PYETJE NË EMISIONIN- SI TË BËHESH MILIONER - Përshëndetje. Nuk di nëse do kem një përgjigje për këtë pyetje.. Në shtator martohem dhe në këtë moment disponoj një shumë prej 1500 Euro të cilat i kam mbledhur me shumë sakrifica, duke pasur parasysh kushtet ku ne jetojmë. Disa shoqe të miat mendojnë të bëjnë një udhëtim në Paris dhe kam shumë presione për t'u nisur me to. Por dasma është afër dhe duke qenë se burri im është buxhetor, më këshilloni të nisem me shoqet apo t'i ruaj keto para për një të ardhme?
PËRGJIGJE NGA KOKËDHIMA - Ju jeni një vajzë e shkëlqyer. Pyetja juaj është interesante dhe dëshmi e nivelit të lartë të përgjegjësisë me të cilën ju i vlerësoni gjërat që keni dhe ato që bëni. Padyshim që është argëtuese të udhëtosh në qendrat e mëdha kulturore dhe historike, siç është edhe Parisi. Në çdo udhëtim të tillë, përtej argëtimit, zbavitjes dhe kënaqësisë, njeriu përfiton, mëson, nxjerr konkluzione, shikon në mënyrë krahasuese gjërat dhe në fund të fundit diçka merr. Përgjigja ime tregon se si do të veproja unë nëse do të isha në vendin tuaj. Jo, nuk do ta bëja një udhëtim të tillë. Preferoj të shpenzoj për udhëtime turistike jo më shumë nga sa fitoj në një muaj. Nëse fitoj në një muaj mjaftueshëm për një udhëtim të tillë, do ta bëja. Nëse jo, nuk do ta ndërmerrja. Kam përshtypjen se ju do të bëni të njëjtën zgjedhje me mua. Jam i sigurt se ju do ta shikoni Parisin në të ardhmen. Ju uroj që të bëni një dasmë interesante, të gëzueshme dhe të keni një jetë të lumtur.