nivelit të Dytë”, titull të cilin një numër i madh fituesish nuk e kanë. Përsa i përket Nenit 89 të Ligjit për Arsimin e Lartë, të cilit i referohet, rektori Dhori Kule, ky nen nuk ka të bëjë fare me emërimin e punonjësve por me diplomat. Po të shikosh këtë diplomë kuptohet fare mirë që Masteri i Nivelit të Dytë është shkollë pasuniversitare, pra nuk është as diplomë e integruar dhe as diplomë e nivelit të dytë”
Fakulteti Juridik rrezikon mbylljen
Nëse e gjithë kjo histori në përfundim të saj rezulton të jetë e vërtetë, atëherë me shumë siguri, nëse realizohet akreditimi i Institucioneve të Arsimit të Lartë Publik, Fakulteti Juridik do të marrë një shuplakë të fortë nga e cila zor se do ta marrë veten. Me emërimin e fundit të punonjësve akademikë, në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë, Neni 47 pika 2, Fakulteti Juridik nëse kalon në sitën e grupit të akreditimit që pritet të zbarkojë së shpejti, rrezikon jo vetëm të mbyllet, por të nxjerrë në rrugë të madhe studentët.
Një vit më parë, kur u riformatua Ligji i Arsimit të Lartë, në dispozitat kalimtare u vendos që “Institucionet publike të arsimit të lartë, të cilat janë krijuar pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të riorganizojnë strukturimin e brendshëm të tyre dhe programet e studimit, sipas këtij ligji, brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij”. E thënë më shkoqur, Fakulteti Juridik dhe të tjerët në radhë, duhet që brenda një viti, pra në nëntor të vitit 2008, të zëvendësojnë të gjithë personelin akademik pa gradat e duhura shkencore me personel të kualifikuar sikurse e kërkon ligji. Emërimet e fundit të pedagogëve pa tituj, në kundërshtim me ligjin, duket se e ka futur në qorrsokak fakultetin në fjalë, i cili tashmë rrezikon seriozisht ekzistencën.
MASH, presim ankesat
Ministria e Arsimit dhe e Shkencave do të presë të gjitha ankimimet e kandidatëve që kanë konstatuar shkelje në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për pedagogë në Fakultetin Juridik. Dikasteri më i lartë i arsimit në vend është shprehur se do të nisë proces verifikimi në rektoratin e Universitetit të Tiranës vetëm nëse do të marrë sinjalizime të qarta për shkelje të dispozitave ligjore, në këtë rast Ligjit për Arsimin e Lartë. Deri më tani në Ministrinë e Arsimit janë regjistruar ankesat e para nga kandidatët e përjashtuar, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim lista e ankesave të rritet me të tjerë të pakënaqur.