PYETJE NË EMISIONIN "SI TË BËHESH MILIONER" - Ju flisni shpesh për menaxherët dhe me sa kuptoj, idetë dhe objektivat janë thelbësore për ata që duan të jenë menaxherë biznesesh. Meqë jemi te synimet profesionale, te objektivat, a mendoni se shpallja e parakohshme mund ta dëmtojë ecurinë e një projekti? Duhet tu tregojmë të tjerëve planet tona të biznesit?
PËRGJIGJE NGA KOKËDHIMA - Kur flasim për objektiva profesionalë, nuk ke pse të konsumosh kohë duke folur me njerëz që s'kanë ndonjë lidhje me punën tënde. Por nëse zgjidhni një institucion, që të bëjë një oponencë për strategjinë tuaj, për planifikimin e biznesit, ose të një aksioni apo fushate, pa dyshim që duhet t'i dëshmoni objektivat tuaja. Kjo, përsa i përket personave jashtë ambientit të punës. Nëse e keni fjalën për stafin, është një përgjegjësi esenciale, që të informosh bashkëpunëtorët e t'u për objektivat, t'u tregosh atyre synimet që duhet të përmbushin. Nëse i ruani vetëm për vete këto objektiva, nuk është e nevojshme të keni bashkëpunëtorë. Nuk mund të pretendosh të përfshish bashkëpunëtorët në një punë të madhe për arritje objektivash që janë të panjohura për ta. Menaxheret i shpallin objektivat në forma e për afate të ndryshme. Shpeshherë ata i përfshijnë bashkëpunëtorët gjatë gjithë fazave te hartimit dhe miratimit të objektivave. Një punonjës duhet të jetë i qartë për pikësynimet e organizatës dhe të departamentit ku ai punon. Kështu, ai mund të planifikojë punën dhe kohën për përmbushjen e tyre.