PYETJE NË EMISIONIN "SI TË BËHESH MILIONER" - I nderuar zoti Kokëdhima! Ju kam dëgjuar shpesh në radio dhe kam vënë re se shumë pyetje, kanë si tematikë joshjen që ndjen dikush për t'u pasuruar shpejt, me mjete le të themi joligjore. Dhe Shqipëria, duam apo nuk duam ne, është një vend shumë i përshtatshëm për të kultivuar joshje të tilla. Pa dashur të bie në përsëritje dhe duke shpresuar të marrë një përgjigje, po ju pyes: A është e mundur që në Shqipëri të bëhesh biznesmen duke ruajtur një respekt konstant për parimet, për vetveten? Unë them që kjo është disi e pamundur sepse kostot janë të paevitueshme. Ju vetë, nuk jeni joshur kurrë nga ideja e të fituarit të menjëhershëm në rrugë jolegale? (Julian, student Tiranë)
PËRGJIGJE NGA KOKËDHIMA - I dashur Julian. Sa i përket propozimeve joshëse për fitime të shpejta në rrugë të paligjshme, kurrë nuk kam hezituar t'i refuzoj ato. Ata që pranojnë propozime të tilla duhet të pranojnë ta dorëzojnë lirinë e tyre në duart e "menaxherëve të mëkateve" në këtë hapësirë ku ligji po vjen pak si vonë. Kur të vije ligji, shkelësit do dalin jashtë biznesit. Secili mund të zgjedhë të dëgjojë zilen që dëshiron, por të bësh biznes në Shqipëri duke respektuar veten, ligjet dhe zakonet e mira të vendit, nuk është e pamundur.
Ju më pyesni gjithashtu, nëse është e mundur që në Shqipëri të bësh biznes duke ruajtur një respekt konstant për veten… Pyetje interesante, por unë them që edhe në mjedise të ngarkuara me shumë deformime, me mungesë rregullash dhe me shumë ndotje, është e mundur të rezistosh në rrugën tënde dhe të mbetesh vetvetja. Është e vërtetë që kjo mund të ketë shumë kosto për ju. A ia vlejnë kostot për të qenë vetvetja? Je i lirë të zgjedhësh!