PYETJE NË EMISIONIN "SI TË BËHESH MILIONER" - Punoj prej tre vjetësh. Kam aplikuar për një pune të re dhe më kanë kualifikuar. Dua të kem këshillën tuaj se si mund të kem një fillim sa më të mbarë. Faleminderit!
PËRGJIGJE NGA KOKËDHIMA - Për një punonjës të ri, është shumë e rëndësishme që ai të jetë i pranueshëm për kolektivin ku do punojë. Puna e re fillon qysh në çastin që ke marrë vendimin në kokën tënde që ta lësh punën që ke. Është shumë e rëndësishme, që një punonjës i ri të flasë me kolegët, të përfshihet në lojë, mundësisht që ditën e parë. Që ditën e parë, një punonjës është në vëmendjen e të gjithëve. Është një prioritet shumë i madh për një punonjës të ri të mësojë projektin, të mësojë planin për të ardhmen dhe të dijë qartësisht se çfarë pret kompania nga ai. Sigurohuni që e keni kuptuar shumë mirë përshkrimin e përgjegjësive dhe të drejtave të postit tuaj të punës. Ju duhet të dini gjithashtu qëllimin e departamentit ku jeni vendosur, të njihni strukturën e tij, vendin që zë ky departament në strukturën e biznesit, ku duhet të raportoni, në çfarë formash duhet të raportoni, cila është pritshmëria e kompanisë nga ju, kur dhe ku ofrohet dreka, kur është koha për të pirë kafe, për çaj, si janë rregullat për të përdoruar telefonin, e-mailin, çfarë kualifikimesh dhe trajnimesh kërkohen dhe ofrohen, cilat janë rregullat për veshjet formale ose jo, për pushimet e kështu me radhë etj. Kështu ju do të integroheni për një kohë të shkurtër në shoqërinë dhe në punën e re dhe do të bëni një fillim të mbarë.