PYETJE NË EMISIONIN "SI TË BËHESH MILIONER " - Mendoj se shumë nga pjesëmarrësit në këtë emision hallakaten në ngjarje dhe rrethana episodike, ndërkohë që pyetja thelbësore më duket e anashkaluar: Z.Kokëdhima, si duhet filluar një biznes?
PËRGJIGJE NGA KOKËDHIMA: Të nisësh biznesin? Do të thotë të përcaktosh biznesin tënd, të bësh një biznes-plan, të bësh grumbullimin e fondeve dhe pastaj zhvillimin e sipërmarrjes. Të "përcaktosh biznesin" do të thotë të jesh shumë i qartë se kush do ta blejë produktin, kush është konsumatori, cili do të jetë shërbimi juaj dhe me çfarë çmimi. Ju duhet ta keni shumë të qartë se kush janë në treg aktualisht, cilat janë produktet dhe shërbimet e tyre, dhe duke njohur këtë konkurrencë, të pyesësh veten: A ka diçka speciale që do ta bëjë produktin ose shërbimin tim superior? A ka një argument që produkti im të jetë i domosdoshëm për klientin, i shitshëm? Për të nisur biznesin, duhet që të përcaktosh qartësisht strukturën e tij. Në legjislacionin e Shqipërisë, struktura e biznesit mund të kualifikohet si person fizik, si sh.p.k., si sh.a., ose si shoqëri e thjeshtë. Ju duhet të jeni shumë e qartë, të keni dije për taksat dhe për dokumentet ligjore që duhet të përmbushë struktura në fjale.
Njëkohësisht, për të filluar biznesin tuaj, ju duhet të përcaktoni burimet nga duhet t'ia filloni dhe këto burime përfshijnë fondet e fillimit, stafin dhe vendin ku do ta nisësh. Njëkohësisht, përpara se të startosh biznesin, është shumë e nevojshme të dish se si e kanë nisur të tjerët atë gjë që dëshiron të bësh ti. Pra, për projektin tuaj, duhet të bëni kërkime në treg: kush janë konkurrentët, çfarë tendence ka tregu, si ndahet ky treg, sa fitojnë konkurrentët, ku do ta pozicionosh shërbimin tënd, e kështu me radhë. Pas këtyre kërkimeve të tregut, ju mund të ndryshoni pikëpamjen tuaj, mund të modifikoni idenë që kishit, ose mund ta braktisni plotësisht planin tuaj. Pastaj duhet "të ndërtosh një plan-biznesi". Pas kësaj, do zgjidhni një nga alternativat që do t'ju duhet të ndiqni për të grumbulluar fondet e fillimit, dhe të vazhdoni...