PYETJE - Në Vlorë kanë filluar të ndërtohen një TEC dhe Petrolifera. Mirë se TEC-i është investim publik dhe ka leje ndërtimi, por Petrolifera ka filluar punën pa marrë më parë leje ndërtimi nga Bashkia. Si është e mundur të punohet pa leje ndërtimi, për projekte të tilla?
PËRGJIGJE - Nuk është e vërtetë që TEC-i i Vlorës ka leje ndërtimi. Nuk është Bashkia e Vlorës dhe as Qeveria e Tiranës që japin leje për t'u ndërtuar projekte të tilla, të cilat kanë një impakt mjedisor jashtëzakonisht të madh. Nëse ndërtohen TEC-et dhe rafineritë, Vlora (dhe kur them Vlora kam parasysh qiellin, detin dhe tokën atje) do të helmohet. Pas pak vitesh, shtëpitë e vlonjatëve do shiten me një çmim pak më të lartë se shtëpitë e fshatit Hoxharë në Fier. Ndaj, për vepra te tilla është populli i Vlorës që jep leje përmes referendumit. Këtë leje nuk e kanë marrë as TEC-i, as Petrolifera. E thënë ndryshe TEC-i dhe Petrolifera kanë filluar punë pa këtë leje të popullit të njohur nga ligji. Ky është një gabim i rëndë. Do të jetë e afërt dita kur atyre do t'u duhet të mbathin opingat prej aty. Tani për tani shpresojnë që popullit atje nuk do t'i jepet leje të flasë! Çfarë dritëshkurtësie! Kush qeveri në botë e në histori ia ka dalë të ndalojë për shumë kohë një komunitet të vetëdijshëm, të flasë për jetën dhe për të drejtat e tij thelbësore? Janë naivë ata që mendojnë se me anën e KQZ-së mund t'i mbyllet goja banorëve të Vlorës. Kush është ai individ, italian apo alien qoftë, që mund ta marrë Vlorën për një euro, në emër të një projekti të ashtuquajtur kombëtar? Kjo është marrëzi! Vetëm pasi të votojë populli në referendum, mund të procedojnë organet qeveritare me leje punimesh. TEC-i dhe Petrolifera janë pa leje, miku im. Ato duhet të ndalojnë.