Pyetje: Shpenzoj shumë para. Shpesh marr borxh për të blerë ato që dëshiroj. E njoh këtë dobësi dhe shpesh tentoj ta frenoj veten, por nuk arrij dot. Si mund t'ia dal?
Mos shpenzoni shumë. Thjesht mos merrni borxhe. Shtriji këmbët sa ke jorganin. Ju nuk po e frenoni veten sepse akoma nuk ju ka dalë "boja" deri në fund dhe/ose sepse vazhdoni të mos i llogarisni si duhet pritshmëritë. Nuk mund të marrësh borxhe për mallra konsumi. Borxhi ka sens për biznes, jo për konsum. Kreditë konsumatore kanë një logjikë. Ato shkojnë në përputhje me të ardhurat dhe duhet të shlyhen pa cenuar minimumin e parave të domosdoshme për përballimin e përgjegjësive normale të jetës. Të marrësh borxh për të blerë ushqime e rroba apo për të vajtur nëpër restorante, është një punë pa mend. Do të vijë momenti, shumë shpejt, që s'do marrësh dot më borxhe sepse nuk do t'i shlyesh dot.
Arritja e shpejtë përmes borxhit e një gjëje që ti dëshiron, prodhon edhe njëmijë telashe, shpeshherë të humb qetësinë, sigurinë, kredibilitetin, respektin e kreditorëve dhe komunitetit etj. Shumë njerëz marrin borxhe, pa i bërë mirë llogaritë se si do t'i shlyejnë. Ndaloje këtë zakon, ndaloje këtë dobësi që ke. Përdor mirë ato të ardhura që ke dhe nëse ke nevojë dhe dëshirë për më shumë shpenzime, mos e fillo nga shpenzimet, por nga rritja e të ardhurave. Mendo si të bësh më shumë të ardhura, që të mbështesësh dëshirat e tua për shpenzime. Gjithçka thashë me lart, tregon një rrugë për t'i arritur dëshirat dhe i drejtohet njerëzve të aftë për punë! Këto këshilla nuk janë të domosdoshme për invalidët, njerëzit me aftësi të kufizuara për punë dhe pensionistët. Këto këshilla nuk u nevojiten gjithashtu as mashtruesve të vetëdijshëm.
Faleminderit!