PYETJE - I nderuar zotëri. Kam mjaft ide ose më mirë mini-ide për hapjen e bizneseve që mungojnë në treg, por më mungon kapitali për realizimin e tyre. Jam ende në shkollë ndërkohë, por nuk jam i sigurtë nëse shkolla, kapitalet apo idetë të cilat nuk më mungojnë janë primare për rrugën e biznesit…
PËRGJIGJE NGA KOKËDHIMA - Ju thoni që ju mungojnë kapitalet dhe me sa kuptoj jeni ende i ri. Mendoj se paraja është e fundit në gjerat me rëndësi në biznes. Unë e kam theksuar disa herë që kur flasim për gjera të biznesit kemi parasysh ne rradhe te pare, idetë. Ju thoni që i keni. Kjo është interesante, por nuk është e nevojshme të merreni njëherësh me të gjitha idetë tuaja. Është shumë e rëndësishme të fokusoheni. Të fokusoheni në një ide të vetme. Në atë, që mendoni se është më e mira dhe më e mundshmja për ju. Kjo është e vlefshme jo vetëm për ju që ende nuk i jeni futur rrugës së biznesit, por edhe për shumë persona, që aktualisht bëjnë biznes. Në shumë panaire në Shqipëri konstatojmë se ka shumë sipërmarrës që duan të bëjnë shumë gjëra njëherësh. Kjo shkakton shpesh që të mos kenë një pozitë udhëheqëse në treg në ndonjë produkt të caktuar. Fokusimi në një ide është shumë i rëndësishem.