Drafti i ri i përgatitur nga MASH-i, përcakton se në arsimin e mesëm nuk do të pranohen mësues me 3 ose 4 vite shkollë
Problem mbeten shkollat në zonat rurale, ku askush nuk pranon të kryejë mësim me master në xhep
Me sistemin e ri të emërimeve është e qartë se një student që përfundon për mësuesi, nuk do ta ketë fort të lehtë të ndjekë rrugën e tij profesionale, nëse nuk ka në xhep edhe një master. Deri më tani nuk ka asgjë zyrtare, por shumë shpejt, ndoshta me fillimin e vitit të ardhshëm mësimor 2009-2010, drejtoritë arsimore rajonale, por edhe ato zonale do të jenë të detyruara të mos pranojnë mësues në arsimin e mesëm pa diplomën master.
Sipas kësaj logjike arsyetimi, studentët që përfundojnë ciklin 3-vjeçar do të kenë mundësi të punësohen në arsim vetëm në ciklin e ulët dhe atë të mesëm, ndërkohë që, për të ngjitur më tej shkallët e profesionit do të duhet medoemos të kryejnë studime pasuniversitare. Ky kriter do të jetë i vlefshëm edhe për studentët, të cilët kanë përfunduar studimet në bazë të sistemit të vjetër 4-vjeçar në arsimin e lartë.
E paqartë mbetet forma e emërimit në shkollat e mesme që i përkasin drejtorive zonale, ku dihet që me kualifikimin master në xhep vështirë se një student mund të pranojë të japë mësim në fshat apo në zona të thella ku nevoja për mësues të kualifikuar është edhe më e madhe.
Ministria e Arsimit po përgatit së fundi një draft të ri lidhur me emërimin e mësuesve në arsimin parauniversitar. Ky draft, i cili po diskutohet edhe në grupet e interesit është i pari në 18 vitet e fundit që do të përpiqet të rregullojë dhe të përcaktojë kriteret, mbi të cilat do të kryhen në të ardhmen emërimet e mësuesve, jo vetëm në arsimin e mesëm të lartë, por edhe atë të ulët.
Specialistë të MASH-it, thonë se drafti i ri do të përpiqet të ulë në minimum nivelin e korrupsionit në emërime, si edhe do të rrisë nivelin e mësimdhënies në shkolla, por nuk bëjnë të ditur sesi do të veprohet në drejtoritë zonale. Vendosja e kritereve të tilla, padyshim që do të rrisë konkurrencën midis studentëve, të cilët tanimë e tutje, për t’u bërë mësues do të duhet të marrin studime të thelluara, por që në vetvete përmbajnë kosto të lartë ekonomike.
Specialistë të arsimit thonë se rishikimi i kritereve të punësimit të mësuesve në tërësi është pjesë e reformës që po ndërmerret në arsimin parauniversitar, ku kualifikimi i mësuesve konsiderohet si thembra e Akilit.
Me sistemin e ri të emërimeve është menduar që të ketë edhe një klasifikim të ri të pagave, të cilat do të bazohen në bazë të meritës profesionale. Pagat e mësuesve do të dallohen në bazë të kualifikimit përkatës që ata kanë. Për të arritur këtë objektiv është vendosur në eficencë edhe Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesve.
Në muajin prill, të gjithë mësuesit me vjetërsi pune nga 5 deri në 20 vite, të cilët kërkojnë ngritje në pagë, do t’i nënshtrohen testimit kombëtar të kualifikimit, i cili përcakton qartë edhe përfituesit, të cilët krahas shkallës së ngritjes në karrierë, kanë mundësi të kenë edhe një pagesë më të mirë.