PYETJE - A është tani kohë e përshtatshme për të blerë prona të patundshme? E kam fjalën për shtëpi, troje etj.
Çdo kohë është e përshtatshme edhe për të blerë, edhe për të shitur prona të patundshme, troje, shtëpi etj. Pronat qarkullojnë në të gjitha kohët. E rëndësishme është ku, çfarë, pse dhe si i blen. Padyshim që momentet e krizave dhe transformimeve të mëdha shoqërore, ekonomike e politike, prodhojnë shanse dhe risqe shumë më të mëdha sesa normaliteti për ato shoqëri dhe individë që kanë ose kërkojnë pasuri. Këto shanse dhe risqe ndikojnë shumë vendime për të blerë ose për të lëshuar pasuri të patundshme. Një proces i besueshëm dhe i shpejtë integrimi, do të kishte ndikim të madh në rivlerësimin e pasurive të patundshme tek ne. Por kjo nuk do të thotë se çdo investim në këtë fushë është i goditur. Të bësh biznesin e pronave të patundshme është profesion, është aftësi e kultivuar. Edhe nëse "është koha" të blesh pasuri të patundshme, ju mund të blini gabim! Prandaj duhet të konsultohesh me profesionistë, me qëllim që të investosh pa gabime në tregun e pasurive të paluajtshme.
Faleminderit!